Këshilli Bashkiak i bashkohet nismës për mbjelljen e pemëve të reja

Kopshti Zoologjik, shkollat e reja, Kisha e Shën Prokopit dhe lagjet e reja në Kombinat dhe te “5 Maji” janë disa nga projektet që do të marrin jetë në vitin 2021 në Tiranë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbolli pemë në Parkun e Liqenit, së bashku me kryetaren e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko dhe nënkryetaren, Katerina Marku, me të cilat nënvizoi rëndësinë që ka për qytetin shtimi i gjelbërimit dhe krijimi i hapësirave çlodhëse. Ai vuri në dukje se në pesë vjet Parkut të Liqenit i janë shtuar 30 mijë pemë, ndërkohë që në 1 qershor, fëmijët e kryeqytetit do të marrin si dhuratë Kopshtin e ri Zoologjik.

“Kemi dyfishuar sipërfaqen e Liqenit të Tiranës: sot aty kemi Amfiteatrin, një bizhu e qytetit, ndërkohë po punojmë te Kopshti Zoologjik, ku jemi në 30% të punimeve. Me t’u hapur koha do ta shtojmë ritmin që të kapim 1 qershorin, si dhuratë për fëmijët e Tiranës. Por, të mos harrojmë se i kemi kthyer Kishës Orthodokse edhe pronën e Kishës së Shën Prokopit, që do të ndërtohet siç ka qenë”, tha ai.

Veliaj vlerësoi se ky vit i ri nis me lajme të mira për rreth 1 mijë familje të reja, të cilat do të kenë mundësi të blejnë një banesë falë programit të strehimit me kreditë e buta. Ai siguroi familjet e prekura nga tërmeti se do të vijojnë ta marrin bonusin e qirasë, deri sa të futen në banesën e tyre të re.

“Kemi marrë dis vendime të shkëlqyera, duke nisur me rreth 1000 kredi të buta për çiftet e reja. Sapo kanë filluar jetën në Tiranë, ndaj meritojnë të përqafohen, e jo të trajtohen me cinizëm. Vendimi tjetër lidhet me vazhdimin e bonusit të qirasë për të gjithë ata që e kanë marrë në 2020 – do ta marrin edhe në 2021, derisa të marrin në dorë çelësin dhe hipotekën e apartamentit të ri, qoftë në Kombinat, Kinostudio apo kudo tjetër ku kemi kantiere të hapura”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se 2021 do të jetë jo vetëm viti i vaksinimit dhe i rimëkëmbjes ekonomike, por edhe i hapjes së shkollave të reja.

“Viti 2021 do të hyjë në histori jo vetëm si viti i rimëkëmbjes nga pandemia, i rimëkëmbjes ekonomike dhe i rindërtimit, por edhe për faktin se do jetë viti kur ne do të hapim më shumë shkolla të reja në Tiranë. E kuptoj, do të jetë pak siklet për ata që s’kanë bërë asnjë shkollë në Tiranë – do bëjnë debat në janë bërë 17 apo 18 shkolla, por ne mezi e presim një debat të tillë sepse 17 është më e madhe se 0; edhe 18 është më e madhe se 0. E ardhmja u përket atyre që punojnë sepse lënë një shenjë në qytet. Rëndësi ka që të mbahemi mend si një skuadër që la gjurmë në qytet. Ky është motivi i jetës sonë dhe arsyes pse angazhohemi në politikë, jo si qëllim në vetvete, por si mjet me të cilin vendosim për të gjitha ato punë të mira, për të cilat jemi shumë krenarë”, deklaroi Veliaj.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko theksoi se kryefjala e buxhetit për 2021 është mbështetja e njerëzve në nevojë dhe infrastruktura.

“Kemi marrë vendime shumë të rëndësishme, sidomos për procesin e rindërtimit, pandeminë dhe mbështetjen e shtresave në nevojë. Kryefjala e këtij viti do të jetë kujdesi për qytetarët. Kemi një buxhet të miratuar, që ndihmon njerëzit, por pa hequr prioritete të rëndësishme të Tiranës, siç është infrastruktura, Teatri apo vepra të tjera shumë të rëndësishme”, deklaroi ajo.

Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak, Katerina Marku lajmëroi nismën më të re, atë të ngritjes së Këshillit Mjedisor të Tiranës, që do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj çështjeve mjedisore.

Ngjarja paraprake

Italia merr 100 mijë doza më pak se që pritej të vaksinës kundër COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

Çfarë zori ka VV kur thotë se do ta fitojë shumicën

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian