Katandisja e procedurës administrative në Kosovë

Shteti përbëhet nga tri shtyllat kryesore,legjislativi,ekzekutivi dhe gjyqësori, ndërsa administrata mund të llogaritet si pjesë ndihmëse e cila i takon ekzekutivit si pjesë e pandashme e saj. Veprimtaria e administratës përbën një spektër të gjerë të punëve juridike dhe se procedura administrative paraqet një segment jashtëzakonisht të rëndësishëm për funksionimin e një shteti për të ofruar punët juridike në shërbim të qytetarëve nga ana e administratës shtetërore.

Në realitetin e tanishëm në Kosovë qytetarët ballafaqohen me vështirësi të shumta për kryerjen e punëve juridike nga administrata në Kosovë. Edhe pse proklamohet, si nga pozita ashtu edhe opozita, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, se qeveritë lokale ashtu edhe qeveria qendrore do të jenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve, në praktik hasim të kundërtën, me ç’rast qytetarët janë në shërbim të tyre, dhe varen nga “vullneti dhe dëshira” e zyrtarëve të ndryshëm administrativ që të ofrojnë shërbime qytetarëve si në nivelin lokal ashtu edhe atij qendror.

Këtë vështrim po shkruaj, duke marr parasysh përvojën profesionale, gjatë përfaqësimit të palëve në procedurë administrative në Prizren, me ç’rast palët hasin shpesh herë edhe në “vesh të shurdhër” nga ana e administratës, e ka raste kur nxirren vendime, konkluzione, përgjigje, heshtje administrative, edhe të kundërligjshme, nga zyrtarët e caktuar përgjegjës administrativ të nivelit lokal apo qendror, që janë jo vetëm në kundërshtim me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031 në fuqi por edhe me ligje tjera të së drejtës pozitive.

Ligji për procedurën e përgjithshme administrative Nr. 05/L-031 në fuqi në Republikën e Kosovës në mënyrë shumë të qartë sqaron procedurën dhe ligjshmërinë administrative, barazinë dhe mos diskriminimin e qytetarëve, objektivitetin dhe të paanshmërinë e tyre në raport ndaj qytetarëve: “Procedura administrative është tërësia e renditur sipas ligjit e veprimeve procedurale dhe materiale të njëpasnjëshme të organit publik, që ka për qëllim përgatitjen dhe vendimmarrjen për një veprim konkret administrativ, shqyrtimin e mjeteve juridike

administrative, si dhe ekzekutimin e aktit administrativ. Organet publike veprojnë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si edhe me rregullat e përgjithshme administrative të zbatueshme brenda kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilat janë dhënë këto kompetenca. Veprimi administrativ që cenon apo mund të cenojë një të drejtë apo interes juridik të një personi, duhet të jetë i autorizuar nga një ligj. Organi publik vepron në pajtim me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit. Organi publik duhet të veprojë në mënyrë objektive dhe të paanshme. Veprimet e zyrtarit publik nuk duhet të ndikohen nga ndonjë interes personal, familjar, miqësor, politik apo nga presioni politik.“

Vendimin që e sjell organi i caktuar administrativ duhet të jetë konform ligjit në fuqi, si në pikëpamje të dispozitës mbi kompetencat, ashtu edhe në pikëpamje të formës,të zbatimit të rregulltë të procedures administrative gjatë së cilës në mënyrë të plotë dhe të drejtë është vërtetuar gjendja faktike e çështjes së caktuar. Para se të sillet aktvendimi për një çështje të caktuar duhet paraprakisht të realizohet procedura provuese për vërtetimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave me rëndësi të posaqshme për të nxjerur një aktvendim të plotë, të drejtë dhe të ligjshëm.

Në vijim të vështrimit do të cek disa vendime, konkluzione, përgjigje, heshtje administrative, ndaj palëve që i përfaqësojë të cilët janë ballafaquar në procedurë administrative nga zyrtarët përgjegjës të shkallës së parë dhe shkallës së dytë të procedurës administrative në Republikën e Kosovës. Konkretisht do të prezantoj dy raste të palëve në procedurë, për dy vendime të paligjshme të nxjerra nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, ndaj të cilëve ka pasuar procedura administrative në vijim.

I Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit ka nxjerr vendim për dhënien e lejes ndërtimore, Nr. 04-351/02-154837 të datës 12.10.2021 për ndërtimin e objektit për banim kolektiv, afarizëm dhe administratë me etazhitet 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu në Prizren. Në afatin e paraparë ligjor pala ka parashtruar ankesë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të aprovojë ankesën dhe të anulojë këtë vendim të kundërligjshëm për shkak se është në kundërshtim me nenin 102 par.1 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031, në kundërshtim me nenin 4 nënpar. 1.2, nenit 21 par.1 të Ligjit për ndërtim Nr.04/L-110, në kundërshtim me nenin 6 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Nr. 08/2017, nenin 18 par. 2 të Ligjit për Planifikim Hapësinor Nr. 04/L-174, nenit 6 par.6.4 të Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore, etj.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, e ka aprovuar ankesën dhe e ka shfuqizuar Vendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Nr. 04-351/02-154837 datë 12.10.2021 dhe ka obliguar DUPH-së të merr vendim të ligjshëm në këtë çështje administrativo-juridike në afat prej 30 ditësh, nga dita e pranimit të këtij vendimi.

Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e Komunës së Prizrenit në afatin paraparë ligjor, ka nxjerr vendimin e njëjtë të kundërligjshëm, Nr. 04-351/02-154837 datë 15.02.2022 për lejimin e ndërtimit të objektit me etazhitet të lartë 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu në Prizren, duke mos marr për bazë fare rekomandimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë. Pala në procedurë në afatin e paraparë ligjor ka parashtruar prapë ankesë ndaj vendimit të kundërligjshëm të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikimi Hapësinor të Komunës së Prizrenit. Për dallim nga hera e parë, tani Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës në Prishtinë në afatin e paraparë ligjor prej 30 ditësh nuk e ka nxjerr vendimin në ankesën e ushtruar, pas kërkesës shtesë të afatit të mëtejmë prej 7 ditësh me kërkesë të përsëritur të palës në procedurë prapë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk e ka nxjerr vendimin ndaj ankesës së ushtruar, me ç’rast në kuptim të nenit 29 par. 1 të Ligjit për Konflikt Administrativ Nr. 03/L-202 llogaritet sikur t’i ishte refuzuar ankesa nga MMPHI-së.

Pas kësaj pala në procedurë ka ushtruar Padi për konflikt administrativ me caktim të masës së përkohshme në kuptim të nenit 22 par. 2 të Ligjit për Konflikt Administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë–Departamenti administrativ kundër Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me ç’rast Gjykata e ka refuzuar caktimin e masës së përkohshme, gjegjësisht shtyrjen e vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor gjer në vendimin definitiv gjyqësor, me ç’rast në arsyetimin e saj Gjykata vetëm e ka parafrazuar ad-hock nenin 22 par. 2 të Ligjit për Konflikt Administrativ Nr. 03/L-201 fare pa i arsyetuar provat e bashkangjitura të palës për shtyrjen e vendimit gjer në vendimin definitiv gjyqësor në njërën anë, ndërsa në anën tjetër i ka marr për bazë përgjigjet e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor dhe të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët e kanë kundërshtuar caktimin e masës së përkohshme. Aq më tepër është anakronike se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë e ka shfuqizuar vendimin e parë të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, ndërsa po të njëjtën vendim të dytë në afatin e rregull ligjor fare nuk është përgjigjur, ndërsa i është përgjigjur Gjykatës dhe e ka kundërshtuar kërkesën e palës në procedurë për caktimin e masës së përkohshme. Në afatin e paraparë ligjor pala në procedurë ka parashtruar ankesë shkallës së dytë, gjegjësisht Gjykatës së Apelit në Prishtinë –Departamentit administrativ, dhe palët në procedurë për momentin janë në pritje të vendimit të shkallës së dytë lidhur me caktimin e masës së përkohshme për shtyrjen e vendimit gjer në vendimin definitiv gjyqësor . Edhe pse në kuptim të nenit 130 par.1 të LPPA-së, Nr. 05/L-031ankesa pezullon sipas fuqisë së ligjit, prodhimin e pasojave juridike të aktit administrative, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën, Drejtoria e Inspektorateve në Prizren si dhe Inspektoriati pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk kanë ndalur punimet investitorit gjersa të përfundojë procedura e ankimimit dhe të bëhet i plotfuqishëm vendimi i DUPH-së të Komunës së Prizrenit.

II Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit ka nxjerr vendimin, Nr. 04-353/01-900 të datës 12.04.2022 me të cilën e ka përfunduar vazhdimin e lejes së kioskut-barakës, në bazë të vendimit Nr. 04/4.3253, të datës 23. IV. 1968 të ish Kuvendit të Komunës së Prizrenit-Drejtoria për Ekonomi, punë komunale e banesash, dhe ka obliguar pronarin e barakës që në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktvendimi, të bëjë largimin vullnetar të barakës të cilën e ka në shfrytëzim, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Pala në procedurë në kuptim të udhëzimit juridik në aktvendim, në afatin e paraparë ligjor ka parashtruar ankesë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, kundër vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit që të aprovojë ankesën e palës dhe të anulojë vendimin e kundërligjshëm për shkak se është në kundërshtim me nenin 102 par. 3 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031.

Kjo barakë qëndron plot 54 vite, dhe është me një sipërfaqe të vogël prej 7m2, e cila nuk ka penguar gjer tani në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë hapësirën publike komunale që e shfrytëzon,dhe se baraka gjendet në vazhdën e lokaleve në vijim në të njëjtën vijë. Pas qëndrimi plot 54 vite, dhe ushtrimit të veprimtarisë, me një veprim ad hock ta rrënosh barakën, dhe pronarin ta hedhësh në rrugë, dhe të krijosh prej tij rast social, është një shkelje morale paprecedan e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, e cila kërkon lirimin e hapësirës komunale e cila gjer tani askujt nuk i ka penguar kjo barakë në hapësirën e saj komunale.

Akoma pa skaduar faza e ankimit dhe pa u bërë i plotfuqishëm aktvendimi, Drejtoria për Inspektorate–Sektori i ndërtimit të Komunës së Prizrenit nxjerr konkluzion të kundërligjshëm, Nr. 17-354-262/1 të datës 16.05.2022 me të cilin urdhëron pronarin e barakës të fillojë ekzekutimin e detyrueshëm të aktvendimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Nr. 04-353/01-900 të datës 12.04.2022, ekzekutimi do të fillojë me datë 20.05.2022 në ora 10.00, dhe se ushtrimi i mjetit juridik në vendimin e organit administrativ nuk e ndal ekzekutimin e konkluzionit të Drejtorisë së Inspektoratit.

Në afatin e paraparë ligjor të udhëzimit juridik të konluzionit pala në procedurë ka parashtruar ankesë Komisionit për parashtrimin e ankesave të Komunës së Prizrenit që të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të shfuqizojë konkluzionin si të kundërligjshëm, në kundërshtim me aktvendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, në të cilin qartë theksohet se pas kalimit të afatit prej 30 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi, largimi i barakës do të bëhet nga ana e Drejtorisë për Inspektorate, e i cili është në kundërshtim me nenin 9 par.1 dhe 2, nenit 37 si dhe nenit 40 par. 2 të Ligjit për ndërtim Nr. 04/L-175.

Komisioni për parashtrimin e ankesave i Komunës së Prizrenit në përgjigjen e saj në vend se të pranojë ankesën e palës dhe të anulojë konkluzionin e kundërligjshëm të Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, e refuzoi ankesën dhe e miratoi konkluzionin e kundërligjshëm të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit.

Kundër vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për parashtrimin e ankesave të Komunës së Prizrenit, pala në procedurë në kuptim të Udhëzimit Juridik ka parashtruar ankesë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të aprovojë ankesën si të bazuar ndërsa aktvendimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave të anulojë si të kundërligjshëm, ose të kthej në rivendosje për shkak se është në kundërshtim të plotë me nenin 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031, dhe se për momentin pala në procedurë është në pritje të vendimit në ankesën e parashtruar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës në Prishtinë ndaj vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Në vështrimin e radhës do të shkruaj për palët dhe qytetarë tjerë që diskriminohen, nuk janë palë të barabartë në procedurë, anashkalohen, paraprakisht nuk konsultohen, nga zyrtarët përgjegjës administrativ trajtohen në mënyrë subjektive dhe të njëanshme, nuk ju kryhen punët juridike me kohë, nuk ju përgjigjen fare në kërkesat e parashtruara, etj. e që të gjitha këto janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ligjet aktuale në fuqi në Republikën e Kosovës si dhe Konventat Ndërkombëtare në fuqi .

Në përfundim të këtij vështrimi palëve në procedurë pas shterjes së të gjitha mjeteve juridike të procedurës dhe konfliktit administrativ nuk ju mbetet tjetër gjë përveç se të ngrenë kallëzime penale pranë Prokurorisë kundër zyrtarëve përgjegjës administrativ të shkallës së parë dhe të dytë në Republikën e Kosovës për nxjerrjen e vendimeve dhe konkluzioneve të kundërligjshme, në kuptim të nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të ballafaqohen me ta në procedurë penale në Gjykatë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Parlamenti Evropian mbështet kandidaturën e Ukrainës për në BE

Story i radhës

MPB: Arrestohen pesë persona në fshatin Batincë të Shkupit

Të fundit nga