Kancelari gjerman: Perëndimi gati për dialog serioz me Rusinë

Në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë, kancelari gjerman Olaf Scholz takoi sot Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Kiev, ndërsa nesër udhëheqësi gjerman ndalon në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. 

Kancelari Scholz tha të hënën se vendet perëndimore “janë gati për një dialog serioz me Rusinë për çështjet e sigurisë evropiane”, por se gjithashtu presin nga Presidenti rus Vladimir Putin që të ulë tensionet e krijuara nga kërcënimi për një sulm ndaj Ukrainës.

Zoti Scholz i ofroi kështu një mundësi të re Kremlinit pas takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Kyiv, megjithëse ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate kanë paralajmëruar se zoti Putin mund të urdhërojë një sulm masiv ndaj Ukrainës brenda disa ditësh, duke filluar me bombardime me raketa dhe nga ajri dhe duke u pasuar nga një sulm i shpejtë nga toka.

Nuk pati komente të menjëhershme nga Rusia për mesazhin e zotit Scholz. Më herët megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i sugjeroi zotit Putin që të vazhdojnë bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, megjithëse Perëndimi ka refuzuar kërkesën kryesore të zotit Putin për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

I ulur në anën tjetër të një tryeze të gjatë konferencash përballë Presidentit Putin, zoti Lavrov i tha udhëheqësit rus se megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë refuzuar të ndalin dërgimin e armëve drejt Ukrainës, ose të tërheqin forcat e dislokuara në Evropën Lindore, ata kanë ofruar të negociojnë për dislokimin e raketave në Evropë dhe për stërvitjet e NATO-s që zhvillohen në vendet më afër Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin, djathtas, takohet me Ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, majtas, (Moskë, 14 shkurt 2022)

I pyetur nga zoti Putin nëse do të kishte kuptim të vazhdohej angazhimi diplomatik me udhëheqësit perëndimorë, zoti Lavrov u përgjigj se ekziston ende hapësira për bisedime dhe propozoi vazhdimin e tyre.

Zoti Lavrov tha se bisedimet “nuk mund të vazhdojnë pafundësisht , por në këtë pikë do të sugjeroja t’i vazhdojmë dhe t’i zgjerojmë”.

Analistët thonë se veçanërisht në Rusi, zoti Scholz duhet të përcjellë mesazh të qartë se perëndimi ka unitet dhe se nuk mund të përçahet. 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë synimin për anëtarësim në NATO, pavarësisht kundërshtimit rus dhe skepticizmit të disa vendeve perëndimore.

“Sot, shumë gazetarë dhe udhëheqës po japin shenja të vogla për Ukrainën se është e mundur që të shmanget rreziku dhe që të mos ngrihet vazhdimisht çështja e anëtarësimit në aleancë në të ardhmen, sepse këto rreziqe lidhen me reagimin e Federatës Ruse”, tha zoti Zelenskiy në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Besoj se duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që e kemi zgjedhur”, shtoi udhëheqësi ukrainas.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se pret hapa konkretë nga Rusia për të shmangur konfliktin me Ukrainën, ndërsa shtoi se Gjermania dhe aleatët perëndimorë janë të gatshëm për dialog serioz me Rusinë mbi çështjen e sigurisë evropiane.

Udhëheqësi gjerman njoftoi një kredi të re prej 150 milionë eurosh për Ukrainën, ndërsa shtoi se Perëndimi është gati për vendosjen e sanksioneve të gjera dhe të efektshme, nëse Rusia shkel integritetin territorial të Ukrainës.

Vizita e zotit Scholz në Ukrainë është në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet e larta mes Kievit dhe Moskës, ndërsa zyrtarët perëndimorë të zbulimit paralajmërojnë se një sulm rus ndaj Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.

Të martën zoti Scholz ndalon në Moskë, ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Gjermania, sikur edhe disa vende tjera, u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen sa më parë nga Ukraina.

Qeveria ka refuzuar furnizimin me armë të Ukrainës dhe ka shmangur deklarimin konkret se cilat sanksione ndaj Rusisë do të mbështeste Gjermania. Pozicioni i paqartë gjerman ka ngjallur kritika brenda dhe jashtë vendit. Ekspertët thonë se veçanërisht gjatë vizitës në Moskë, është e rëndësishme që zoti Scholz të theksojë se Gjermania është në të njëjtën linjë me aleatët evropianë dhe amerikanë.

“Zoti Scholz duhet të përcjellë një mesazh të qartë në Moskë se aleanca perëndimore ka unitet. Moska duhet ta kuptojë se aleanca perëndimore nuk mund të përçahet”, thotë Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall.

Megjithë ngurrimin gjerman për të komentuar të ardhmen e gazsjellësit Nord Stream 2 në rast se Rusia pushton Ukrainën, ekspertët mendojnë se e ardhmja e furnizuesit me gaz natyror është nën rrezik.

Presidenti amerikan Joe Biden tha javën që shkoi se Nordstream 2 do të bllokohej në rast të sulmit rus.

Kjo do të dëmtonte ekonominë ruse, por gjithashtu do të shkaktonte probleme për furnizimin me gaz të Gjermanisë. Punimet e gazsjellësit kanë përfunduar, por ai ende nuk është vënë nën funksionim.

“Gjermania nuk ka shumë mjete për të ushtruar ndikim, përveç nëse thotë se nuk do të miratojë gazsjellësin Nord Stream 2. Gjermania është shumë e kufizuar. Vendi është zotuar për furnizim me gaz. Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, ne nuk kemi diversifikuar furnizimet tona me gaz dhe jemi zvarritur në tranzicionin energjetik. Pra ne kemi bërë shumë gabime dhe tani po pagujmë çmimin”, thotë Ckaudia Kemfert nga Instituti gjerman për Kërkime Ekonomike.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe ka kryer një seri manovrash ushtarake në rajon, por thotë se nuk ka plane për të pushtuar fqinjin e saj.

Moska kërkon garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të lejojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike në aleancën veri-perëndimore. Rusia gjithashtu kërkon që NATO të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë dhe tërheqjen e trupave të tyre nga Evropa Lindore. Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë refuzuar këto kërkesa./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

‘Sfidat’ që vajzat kërkojnë në shtrat, por nuk kanë guxim t’i thonë

Story i radhës

Histori seksi: Komshiu më … vazhdimisht, është i uritur për seks

Të fundit nga