Kamerun, nxënësit kthehen në shkollë pas 7 muajsh

Rrugët e Kamerunit të Afrikës Qendrore ishin plotë me fëmijë mëngjesin e sotëm, të cilët marshonin drejt shkollave të tyre shtatë muaj pasi ishin mbyllur për shkak të kufizimeve që kishin për qëllim të frenojnë përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Me maska në fytyrë dhe çanta në shpinë, nxënësit e çedheve, shkollave fillore dhe të mesme ishin plot entuziazëm për kthimin e tyre në shkollë pas një pauze të gjatë.

Kameruni njoftoi rihapjen e shkollave pas shtatë muajve, por nën udhëzime të rrepta të përgatitura nga një komitet ekspertësh.

Sipas Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Kameruni ka regjistruar 20.924 raste të koronavirusit, me 19.764 të shëruar dhe 420 vdekje.

Në një konferencë për media javën e kaluar, qeveria tha se është e pajisur mirë për vitin e ardhshëm shkollor, por u kërkoi prindërve të jenë të përgjegjshëm dhe të ndihmojnë fëmijët në respektimin e udhëzimeve të rrepta për të mbajtur larg pandeminë.

Ministri i Komunikimit, Rene Emmanuel Sadi njoftoi se institucionet e arsimit të lartë në vend po ashtu do të hapen më 15 tetor.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ntiabang Shaitou, nëna e një nxënëse të shkollës fillore tha se ajo ndjehet e lumtur për rihapjen e shkollave.

“Pushimet ishin shumë të gjata dhe të paqëndrueshme. Duket sikur asgjë nuk po ndodhte. Ishte e vështirë të krijosh një program mësimi për fëmijët dhe më pas t’i bësh ata t’i qëndrojnë atij programi”, tha ajo. 

Qeveria adreson shqetësimin e prindërve

Prindërit anembanë vendin më herët shprehën shqetësime për masat e sigurisë, por me udhëzimet e rrepta të vendosura ata ndihen të kënaqur. 

Shaitou tha se ajo fillimisht ishte e shqetësuar dhe se druante për sigurinë e fëmijëve.

“Por, tani unë jam mirënjohëse që në vendin tim situata nuk është aq alarmante sa në disa vende të Evropës. Fëmijët tanë kanë bërë testin për COVID-19 dhe janë negativ”, tha ajo.

Nëna e dy fëmijëve tha se shkollat kanë ndërmarrë hapat për t’u siguruar që të gjithë të fillojnë shkollën me një test negativ për COVID-19.

Megjithatë, ajo tha se prindërit janë në ankth mbi atë si do të jenë javët në vijim. 

Ministrja e Arsimit të Mesëm, Nalova Lyonga ka siguruar se qeveria ka marrë masa të mjaftueshme për të luftuar kundër përhapjes së pandemisë. Ajo tha se nxënësve do t’u jepen mësime mbi pandeminë çdo ditë si dhe udhëzime për t’u siguruar që ata të respektojnë masat kundër përhapjes së virusit, të tilla si mbajtja e maskave dhe masat e tjera parandaluese.

Bayiha Mahop Joshua, drejtor i shkollës së lartë “Oyack” në qytetin tregtar Douala tha se janë përgatitur për vitin e ri shkollor duke ndjekur udhëzimet e hierarkisë.

“Kemi pastruar të gjithë kampusin, do të respektojmë rregullin e 50 nxënësve për klasë”, tha Joshua.

Ai tha se ata po ashtu kanë rregulluar matjen e temperaturës së nxënësve dhe mësuesve në hyrje të shkollës.

Në muajin gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) u kërkuan qeverive afrikane të promovojnë rihapjen e sigurt të shkollave me masa për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.

“Shkollat kanë hapur rrugën e suksesit për shumë afrikanë. Ato po ashtu sigurojnë një strehë për shumë fëmijë në rrethana sfiduese për t’u zhvilluar dhe lulëzuar”, tha Matshidiso Moeti, drejtor rajonal i OBSH-së për Afrikën.



. .

Ngjarja paraprake

Nesër Qeveria vendos për hapjen e kufijve, Zaev: Nuk duhet të izolohemi nga rajoni

Ngjarja e ardhëshme

Ja sesi të ndryshoni aplikacionin kryesor të e-mailit në iPhone

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian