Kalın: Turqia dhe Azerbajxhani kanë marrëdhënie të veçantë

Zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın ka theksuar “marrëdhëniet shumë të veçanta” midis vendit të tij dhe Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë televizive mbrëmë vonë, duke iu referuar përplasjeve të vazhdueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Kalın tha se aktualisht ka një luftë për pushtet në Kaukazin e Jugut. Ai tha se të gjitha partitë në Turqi mbështesin Azerbajxhanin.

Duke refuzuar pretendimet nga pala armene që fajëson Turqinë për shkelje të armëpushimit, zyrtari i lartë turk tha se Turqia favorizon një zgjidhje diplomatike në rajon dhe theksoi rëndësinë që Armenia t’i japë fund pushtimit të saj në tokat azerbajxhanase.

Më tej, Kalın tha se nuk do të ishte e mundur t’i jepet fund konfliktit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë pa Grupin e Minskut që të paraqesë një plan veprimi me një kornizë të qartë dhe data.

Të shtunën e kaluar u shpall një armëpushim për shkëmbimin e të burgosurve dhe rikthimin e trupave nga të dy palët në Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Armëpushimi erdhi pas një takimi trepalësh, që u mbajt në Moskë të premten midis kryediplomatëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Pavarësisht armëpushimit, forcat armene filluan një sulm me raketa në qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit, në Ganja, zonë larg vijës së frontit, duke lënë të paktën 10 persona të vdekur dhe 35 të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë. 

“Rruga për diplomaci mbi çështjen e Mesdheut Lindor mbetet e hapur”

Duke komentuar tensionet e vazhdueshme në Mesdheun Lindor me Greqinë, Kalın tha se rruga për diplomaci mbetet e hapur.

Duke theksuar se veprimtaria e njoftuar së fundmi e anijes së shpimit “Oruç Reis” është në një zonë brenda ndarjes kontinentale të Turqisë, ai përsëriti se kërkesat e Greqisë në lidhje me Mesdheun Lindor janë “të padrejta”.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me rivendosjen e mundshme të lidhjeve midis Turqisë dhe Egjiptit, Kalın tha se “nëse Egjipti tregon një gatishmëri për të vepruar me një axhendë pozitive mbi çështjet rajonale Turqia nuk do ta linte atë pa përgjigje”.

Në muajin gusht, Turqia rifilloi kërkimin e energjisë në Mesdheun Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme të përcaktimit detar, duke shkelur gjestin e vullnetit të mirë të Turqisë në ndalimin e aktiviteteve të saj të kërkimit.

Duke deklaruar marrëveshjen greko-egjiptiane “të pavlefshme”, Turqia autorizoi anijen “Oruç Reis” të vazhdojë aktivitetet në një zonë brenda ndarjes kontinentale të Turqisë.

Turqia në vazhdimësi ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të deklaruar një zonë ekonomike ekskluzive të bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdheun Lindor.

Ankaraja po ashtu ka theksuar se burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) dhe administratës qipriote greke të Qipros Jugore.

Të hënën, Ministria turke e Punëve të Jashtme tha se përpjekjet e shtuara të anijes “Oruç Reis” në Mesdheun Lindor do të jenë brenda ndarjes kontinentale të Turqisë qindra kilometra larg kontinentit grek.

Ajo i kërkoi Greqisë të tërheqë kërkesat e saj maksimaliste, t’u japë fund stërvitjeve ushtarake që përshkallëzojnë tensionet rajonale dhe të vendosin një dialog të sinqertë përmes bisedimeve eksploruese.



. .

Ngjarja paraprake

​Trump: Biden do të shkatërrojë Amerikën, unë virusin

Ngjarja e ardhëshme

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 624 gjoba për mosmbajtjen e maskave

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian