Jill Biden infektohet me COVID, me “simptoma të lehta”, thotë Shtëpia e Bardhë

Zonja e parë Jill Biden është infektuar me COVID-19, duke shfaqur simptoma të ngjashme me gripin të hënën vonë në mbrëmje, tha Shtëpia e Bardhë të martën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha në një deklaratë, se zonja Biden “po përjeton vetëm simptoma të lehta” të koronavirusit dhe i është dhënë ilaçi Paxlovid. Zonja Biden rezultoi dy herë negative për COVID-19 në një test të shpejtë të antigjenit të hënën, por një test më i saktë , PCR, më vonë doli pozitiv.

Ilaçi Paxlovid është i njëjti trajtim që mori bashkëshorti i saj, presidenti Joe Biden, kur së fundmi u prek nga virusi dhe më pas pati edhe një rast të dytë infektimi.

Zonja e parë, 71-vjeçare, është vaksinuar dy herë kundër virusit dhe ka marrë dy herë vaksinën përforcuese.

Sipas udhëzimeve nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve të vendit, Jill Biden do të izolohet për të paktën pesë ditë dhe njerëzit që kanë qënë në kontakt të ngushtë me të janë njoftuar, tha Shtëpia e Bardhë.

Çifti Biden dhe familja e tyre kanë qënë me pushime ditët e fundit në një rezidencë pranë oqeanit Atlantik në Karolinën e Jugut në pronësi të një donatori të fushatës së Partisë Demokrate. Shtëpia e Bardhë tha se zonja Jill Biden do të kthehet në Uashington pasi të ketë bërë dy teste të njëpasnjëshme negative për COVID-in.

Presidenti Biden rezultoi negativ për COVID-in të martën në mëngjes në një test antigjeni, tha Shtëpia e Bardhë. Por duke qenë se ai është në kontakt të ngushtë me gruan e tij, Shtëpia e Bardhë tha se ai do të mbajë një maskë për 10 ditë kur të jetë në mjedise të mbyllura dhe në afërsi me të tjerët./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Horoskopi i Paolo Fox e mërkurë 17 gusht 2022: parashikimet shenjë për shenjë

Story i radhës

150 studentë te huaj , të interesuar për ta mësuar gjuhën shqipe

Të fundit nga