Jepni për nënën

Këto ditë, qeveria e Kosovës njoftoi themelimin e një fondi të posaçëm të sigurimit. Shumë mërgimtarë këtë njoftim e kanë mirëpritur dhe jam i sigurt se mërgata jonë bujare do t’i përgjigjet me një forcë të jashtëzakonshme. Historia jonë po përsëritet. Ky nuk është thjesht një njoftim për të grumbulluar fonde për qeverinë, por është kushtrim duke parë rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia. Një kushtrim të tillë e ka dhënë edhe Skënderbeu 5-6 shekuj më parë për rrezikun osman. Më 3 qershor 1917, atëherë  Kryetari i Vatrës, Fan Noli dha kushtrimin me vjershën  e famshme “Jepni për nënën”.

I mjerë është ai vend që kufizohet me shtete terroristë siç janë Serbia dhe Rusia. Këto dy mbeturina mesjetare të pajisura me armë moderne. Ju lutem mos e shihni këtë si fond i qeverisë Kurti, por si një thirrje “Atdheu na thërret”. Pra, nuk është lëmoshë, por kushtrim, dhe mos e shikoni në vija politike, por gjithëkombëtare. 

Shqiptarët e Amerikës janë diaspora më aktive e Shqiptarizmit në botë. Në këtë shtet sot për sot janë derdhur më tepër se një million shqiptarë nga të gjitha trojet tona. Amerika mbetet vendi më i preferuar i shqiptarëve jo vetëm pse këtu gjejnë punësim e liri, por këtu gjejnë hapësirë për veprimtari atdhetare që është arsyeja kryesore. Qysh në agim të historisë së shtetit të pavarur shqiptar, diaspora jonë këtu është e lidhur ngushtë me përpjekjet, vuajtjet, shpresat dhe fitoret kombëtare. Kjo diasporë përfaqëson një ngjarje monumentale shqiptare, përmes përpjekjeve të atdhetarëve për të siguruar mbijetesën e një kombi në një kohë të ndryshimeve të mëdha e të shpejta.

 Në maj të vitit 1913, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me garancinë e fuqive të mëdha. Në vjeshtë të atij viti, një komision ndërkombëtar u dërgua në Shqipëri për të caktuar kufijtë e shtetit të ri. Më 17 Dhjetor 1913 ky komision lëshoi raportin , i cili më vonë u nënshkrua në Firence të Italisë dhe njihet në histori si Protokolli i Firences. Me anë të këtij protokolli u caktuan kufijtë ashtu siç janë edhe sot, duke lënë jo vetëm Kosovën nën Serbi dhe Çamërinë nën Greqi me një popullësi shqiptare, por edhe Shkodrën nën sundimin e serbo-malazezëve dhe prefekturat e Korçës  dhe Gjirokastrës të zaptuara nga grekët. Edhe atë Shqipëri të vogël shqiptarët e shkretë nuk e gëzuan për shumë kohë. Më 1914 plasi Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria përsëri u zaptua nga fuqitë luftuese. Krahinat e Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme u zaptuan nga ushtritë austriake. Prefektura e Gjirokastrës  dhe ajo e Vlorës u zaptuan nga ushtria italiane, kurse ajo e Korçës u zaptua nga ushtria franceze. Shteti i sapokrijuar u shkatërrua. 

 Megjithë këtë katastrofë kombëtare Shqiptarët e Amerikës nuk i humbën shpresat. Fan Noli u kthye nga Evropa më 1915. Ai parashikonte rreziqe të mëdha  nga fqinjët italianë, serbë e grekë që synonin copëtimin e Shqipërisë. Noli, si kryetar i Vatrës, dha kushtrimin e rrezikut për të përballuar me kohë çdo të papritur. Vatra emëroi ambasadorë në kryeqytete të mëdha të Evropës dhe i mbante me shpenzimet e saj. Në Londër kishte Mehmet Konicën. Nga raportët e Konicës dhe burimeve të tjera dukej rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Pra, barra e rëndë për t’i dalë zot Shqipërisë i ra Federatës Vatra, të cilën nuk e cilësonte si barrë, por si detyrë të shenjtë karshi atdheut.

 Më 3 qershor 1917 Vatra vendosi të hapë një fushatë për shpëtimin e Shqipërisë. Kryetari i saj, Fan Noli dha kushtrimin me vjershën e famshme të shkruar nga ai vetë: 

                 “Jepni për Nënën”

 Ç’thot ajo e ve e gjorë,

 Mretëreshë pa kurorë,

 Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

 Shpirt e zemër përvëluar,

 Gjysmë e vdekur O Shqiptarë

 Nënës mos ia bëni Varrë!

 Mbahu Nëno mos kij frikë

 Se ke djemtë në Amerikë…

 Qanë lutet nënë e mjerë,

 Kërkon Vatrën edhe nderë

 Do lirinë dhe atdhenë,

 Siç e pat Skënderbenë.

 Bijtë e besës thërret pranë

 Kur i thirri dhe si vranë?

  Mbahu Nëno mos kij frikë

 Se ke djemtë në Amerikë

 Sa kërkon e sa të duhen?

 Burrat nga detyra s’druhen!

 Trim i mirë do të japë,

 S’kursen jetën as paratë

 Hidhni, hidhni tok dollarë

 Të mos mbeteni të sharë!

 Mbahu Nëno mos kij frikë

 Se ke djemtë në Amerikë,

 …….

 Armë e fishekë mblithni

 Për lirinë e vendit tonë,

 Sot se nesër është vonë

 Jepni, Nënën të shpëtoni,

 Komb e Vatra të nderoni

 Mbahu Nëno mos kij frikë

 Se ke djemtë në Amerikë

          Shqiptarët e Amerikës nuk pyetën kurrë se çfarë do të bënte vendi i tyre për ta, por pyetën se çfarë mund të bënin ata për atdheun e kombin.

“Ask Not what your country can do for you, ask what You can do for Your Contry?”

         Këtë shprehje e ka përdorur John Kennedy në ditën e inaugurimit të tij si president më 20 janar 1961, por paksa të përshtatur. Për të shuar një kureshtje, doja të shtoja se të gjithë mendojnë se këto fjalë kanë dalë për herë të parë nga goja e ish-presidentit amerikan John Kennedy. Kudo i atribuohet atij kjo kjo frazë. Por e vërteta qëndron ndryshe. I pari që ka thënë diçka të tillë është poeti amerikano-libanez, Khalil Gibran, autor i librit “The Prophet”, i cili jetoi nga viti 1883 deri më 1931. Gibran iu drejtua me një letër të hapur deputetëve të parlamentit libanez gjatë kohës kur kërkohej një veprim për shkëputjen  përfundimtare nga Perandoria Osmane. “A jeni politikanë që kërkoni se çfarë mund të bëjë vendi për ju apo jeni të zellshëm dhe pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj? Nëse jeni të parët, atëherë jeni parazitë, nëse jeni të  dytët, atëherë ju jeni një oaz në mes të shkretëtirës.” Kjo shprehje u huazua më pas nga Kennedy.

ReplyReply to allForward

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ekipi i ABC sjell pamjet nga Kievi: Marketet bosh, qytetarët po vuajnë për ushqime, rusët gjenden kudo

Story i radhës

Ky është negociatori ukrainas që u vra nga Shërbimi Sekret i Ukrainës

Të fundit nga