Ja sa është buxheti i vitit 2021/ Paratë që shkojnë për pagat, pensionet dhe…

Me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2021 bashkë me amendimet që i ishin bërë në komisionet parlamentare.

I ndikuar shumë nga goditja e fortë që i ka dhënë ekonomisë pandemia e COVID-19, buxheti i vitit 2021 vendos si prioritet pikërisht luftën ndaj virusit, duke bërë një rritje të konsiderueshme të fondit në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu, për vitin e ardhshëm fondi i Ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë, duke shkuar në total në rreth 70 miliardë lekë. Një pjesë goxha me peshë e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për kurimin e virusit COVID-19. Po ashtu, edhe bujqësia është një sektor që në buxhetin e vitit 2021 parashikohet të marrë një vëmendje të shtuar.

Rritja e buxhetit për këtë sektor pritet të jetë në 950 milionë lekë. Kjo shumë do të shkojë për skemën e rimbursimit të karburantit për fermerët, ndërsa një fond prej 200 milionë lekësh është planifikuar për investime në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet.

Ndryshe nga buxhetet e mëparshme, pesha e fondit që ka marrë Ministria e Infrastrukturës për projektet e saj ka qenë më e vogël, për shkak se disa zëra të tjera të buxhetit kanë marrë më shumë fonde. Në buxhet është parashikuar një fond prej 28 miliardë lekësh për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Krahas kësaj shume që përballohet nga buxheti i shtetit, është parashikuar dhe një fond prej 1.5 miliardë lekësh për përballimin e bonusit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha, të cilat nuk do të mund të futen në banesat e tyre brenda këtij viti, pasi procesi i rindërtimit të godinave do të vijojë edhe përgjatë 2021-shit. Në buxhet janë parashikuar që shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike të jenë në masën 91.87 miliardë lekë, ose 5.5% e PBB-së.

Ndërkohë, skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet të marrë një shumë deri në masën 144.6 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe, 8.6% e PBB-së. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar vlera prej 2.4 miliardë lekësh. Sakaq, për shtresën e ish-të përndjekurve është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh.

Ngjarja paraprake

Rusia shënon rekord të vdekjeve ditore nga COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

Nigeri, 2,5 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian