Më 29 korrik 1981, sytë e miliona anglezëve dhe jo vetëm, ishin të përqendruar te dasma e shekullit mes princit Charles dhe Diana Spencer.
Njëzetvjeçarja, e cila shumë shpejt u bë një nga figurat më të dashura të familjes mbretërore, mbarte mbi vete atë ditë jo vetëm peshën e një jete të re, por edhe presionin e të dukurit një princeshë e vërtetë.
Fustani i saj i bardhë, i plotësuar me një vello dantelle gati 7 metra e gjatë, vazhdon të komentohet edhe sot, por ajo që tërhoqi vëmendjen e të ftuarve dhe shtypit të kohës ishte kurora e lady Dianës, Spencer Tiara që më parë e kishin përdorur edhe dy motrat e saj.
Tiara Spencer është dizenjuar nga Garrard në vitet ’30, pjesa e saj qendrore në formë zemre ishte një dhuratë dasme për gjyshen e Dianës. Kurora prej ari të bardhë dhe diamanti, që daton në vitin 1919, është pjesë e koleksionit të familjes Spencer, por së shpejti do ta trashëgojë princesha Charlotte.
Duke qenë se ajo është më e madhja nga mbesat e Dianës (Lilibet është e dyta) kurora i takon asaj.
Për momentin ajo ruhet nga vëllai i vogël i Dianës, Earl Charles Spencer, i cili jeton në Althorp në pronën e familjes. Një burim ka zbuluar se William është shumë i lidhur me dajën e tij dhe kurora e së ëmës do t’i trashëgohet Charlotte një ditë.