Ismajli debuton te Spezia, eliminohen Benevento e Crotone, Verona “u falet” penalltive

Janë zhvilluar pasditen e sotme ndeshjet e vlefshme për fazën e 1/32-ave të Kupës së Italisë, ku në fushë kanë zbritur edhe disa nga ekipet e Serisë A, që e nisin angazhimin e tyre që në këtë raund.

Kështu gjithçka startoi me ndeshjen Torino-Lecce, e cila përfundoi në barazim 1-1 në kohën e rregullt dhe në shtesë ishte skuadra “granata” që siguroi kualifikimin pas një dopiete të sulmuesit Verdi. Nuk pati derbi shqiptar në fushë, pasi Ujkani e Vojvoda e ndoqën ndeshjen nga pankina, ndërsa Dermaku nuk ishte i gatshëm për këtë takim.

Kualifikim të vuajtur mori edhe Cagliari, që mposhti Cremonesen me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Farago rreth 20 minuta para fundit të ndeshjes, ndërsa trajneri Di Francesco kishte lënë në pankinë një pjesë të madhe të titullarëve.

Një sfidë mjaft interesante ishte edhe ajo mes Cittadellas dhe Spezias, e cila përfundoi 0-2 në favor të miqve, që siguruan kështu kualifikimin për në fazën e 1/16-ave. Elhan Kastrati ishte titullar në portë për Cittadellën, ndërsa te Spezia debutoi zyrtarisht edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismalji, i cili u aktivizua në minutën e 79’ dhe pak më vonë u ndëshkua edhe me një karton të verdhë.

Zhgënjeu Benevento e Filippo Inzaghit, që i dha lamtumirën Kupës së Italisë, pasi u mposht në shtëpi me rezultatin 2-4 nga Empoli, ndërsa Brescia mposhti 3-0 Perugian në një ndeshje ku ishte titullar dhe qëndroi për 65 minuta në fushë edhe Emanuele Ndoj. Avancuan më tej edhe Fiorentina e Genoa, të cilat fituan të dyja me rezultatin 2-1 përkatësisht përballë Padovës e Catanzaros, ndërsa Verona e Spal u kualifikuan falë penalltive përballë Venezias e Crotones.

Fitore bindëse arriti Parma, që avancoi më tej duke mposhtur 3-1 Pescarën, falë një dopiete të Karamoh dhe një goli të Adorante, por edhe Udinese, që triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Vicenzës.

Ngjarja paraprake

Bllokimi në galeri, banori flet nga miniera në Dibër: Po presim grupet e shpëtimit

Ngjarja e ardhëshme

Kënga hit e Whitney Houston,1 miliardë klikime në Youtube

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian