Ish-ministri i LSI në krah të Ramës për shkrirjen e partive të vogla: Parti të tilla, herët a vonë shuhen

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Rama se partitë e vogla janë grupe shantazhierësh e pengmarrësish që vijnë në parlament për të kapur një ministri.

Manjani shkruan se në të vërtetë Rama është një ndër politikanët që ka përfituar më shumë nga partitë e vogla.

Ish-ministri bie dakord në një pikë me Ramën për partitë e vogla, që ato duhet të shkrihen kur nuk kanë një kauzë për të cilën janë futu në politik. Mirëpo sipas Manjanit këtë duhet ta vendosin qytetarët me votën e tyre dhe jo Edi Rama e as ligji elektoral.

Postimi i plotë:

Edi Rama paska thënë këto ditë se:

“Partitë e vogla janë grupe shantazhierësh, partitë e vogla janë parti pengmarrësish që vijnë në parlament për të kapur një ministri dhe ta kthejnë pastaj në degë thesari të atij që ka vulën por fakti që kanë qenë të tilla deri sot nuk do të thotë që nuk pengohen”.

=================

Ndoshta po të ishte në startin e vet politik do kishte të drejtë. Nëse dikush që vjen nga jashtë politikës ftohet të lexojë ftohtë skenën e skemat politike të 30 viteve të fundit ashtu del, për fat të keq.

Edi Rama është politikani që ja ka pa hajrin partive të vogla më shumë se askush. Shihni dhe parlamentin e sotëm si provë flagrante të përdorimit të partive e grupimeve të vogla, pa ide e pa kauzë. Po i bëjnë gjëmën Republikës pa asnjë fije morali.

Mirëpo, demokratikisht partitë e vogla përfaqësojnë 20-30% të elektoratit. Ndaj minimalisht nuk mund të shpallet kjo sasi votuesish qokaxhinj e shantazhues. Për etikë dhe llogjikë demokratike kjo nuk shkon.

Nga ana tjetër partitë krijohen e mbeten në politikë për ide e kauza politike dhe jo për shtojca partish të mëdha, mundësisht në pushtet.

Partitë politike qëndrojnë në memorien e njerëzve për kauzat që luftojnë, për idetë që përçojnë dhe për programet që kërkojnë të zbatojnë

Mendimi im është që partitë kur humbin kauzën dhe idenë për të cilën janë themeluar, nuk janë më në politikë. Mund të jenë në bisnes, në NGO apo në sfera të tjera sociale por jo më në politikë.

Parti të tilla, herët a vonë shuhen. Ska hiç rëndësi sa e madhe apo e vogël është partia, po humbi kauzën mbaron së ekzistuari.

Në fakt partitë pa kauzë politike dhe pa identitet politik nuk mund të jenë më në politikë. Bie dakort me këtë llogjikë.

Por çështja është se këtë vendim e kanë në dorë votuesit jo ne që flasim. As Edi Rama e as ligji elektoral.

Sado që i shajnë, votuesit shqiptarë të japin ujë në bisht të lugës. Këtë gjë kanë bërë në çdo palë zgjedhje. Kush do e di të lexojë rezultatet e zgjedhjeve në vite, e kupton mençurinë e elektoratit.

Ngjarja paraprake

Kosova ende pa vaksina kundër gripit sezonal

Ngjarja e ardhëshme

A ka ndodhë që pas shkurorëzimit, të ndodh kurorëzimi?

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian