Ish-deputetja e PDK-së flet për krizën në Ukrainë, tregon nëse do ta prek Kosovën – ka një porosi për partitë politike

Kosova nuk po e kalon periudhën më të mirë të saj, kjo sepse situata politike po mbetet e tensionuar dhe e ndikuar gjithashtu nga kriza e luftës, që e ka përfshirë Ukrainën.

Në lidhje me situatën në vend dhe ngjarjet e fundit në vend, për “Bota sot”, ka folur në një intervistë ekskluzive ish-deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Deputetja u shpreh se situata politike në vend mbetet e mangët, sepse vendi ende nuk ka liberalizim të vizave dhe pa një marrëveshje finale me Serbinë.

Pasi Izmaku vjen nga qyteti i Vushtrrisë, padyshim që biseda për qeverisjen tashmë të kryetarit Idrizi nuk mbet pa u prekur.

Sipas deputetes, komuna e Vushtrrisë ka pasur nevojë për një qeverisje të kryetarit Idrizi, kjo vërehet edhe tek përzgjedhja e udhëheqësve që ka inkuadruar shumë gra.

Duke vazhduar bisedën Izmaku u pyet në lidhje me qeverisjen e Kurtitgjatë një viti, kohëqë sipas saj ka mungesa në politikën e jashtme.

Ndërsa, për krizën Ukrainë dhe Rusi, deputetja thotë që do të reflektojë në gjithë botën pasi do të kemi shtrenjtime në të gjitha produktet, mirëpo për siguri të Kosovës derisa kemi partner SHBA-në nuk mund të rrezikohemi nga Serbia.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike në vend?

Xhevahire Izmaku: Ambiciet për të jetuar në një vend normal, që e ka një gjendje të mirë ekonomike, një jetë të pasur kulturore e një ajër të pastër, i kemi secili nga ne si qytetarë! Situata politike nuk është më e dëshiruara! Ende pa liberalizim, ngritja e çmimit të rrymës, ngritja e çmimeve të përgjithshme ua ka vështirësuar jetën qytetarëve! Kosova ende pa një marrëveshje finale me Serbinë dhe njohjen e shtetësisë tonë, sigurisht që po bëhet pengesë për shumë aktivitete në marrëdhëniet tona ndërkombëtare dhe asociimi në organizata ndërkombëtare! Na duhet unifikim më i madh i të gjitha forcave politike!

“Bota sot”: Cilat mendoni se janë ndryshimet që u realizuan pas zgjedhjeve lokale?

Izmaku: Pas zgjedhjeve lokale është ende herët të flitet për zhvillime e vlerësime! Një element i mirë që ka ndodhur është që s’ka më vija të kuqe të koalicioneve dhe bashkëpunimi është një element shpresëdhënës që pushteti lokal do ta ketë një zhvillim pozitiv!

“Bota sot”: Tashmë po bëhet një vit që kur Albin Kurti mori udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, si e shihni ju punën përgjatë kësaj periudhe?

Izmaku: Punën e Qeverisë brenda vitit, përgjithësisht unë e kam menduar që do të ketë një dinamikë shumë më të dukshme, për shkak se subjekti në fjalë si fitues absolut i zgjedhjeve, ka pasur kohë të përfitoj nga gabimet në të kaluarën dhe nevojën e qytetarëve! Premtimet e dhëna dhe puna në praktikë ende ka shumë vend për t’u materializuar! Veçanërisht unë e kam ndje mungesën e koordinimit në politikat e jashtme! Do ta vlerësoja punën e ministrit të Mbrojtjes dhe Financave! Duket më shumë perfomancë pozitive tek këta të dy, e për sektorët tjerë ka ende vend për vlerësime!

“Bota sot”: Sa është e zëshme opozita në raport me monitorimin e punës së Qeverisë?

Izmaku: Opozita në disa raste ka qenë konstruktive ndoshta më shumë sesa është dashur, sepse përballë një mazhorance të fuqishme, mendoj që duhet edhe opozitarizëm i fuqishëm me alternativa konkrete!

“Bota sot”: A duhet të marr pjesë opozita në protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike apo mjafton që kjo gjë të kundërshtohet në Kuvend?

Izmaku: Opozita në tri grupet ka deputetë shumë aktiv dhe me ide konkrete, por brenda grupeve parlamentare duket që s’ka koordinim, secili deputet e ka gjetur një rrugë të veten që e shpreh opozitarizmin e mirëfilltë!

“Bota sot”: Si i vlerësoni ndryshimet që po bëhen në transmetuesin publik, duke qenë se keni ndjekur për së afërmi punën e këtij institucioni?

Izmaku: Unë realisht nuk e di se si ka ecur përzgjedhja e anëtarëve të bordit, por në bazë të disa informatave që kanë rrjedhur përmes mediave dhe rrjeteve sociale, ka pas kandidat shumë të mirë që janë anashkaluar p.sh. Vlorë Konushefci! Një grua intelektuale, një shkrimtare, e cila është e ambientuar shumë me punën e mediave e kulturës, ka qenë shumë e çuditshme mos votimi as për të arritur në Kuvend! Pjesa tjetër e anëtarëve të bordit nuk e kam si informacion që ka vërejtje në kualitet! Tani kemi përzgjedhjen e drejtorit të ri dhe të gjithë jemi në pritje se, a do të ketë një përzgjedhje profesionale apo avazi do të jetë i njëjtë do të kemi drejtor me standarde politike qëështë afër me pushtetin! Brenda në RTK ka shumë njerëz profesionist që e duan dhe e njohin punën e televizionit! Nëse do të zbehet kjo ngarkesa e madhe politike dhe presioni ndaj tyre, mund të bëhet një punë shumë e mirë! Kosova ka ende nevojë të ketë transmetues të fuqishëm publik!

“Bota sot”: Ju ishit për një kohë të gjatë deputete e PDK-së, cilat janë arsyet që u larguat nga kjo parti?

Izmaku: Arsyet e largimit tim tanimë janë temë e konsumuar! Mbetem krenare me punën që kam bërë brenda mandatit si deputete dhe aktivitetin brenda partisë! Do të vazhdoj të jap kontributin në politikat publike në çdo formë të mundshme veçanërisht në çështjet e pushtetit lokal dhe fushës së medias!

“Bota sot”: Znj. Izmaku, tashmë Komunën e Vushtrrisë është duke e qeverisur kryetari i PDK-së, FeritIdrizi. A mendoni që do të sjellë ndryshimet e duhura në qytet?

Izmaku: Absolutisht e besoj që kryetari i ri në Vushtrri do të sjell shumë novacione dhe frymë pozitive! Së pari ai e ka vullnetin dhe e besoj shumë edhe lidershipin në frymën që ai e ka poseduar gjithmonë, bashkëpunimin me të gjithë pa dallime politike as natyrave të tjera!

“Bota sot”: Ju jeni edhe mike e z.Idrizit, cilat kanë qenë sugjerimet e para që ia thatë?

Izmaku: Sugjerimet e mia nuk janë të reja! Unë kam qenë ndër njerëzit e parë në parti që kam lobuar emrin e tij për kandidat dhe shumë kohë më parë e kishim bërë shumë plane për projekte e ndryshime në mentalitetin e qeverisjes! Jam e lumtur që ai ka përzgjedhur si udhëheqëse shumë gra e vajza dhe ky është ndryshimi i madh që ai ka bërë edhe si kryetar edhe si parti!

“Bota sot”: Një temë tashmë aktuale në vend është kriza Ukrainë-Rusi. A është e rrezikuar Kosova nga kjo situatë?

Izmaku: Kriza Ukrainë-Rusi do të ketë efekt botëror e padyshim që ka me reflektu edhe në Kosovë e rajon! Duke u nisur nga ekonomia shtrenjtimi i derivateve, shpërfaqja e ambicieveseperatiste serbe në veri të vendit etj.! Por, duke pasur partner Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne s’kemi pse shqetësohemi në aspektin e sigurisë! Fatkeqësisht, Rusia nuk njihet për tjera politika në botë përveç tentimit të ushtrimit të forcës ushtarake e autoritarizmit!

“Bota sot”: Në fund do të doja t’ju pyes si e shihni menaxhimin e situatës pandemike në vend? A po arrin Kosova ta mbajë në kontroll situatën?

Izmaku: Situata me pandemi po duket që po afrohet drejt fundit! Menaxhimi ka qene relativ! Vlen të theksohet përpjekja titanike e stafit mjekësor! Besoj që si shoqëri u kemi borxh të madh mjekëve e infermierëve sepse në këtë periudhë, kanë qenë njerëzit më të rrezikuar dhe kanë punuar pa ndal!

Unë jam optimiste për të ardhmen e vendit! Do të doja më shumë unitet në politikat që janë me interes nacional dhe këtu duhet me pas rol sa më afrues që nga Presidenca, qeveria e deri në partitë politike!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Amerika ndërmerr hapa për sigurimin e mineraleve thelbësore

Story i radhës

Tanket ruse dhe dy batalione ndodhen në Ukrainë, CNN publikon detajet e fundit

Të fundit nga