Ish-deputeti i akuzuar për mashtrim me viza: Ata që e kanë fillu këtë akuzë ndaj meje janë Hashim Thaçi, Aleksandër Lumezi dhe Afrim Shefkiu

Ish-deputeti i akuzuar për mashtrim me viza, ka thënë se ka prova që vërtetojnë se akuzën ndaj tij e kishte filluar ish-presidenti Hashim Thaçi, kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe prokurori special Afrim Shefkiu.

Ai këtë deklarim e ka dhënë në gjykimin ndaj tij dhe të akuzuarve I.K dhe E.K., të cilët po ngarkohen me veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam përgjime telefonike ndaj atyre që e kanë fillu këtë aktakuzë, ndaj Hashim Thaçit, Aleksandër Lumezit dhe Afrim Shefkiut. Këtij prokurorit (duke iu referuar prokurorit Atdhe Dema) ia kanë lënë këmbët e arushës në dorë”, ka thënë i akuzuari M.Z.

Për këtë arsye, ai ka thënë se po etiketohet si “mashtrues i vizave”, “mashtrues i 900 personave”, e që sipas të akuzuarit M.Z., këto etiketime e kishin vrarë moralisht.

“Për mua, prej që kam lind më ka dënuar regjimi i Titos, Millosheviqi ma ka vrarë familjen, por kërkush nuk më ka vra moralisht se sa akterët e kësaj aktakuze të turpshme për të cilat kam dëshmi”, ka thënë i akuzuari M.Z.

Dhënia e mbrojtjes së tij është ende duke vazhduar.

Prishtinë – I akuzuari I.K., gjatë dhënies së mbrojtjes ka thënë se nuk mbetet pranë deklaratës së dhënë në prokurori, pasi sipas tij avokatët Ramë Dreshaj dhe Sabit Maliqi ishin dakorduar me prokurorin special Afrim Shefkiu, se si të deklarohet në prokurori.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin për mashtrim me viza ndaj tij, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, M.Z dhe të akuzuarit E.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk mbes as pranë deklaratës së dhënë në prokurori, pasi avokatët e mi Ramë Dreshaj dhe Sabit Maliqi para se me hy me dhënë deklaratë në prokurori, më kanë thënë ti duhesh me pranu diçka, duhesh me thanë që me M.Z., i keni ndarë paratë proporcionalisht, që veturën e kam ble prej këtyre parave dhe se një pjesë të lokalit e kam paguar prej këtyre parave”, ka thënë i akuzuari I.K.

Sipas tij, kur kishin hyrë për të dhënë deklaratë në zyrën e prokurorit special Afrim Shefkiu, ish-mbrojtësi i tij, avokati Ramë Dreshaj i kishte thënë prokurorit Shefkiu se ai nuk pranon të deklarojë ashtu siç ishin dakorduar avokati dhe prokurori.

“Ramë Dreshaj i tha prokurorit se nuk po pranon prokuror ashtu siç i patëm fjalët me deklaru zotëri K, katër orë kam qëndru në prokurorinë speciale, përmbi tri orë në korridor më kanë qitë dy avokatët derisa më kanë bind, Sabit Maliqi më tha që nëse ngritet aktakuza e hyn në burg për këtë deklaratë, unë kam me të garantu me jetën time, edhe atëherë qysh ka thanë avokati unë jam përgjigj. Për këtë arsye nuk qëndroj prapa deklaratës së dhënë para prokurorit special”, ka thënë i akuzuari I.K.

Ai ka thënë se avokatin Ramë Dreshaj e kishte paguar 5 mijë euro, ndërsa avokatin Sabit Maliqi 15 mijë euro.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili se a është i vërtetë për këtë deklaratë, i akuzuari I,K, ka thënë se është në gjendje të ballafaqohet me avokatin Ramë Dreshaj.

“Jam në gjendje me u ballafaqu me Ramë Dreshajn, ma fyerje se për mua që 5 vjet me më nda prej fëmijëve të mi, me ma denigru familjen para gjithë opinionit a ka më rëndë për mua, i qëndroj prapa kësaj deklarate… Pasha Zotin po të bëj be, që në Zot e fëmijë po të bëj be që këto fjalë prej Ramë Dreshajt i kam thënë”, ka thënë i akuzuari I.K.

Tutje, i akuzuari I.K., ka deklaruar se nuk mbetet as pranë deklaratës së dhënë në polici, e cila sipas tij është dhënë pas torturës psiqike nga ana e hetuesit policor.

“Ditën kur jam intervistuar në polici, prej orës 9:00 në mëngjes jam paraqitur në stacion policor në qendër para hetuesit Avni Namani, kam pasur torturë psiqike dhe kam pritur 2 orë derisa ka ardhë avokati, i cili ka ardhë pas insistimit tim 50 herë pasi kam thënë se nuk flas pa qenë avokati ktu”, ka thënë i akuzuari.

Ai në këtë seancë ka thënë se kompaninë “I.K & M.Z Op”, e kishte themeluar së bashku me të akuzuarin M.Z, nga e cila kompani ka deklaru se nuk kishin pasur fitim as ai e as i akuzuari M.Z, pasi sipas tij, vetëm shpenzime kishin pasur.

Të gjitha mjetet nga aplikantët për pajisje me viza, i akuzuari I.K., ka thënë se ishin përdorur në Gjermani për përgatitjen e dokumentacionit për pajisje me viza pune, prandaj sipas tij, nuk kishte ka deklarime në ATK.

Paratë që i kishin marrë nga aplikantët për pajisje me vizë pune në Gjermani, i akuzuari ka thënë se ishin pranuar kesh nga zyrtarja e kompanisë e cila ia kishte dorëzuar atij, të cilat para sipas të akuzuarit kishin shërbyer për rregullimin e dokumentacionit në Gjermani, ndërsa të akuzuarit M.Z ka thënë se nuk i kishte dhënë para.

Ai e ka mohuar në tërësi akuzën e cila i vihet në barrë se ka mashtruar mbi 900 qytetarë për t’i pajisur me viza pune, pasi sipas të akuzuarit, vetëm 13 persona të cilët edhe kishin dhënë dëshmi në gjykatë nuk iu ishin kthyer paratë, dhe krejt kjo për shkak që atij i ishin bllokuar llogaritë për shkak të këtij procesi gjyqësor.

“13 vetave të cilët kanë dëshmu në gjykatë për shkak se i kam llogaritë e bllokuara, këtyre iu kam borxh gjithë, për 13 veta në momentin që të më lirohen llogaritë ua kthej këtë shumë, pjesës tjetër të cilët nuk janë pajisur me leje pune ua kam kthyer paratë, i kam shënimet të gjitha me nënshkrim që iu kanë kthyer mjetet, për vizë nuk iu kemi garantuar askujt, edhe atyre që iu ka ardhë leja e punës e prej ambasadës iu ka refuzu, ne ua kemi kthyer të gjithëve në përjashtim të 13 personave”, ka thënë i akuzuari I.K.

Ai gjykatës i ka dorëzuar edhe disa prova të cilat sipas të akuzuarit dëshmojnë se disa personave u janë kthyer paratë.

Sipas tij, qëllimi i tij për bashkëpunimin me të akuzuarin M.Z., ka qenë punësimi i aplikantëve në Gjermani, ndërsa qëllimi i të akuzuarit M.Z., formimi i një televizioni medial në Kosovë.

“Vuaj prej kësaj tragjedie që m’ka ndodhë mua, unë nuk e di pse më ndodhë mua kjo, janë 13 veta që ndjej keqardhje dhe dhimbje për ta, të cilët i kam dëgjuar edhe këtu, të vetmit ata janë që nuk i kanë marrë të hollat”, shtoi ai.

I akuzuari I.K tha se janë rreth 25-27 persona që janë pajisur me viza pune.

“Nga aplikantët që janë pajisur me leje pune dhe kanë marrë viza pune janë rreth 25-27 persona dhe nga ta kemi marrë nga 1 mijë e 50 euro, por në këtë 1 mijë e 50, e kanë pasur biletën e aeroplanit, akomodimin nëpër banesa”, ka thënë i akuzuari I.K.

Ai ka thënë se as ai e as i akuzuari M.Z., nuk kishin përfituar nga aplikantët për pajisje me viza pune në Gjermani, pasi sipas tij, ata vetëm ishin shkatërruar nga ky proces.

I njëjti këtë mbrojtje e kishte nisur në seancën e 31 janarit 2022, në të cilën kishte deklaruar se pagesa për shërbimet administrative ka qenë 50 euro për secilin aplikant, dhe me çdo aplikant, i akuzuari tha se kishin nënshkruar një marrëveshje me të cilët kishin nënshkruar kontratë të punës, në të cilën marrëveshje i akuzuari tha se theksohet se aplikanti ka paguar shumën prej 500 euro për marrjen e kontratës së punës dhe se në rast të refuzimit të vizës nga ana e ambasadës ose mosdhënia e lejes së punës nga enti i punësimit në Gjermani, kjo shumë prej 500 euro i kthehet personit.

I pyetur se a është në dijeni se sa persona kanë nënshkruar kontratë të punës, i akuzuari ka thënë se 143 aplikantë iu janë bërë viza të punës, prej të cilëve 27 kishin shkuar në Gjermani, 24 apo 25 kishin qenë në procedurë në ambasade, afër 89-90 iu kishte refuzuar dhe iu ishin kthyer mjetet.

Seanca është duke vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari M.Z.

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z. dhe E.K. kanë kryer disa vepra penale.

I.K. dhe M.Z. akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z. Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K. dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

Me këtë, I.K. dhe M.Z. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K. akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z. dhe E.K. akuzohen edhe për veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z. akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tekstilet e këpucët në Shqipëri ‘mbyten’ nga kërkesat për punë nga Dolce Gabbana, Zara, Polo

Story i radhës

ASH reagon ndaj videos së Ali Ahmetit: Arushat e mbrojtura të Gruevskit dhe LSDM-së, shtiren si viktima

Të fundit nga