Irani shënon përvjetorin e parë të vrasjes së kryekomandantit Soleimani

Në kryeqytetin Iranit, Teheran, me një tubim masiv është përkujtuar njëvjetori i vrasjes së kryekomandantit ushtarak iranian, Qassem Soleimani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ngjarjen e organizuar në Universitetin e Teheranit folën zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë, si dhe përfaqësues të shumë vendeve në rajon.

Shefi i gjyqësorit iranian dhe ish-kandidat presidencial, Ebrahim Raeesi, përsëriti thirrjet për t’u hakmarrë për vrasjen e ish-shefit të Forcës Quds, i cili u vra me një dron amerikan në Bagdad më 3 janar të vitit 2020.

Raeesi tha se “hakmarrja e ashpër” i pret “autorët e krimit”, të cilët siç tha ai, “do të përcaktohen nga forcat e rezistencës”, duke iu referuar Trupave të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe grupeve të mbështetura nga Irani në rajon.

Ai tha se presidenti në largim i SHBA-ve, Donald Trump, nuk duhet ta konsiderojë veten imun ndaj ndëshkimit, duke pohuar se “autorët e krimit nuk do të jenë të sigurt askund në botë”.

Pasuesi i ish-kryekomandantit Soleimani dhe shef i tanishëm i Forcave Quds, Esmaeil Qaani, po ashtu foli në tubim, duke theksuar se komandanti i vrarë i IRGC-së mund të hakmerret nga “njerëzit brenda SHBA-ve”.

Nga ana e tij, shefi i IRGC-së, Hossein Salami, duke iu referuar përshkallëzimit të fundit të tensioneve me SHBA-të në rajonin e Gjirit, tha se vendi i tij është “i gatshëm për çdo eventualitet”.

Të mërkurën, SHBA për herë të dytë në dhjetor fluturoi me dy bombardues strategjikë mbi Gjirin Persik, në një lëvizje që ekspertët e konsiderojnë se ka për qëllim të dekurajojë Iranin nga sulmi i forcave amerikane në rajon.

Mes shqetësimeve se Irani ose aleatët e tij po planifikonin sulme ndaj instalimeve amerikane në Irak, të mërkurën presidenti Trump tha se ka “diskutime” për më shumë sulme kundër amerikanëve në Irak, duke paralajmëruar se për ato do të llogaritej përgjegjës Irani.

Në përgjigje, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, të enjten tha se raportet e “inteligjencës” nga Iraku treguan “një komplot për të sajuar pretekst për luftë”.

Pas vrasjes së Soleimani-t vitin e kaluar, Irani dhe SHBA për shkurt kohë erdhën në prag të konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak, megjithëse kjo u shmang përfundimisht.

Të enjten, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e quajti vrasjen e Soleimani-t një “krim të pafalshëm” dhe tha se hakmarrja do të merret në një kohë të përshtatshme.

Në përkujtimin e sotëm të vrasjes së komandantit të IRGC-së në Teheran u adresuan edhe përfaqësues të aleatëve iranianë në rajon, Hezbollahu i Libanit, Hashd al-Shaabi i Irakut dhe regjimi sirian.

Ndërkohë, sot një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se SHBA me vrasjen e Soleimani-t ka “shkelur ligjin ndërkombëtar dhe statutin e OKB-së në shkelje të qartë të sovranitetit të Irakut”.

“Irani nuk do të dorëzohet derisa autoritetet të sjellin këtë veprim para drejtësisë”, tha deklarata.



. .

Ngjarja paraprake

Do të vijë një ditë kur Messi s’do të jetë më rrotull

Ngjarja e ardhëshme

80 raste me Covid-19 brenda 24 orëve në Prishtinë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian