Irani njofton OKB-në mbi planet për rritjen e nivelit të prodhimit të uraniumit të pasuruar

OKB-ja njoftoi të premten se Irani i ka thënë agjencisë së saj për Energjinë Bërthamore se planifikon të pasurojë uranium të pastër deri në 20% , një nivel që e arriti para marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, në centralin e saj nëntokësor Fordow.

Ky është një nga veprimet e fundit të Iranit për të cilin është njoftuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike se Teherani planifikon të shkelë më tej marrëveshjen, gjë që nisi ta bënte që në vitin 2019 në shenjë hakmarrje për tërheqjen e Uashingtonit nga marrëveshja dhe rivendosjen e sanksioneve amerikane kundër Teheranit.

Ky ishte një nga hapat e shumtë të përmendur në një ligj të miratuar nga parlamenti i Iranit muajin e kaluar në përgjigje të vrasjes së shkencëtarit më të lartë bërthamor të vendit, për të cilin Teherani ka fajësuar Izraelin. Lëvizje të tilla nga Irani mund të ndërlikojnë përpjekjet e Presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden për të rikthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Teheranin.

“Irani ka informuar agjencinë se në përputhje me një akt ligjor të miratuar së fundmi nga parlamenti i vendit, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit synon të prodhojë uranium me nivel të ulët pasurimi deri në masën 20 për qind në Uzinën e Pasurimit të Karburanteve Fordow”, thuhet në një deklaratë të Agjencisë së Energjisë Atomike të OKB-së.

Një raport i agjencisë bërthamore të OKB-së për vendet anëtare, i siguruar më parë të premten nga agjencia e lajmeve Reuters, përdori formulime të ngjashme në përshkrimin e një letre nga Irani të datës31 dhjetor.

“Letra e Iranit për Agjencinë … nuk thotë se kur do të zhvillohej ky aktivitet pasurimi”, thuhet në deklaratën e agjencisë bërthamore të OKB-së.

Centrali Fordow u ndërtua brenda një mali, me sa duket për ta mbrojtur atë nga bombardimet ajrore. Marrëveshja e vitit 2015 nuk lejon pasurimin e uraniumit atje. Irani tashmë po pasuron në Fordow me centrifuga të gjeneratës së parë IR-1.

Irani ka shkelur tashmë kufirin 3.67% të uraniumit të pasuruar të përcaktuar në marrëveshjen bërthamore, por autoritetet në Teheran thonë se deri më tani ata kanë arritur deri në nivelin 4.5% të pasurimit të uraniumin, shumë më pak se 20% që arriti para marrëveshjes dhe 90% të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes ishte të zgjaste kohën që Iranit do t’i duhej të prodhonte materiale të mjaftueshme për prodhimin e një bombe bërthamore, nëse do të vendoste ta bënte një gjë të tillë, në të paktën një vit nga afërsisht dy deri në tre muaj. Pjesë e marrëveshjes bërthamore ishte edhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit.

Agjencitë amerikane të zbulimit dhe Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike besojnë se Irani kishte një program të fshehtë dhe të koordinuar të armëve bërthamore të cilin e ndali në vitin 2003. Irani mohon të ketë patur program të armëve bërthamore./VOA

Ngjarja paraprake

Real Madrid ka buxhet afër 300 milionë euro më pak se sa kishte planifikuar

Ngjarja e ardhëshme

Lactodefence, suplementi anti Covid/ Ndodhet në të gjitha farmacitë e vendit në Shqipëri

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian