Intelektualët bullgarë kundër memorandumit të Sofjes, Zaev nuk pret bllokadë nga Bullgaria

Shkup, 6 tetor 2020 (MIA) – Tridhjetë historianë, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike bullgare kanë lëshuar letër të përbashkët për opinionin kundër memorandumit të dërguar nga Sofja për vendet anëtare të BE-së, duke përshkruar akuza serioze dhe vija të kuqe gjatë rrugës së Shkupit drejt BE-së.

Në letrën “Evropa nuk na kupton”, transmetuar nga “mediapool.bg”, ata këmbëngulin në “ndryshim thelbësor të paradigmës në të menduarit historik” dhe shkruajnë se nuk pajtohen që “Maqedonia e Veriut të paraqitet vetëm si vend që nuk merret me të kaluarën e vet”. Sipas tyre, Sofja demonstron kuptime të vjetërsuara dhe bën pretendime të paqëndrueshme dhe naive kundër Maqedonisë të Veriut.

Nënshkruesit e letrës së përbashkët besojnë se memorandumi nuk pasqyron arritjet e shumë historianëve bullgarë në dekadat e fundit dhe është i pakuptueshëm edhe për Evropën.

“Ne nuk e shohim se si Evropa mund t’i kuptojë tezat e disa studiuesve bullgarë me ndikim institucional, të cilët nuk flasin gjuhën e historiografisë moderne ose shkencave bashkëkohore humane dhe shoqërore. Memorandumi nuk pasqyron parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, thuhet në letër. Rikujtojnë se kohët e fundit bashkëkrysuesi i Komisionit të përbashkët  të ekspertëve multidisiplinar bullgaro-maqedonas për Çështje Historike dhe Edukative, Angel Dimitrov, deklaroi se memorandumi bullgar pasqyron arritjet e “shkencës historike bullgare”, ndërsa disa ditë më parë, anëtari i Komisionit të lartpërmendur u ankua tek mediat bullgare që “Evropa nuk na kupton”.

Mbështetësit e qëndrimit kundër memorandumit nuk pajtohen që Maqedonia e Veriut duhet të paraqitet si vend që nuk “merret me të kaluarën e vet”.

Ata gjithashtu konsiderojnë se pretendimet në memorandum për identitetin e “shumicës dërrmuese të popullsisë sllave në Maqedoni” janë historikisht naive dhe nuk korrespondojnë me arritjet e historiografisë moderne, shkencës sociale dhe humanitare. Sipas tyre, këto pretendime i nënshtrohen kuptimit të vjetruar të “historisë kombëtare”, e cila sot është e papërshtatshme në lidhje me shkencën kritike historike.

“Ne jemi të vetëdijshëm se të gjitha gjuhët e standardizuara në një farë kuptimi janë artificiale aq sa norma letrare gjithmonë ndërhynë në dialektet e folura dhe përcakton se cilat elemente të tyre janë “të sakta” dhe cilat “të pasakta”. Për ne, pretendimet për datën e lindjes së një kombi dhe gjuhe janë të pambështetura shkencërisht dhe janë në kundërshtim me arritjet e shkencës historike si dhe shkencave shoqërore dhe humane në përgjithësi. Megjithëse e pranojmë konceptin e “historisë së përbashkët”, ne kundërshtojmë interpretimet e saj elementar si dhe përdorimin e saj për të imponuar rrëfim të vetëm – në këtë rast, historinë zyrtare të së kaluarës së Bullgarisë”, nënvizojnë intelektualët bullgarë.

Ata theksojnë se pretendimi i historisë së përbashkët deri në vitin 1944 i interpretuar në mënyrë të njëanshme si bullgare, është jo bindës. Ata besojnë se koncepte të tilla si “historia e përbashkët” dhe “historia e ndërthurur” mund të pasurojnë mirëkuptimin e ndërsjellë të së kaluarës.

“Numri i viktimave të regjimit komunist jugosllav në Maqedoni është veçanërisht qesharak në memorandum. Ai tejkalon të gjithë parametrat e arsyeshëm dhe komprometon këmbënguljen e bazuar nga ana e Bullgarisë për t’iu përmbajtur fakteve dhe dokumenteve. Ne besojmë se është i nevojshëm ndryshim thelbësor në paradigmën e mendimit historik dhe për ta arritur atë, është koha të hapim dhe mediat bullgare”, konkludojnë tridhjetë historianë, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike bullgare në letrën e përbashkët duke shprehur kundërshtimin e tyre mbi memorandumin me të cilin Bullgaria kushtëzon fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë të Veriut me BE-në.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se nuk pret që Bullgaria ta pengojë fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Edhe një herë përsëriti se çështjet e identitetit, gjuha maqedonase, populli maqedonas, janë e drejtë e vetëpërcaktimit, që nuk mund të kontestohen.

“Edhe një herë them – çështjet e identitetit, gjuha maqedonase, populli maqedonas janë e drejtë e vetëpërcaktimit. Bullgaria është vend evropian dhe besoj që në vet bisedat, në dokumentet është për shkak të përpjekjeve të tyre, ambicjeve dhe dëshirave të arsyeshme që të gjendet zgjidhje e përbashkët të nderimit të përbashkët të Goce Dellçevit. Assesi nuk pres të kemi pengesa në atë pjesë, për shkak të asaj definitivisht nga fillimi e deri sot Bullgaria është një nga përkrahëlsit më të mëdhenj, nëse jo edhe më i madhi, i Republikës së Maqedonisë së Veriut në integrimet në BE. Populli bullgar dëshiron t’i ndihmojë popullit maqedonas, populli maqedonas dëshiron që në mënyrë miqësore të përcaktohet drejt popullit bullgar dhe ashtu do të lëvizin edhe vetë politikanët ose intitucionet, në përputhje me dëshirën për miqësi dhe bashkëpunim edhe më të madh”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në shënimin e mbrëmshëm të Ditës botërore të arsimtarëve në sheshin “Maqedonia” në Shkup.

Ndërkohë, bashkëkryetari i Komisionit të përbashkët maqedonas-bullgar për çështjet historike dhe arsimore nga pala maqedonase, Dragi Gjorgiev, javën e kaluar konfirmoi se takim i ri i Komisionit është planifikuar për më 15 dhe 16 tetor të këtij muaji në Shkup. Takimi pason pas ndërprerje prej një viti, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vendin tonë, të planifikuara fillimisht për më 12 prill, dhe më pas u zgjat deri më 15 Korrik, për shkak të pandemisë me Kovid – 19. bs/bsh/

Ngjarja paraprake

Ndërprerje e shkurtë e komunikacionit në rrugën Kërçovë – Ohër te fshati Vërbjan

Ngjarja e ardhëshme

Bie numri i pacientëve me COVID-19 në Spitalin e Pejës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian