Inceneratorët e Tiranës e Fierit marrin paratë, por nuk kanë realizuar investimet

Inceneratoret e Tiranës dhe Fierit nuk kanë realizuar investimet me fondet e veta, sipas detyrimeve të përcaktuara në kontratat koncesionare, edhe pse kanë marrë miliona euro fonde nga buxheti i shtetit.

Ky është përfundimi i raportit vjetor të Ministrisë së Financave mbi performancën e kontratave koncesionare sipas Partneritetit Publik Privat, PPP.

Në raport thuhet se për inceneratorin e Tiranës, në vitin 2018 dhe 2019 janë kryer pagesa në vlerën e 977 milionë lekëve për secilin vit. Por kompania “Integrated Energy BV SPV”, që ka fituar koncesionin, nuk ka kryer pjesën e investimeve që duhet të bëheshin me fondet e saj.

Sipas Ministrisë së Financave, vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 rezulton vetëm 20 përqind e vlerës së planifikuar.

Ndërsa vitin 2019, ajo ka qenë 526.2 milionë lekë ose vetëm 10 përqind e planit të parashikuar në kontratë.

Sipas kontratës me Ministrine e Infrastrukturës dhe Energjisë, kompania “Integrated Energy BV SPV” duhet të investonte 5.9 miliardë lekë në vitin 2019. Më shumë se 5 miliardë lekë duhet të ishin nga fondet e saj dhe 725 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Shteti e ka bërë pagesën prej 725 milionë lekësh, por kompania nuk e ka investuar as këtë shumë, pasi investimet në vitin 2019 ishin 526 milionë lekë, thuhet në raportin e Financave.

Për periudhën 2018-2019 duhet të ishin investuar 11.4 miliardë lekë, por janë investuar vetëm 1.6 miliardë lekë ose vetëm 12 përqind e investimit të parashikuar sipas planit.

Projekti i inceneratorit të Tiranës, një koncesion me afat 30-vjeçar, është vlerësuar 39 miliardë lekë, 17 prej të cilavë janë parashikuar si investime.

Ai nuk është i vetmi në këtë situatë.

Për inceneratorin e Fierit buxheti i shtetit ka paguar 752 milionë lekë për vitin 2018 dhe 2019 dhe ka planifikuar po të njëjtën shumë për vitin 2020 dhe 2021.

Ky impiant duhet të niste punën në muajin Shtator të vitit 2019, por nuk ka perfunduar ende. Megjithatë, vijon të marrë pagesa periodike nga buxheti i shtetit.

Per inceneratorin e Fierit është projektuar mbështetja buxhetore me vlerë 4.5 miliardë lekë përgjatë gjithë kohës së zgjatjes së projektit, ndërsa vlera e investimit është 3.72 miliardë lekë.

Inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit kanë marrë nga buxheti 5.7 miliardë lekë investime, ose 47 milionë euro vetëm për periudhën 2017-2019. Në pagesat e bëra nga thesari në këtë periudhë, Kontrolli i Lartë i Shtetit  gjeti parregullsi, ndërsa opozita i ka konsideruar i afera korruptive projektet.

Ngjarja paraprake

Dimitrov dhe ambasadorja japoneze Haneda nënshkruan Marrëveshje për grant ndihmën për zhvillim ekonomik dhe social

Ngjarja e ardhëshme

Një grup kriminel për 500- 700 euro transportoi emigrantë nga Greqia në Serbi, katër të arrestuar

të fundit nga