ASH-ja e Ziadin Selës, I bën thirrje Komisionit Antikorrupsion që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe zbardhur transparencën e plotë të udhëtimeve të liderëve të qeverisë dhe shtetit në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Në veçanti, ASH-ja, kërkon përgjigje për këto çështje: 1. Kush ka paguar biletat për të marrë pjesë në këtë ngjarje? 2. Kush i mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në SHBA? 3. A janë përdorur fonde publike për këto shpenzime dhe në çfarë baze janë justifikuar ato?
Kjo garë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe institucioneve për të udhëtuar në SHBA dhe për të dëshmuar një “imazh perëndimor”, ndërkohë që Maqedonia mbetet e bllokuar në proceset integruese, sipas ASH-së, është një hipokrizi e papranueshme.
Në këtë situatë të brishtë, një agjendë e dyshimtë e cila promovon interesa personale dhe politike, dëmton seriozisht imazhin e shtetit dhe besimin e qytetarëve. I bëjmë thirrje Komisionit Antikorrupsion të zbatojë mandatin e tij për të siguruar që këto shpenzime të jenë në përputhje me ligjin dhe të jenë në interes të qytetarëve dhe jo të grupeve të caktuara politike – thuhet në reagimin e ASH-së. /tvklan.mk/
Burimi: TV KLAN