In Memoriam për Haki Rugovën

Tri ditë më parë, në moshën më të mirë të jetës (65), familjes së Imer Ibish Sadrisë-Rugova në fshatin Cerrcë, i kaloi në amshim njëri nga bijtë më të mirë të saj, burri, prindi, vëllai, axha dhe intelektuali, Haki Rugova, përkatësisht nga dita e mërkurë do i mungon familjes, por edhe neve, mësuesi, intelektuali, inxhinieri, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Degës së saj në Istog, si dhe kryetari i komunës për tri mandate, duke lënë pas vetes një mori veprash dhe kontributesh të jashtëzakonshme, si në luftën çlirimtare, ashtu edhe në planin e shtet-ndërtimit të Kosovës pas çlirimit.

Me këtë rast për hir të historisë së familjes Rugova, dua t’i përmend disa fakte nga vuajtjet dhe persekutimet që familja e Rrustë, Ibish, Xhemë dhe Azem Sadrisë, bijtë e Sadri Elezit, familje rugovase e zbritur për shkaqe ekonomike nga fshati Malaj i Rugovës kreshnike, për t’u vendosur në fshatin Cërrcë afër Istogut, diku kah fundi i shekullit 19-të, e cila qysh asokohe njihej si familje patriotike në krye të cilës qëndronin burra të shquar dhe atdhetarë që kishin marrë pjesë në shumë luftëra kundër malazezëve si ajo në Beran, Nokshiq, etj., trima të cilët kurrë nuk iu kishin nënshtruar as dhunës dhe terrorit shtetëror të Serbisë gjatë kohës së luftërave ballkanike, por as gjatë Luftës së Parë Botërore. 

Pra, represioni dhe dhuna serbe ndaj familjes së të parëve të Haki Rugovës, e cila i takon fisit Lajç, do vazhdon edhe pas LDB-re, ku siç dihet nga historia regjimi kriminal i partizanëve serbo-çetnik me urdhër të krye-çetnikut Drazha Mihajlloviç, me të mbaruar lufta në vitin 1945, në Kullën e Popit e cila gjendej në dalje të Istogut nga ana lindore, e njohur si Kasaphanja e vrasjeve masive të mbi 1200 shqiptarëve, në mesin e të cilëve u vranë gjyshi, stërgjyshi dhe tre burra tjerë të familjes Rugova, dhe pak më vonë do pushkatohet mizorisht babai i presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rrusti, etj., varret e të cilëve nuk dihen as sot e kësaj dite..!? 

Pra, familja e rugovëve në Cerrcë, ishte gjithmonë halë në sy të regjimit kriminel të Serbisë, si gjatë sundimit komunist në ish Jugosllavi, njëjtë edhe gjatë kohës së regjimit fashist dhe barbarë të kasapit të Ballkanit, S. Millosheviçit, i instaluar në Kosovë 1989/99, kur policia dhe ushtria kriminale serbe vrau dhe masakroi edhe familjen Rugova, meqë rast Hakiut ia vranë babai Imer Ibishi, nëna Havë, axha Kadri si dhe 5 anëtarë tjerë të familjes (8), duke u hakmarrë ndaj kësaj familje në mënyrë barbare, për shkakun e vetëm se i takonin gjakut të presidentit Ibrahim Rugova. 

Për këto si dhe shumë ngjarje tjera që ndërlidhen me vrasjet, torturat, masakrat dhe përndjekjet që i janë bërë familjes Rugova në Cerrcë nga ana e UDB-së serbo-çetnike, shumë herë më ka rrëfyer në mënyrë autentike nipi i babait tim, tanimë i ndjeri, axha i presidentit Rugova, Ali Rrusti, ndjesë pastë.

Andaj, Haki Rugova, pa dyshim se në brendinë e shpirtit ka përjetuar katarzë dhe thyerje të dhimbshme, sepse barbarët serbë mizorisht ia vranë dy prindërit, kushërinjtë si dhe familjarë të afërt, vetëm se ishin pinjollë të familjes emblematike dhe autoktone Rugova, nga brumi dhe gjenetika e së cilës kishte lindur, rritur dhe një ditë njëri nga bijtë e saj ishte bërë presidenti i parë dhe historik i Republikës së Kosovës, me emrin Ibrahim Rugova!

Hakiu për nga natyra ishte njeri i qetë, i butë, i dashur, shumë i matur, mendjehollë, ishte burrë i fjalës dhe i besës, ishte punëtor i palodhur i çështjes kombëtare, aktivist i madh i LDK-së, por edhe dorë e djathtë e presidentit Ibrahim Rugova, i cili gjithnjë punoi për të mirën e Kosovës, për ndërtimin dhe zhvillimin e komunës së Istogut, njeriu i cili kurrë nuk diti t’i thoshte askujt, Jo, sepse i kuptonte shumë mirë kërkesat dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës, të banorëve dhe bashkëqytetarëve të Istogut, të cilët me aklamacion tri herë radhazi e votuan për kryetar të komunës. 

Veprat dhe kontributi personal dhe familjar i Haki Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, janë dhe do ngelin të pashlyera në analet e historisë së komunës së Istogut, në rajonin e Podgurit dhe krejt Kosovën, ngase ai nuk kurseu asgjë nga vetja për ta parë popullin e vet të lirë dhe të pavarur nga thundra e egër serbo-sllave, ani se zëmrën e kishte të thyer në copa-copa dhe të mbushur plotë dhimbje të rënda, sepse nuk mund t’i harronte për asnjë çast mizoritë dhe tmerrin e masakrës serbe ndaj prindërve të tij si dhe mijëra shqiptarëve të vrarë barbarisht nga kriminelët serbë gjatë luftës së fundit 1998-99..!?

Dhimbja, malli, pikëllimi dhe kujtimi ynë për Haki Rugovën, nuk do shuhen kurrë, por as shëmbëlltyra a tij prej njeriu humanist, atdhetar, idealist, demokrat dhe aktivist i paepur për të mirën e Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar në Ballkan!

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën punoi pa u ndalur asnjëherë! 

Lavdi jetës dhe veprës së Haki I. Rugovës!

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ukraina e cilëson sulmin ajror një “sulm terrorist”, kërkon ndihmë nga liderët botëror

Story i radhës

Proteston kundër rritjes së çmimeve, qytetari befason me vendimin e tij, ja çfarë po iu shpërndan sot policëve

Të fundit nga