Ikja e mjekëve dhe rreziku me të cilin mund të përballet Ministria e Shëndetësisë, ish-ministri kërkon urgjent të realizohet kjo gjë!

Shëndetësia mbetet një nga fushat më të ndjeshme dhe me probleme të theksuara në vend.

Kosova po përballet me ikje të mëdha të mjekëve dhe infermierëve, ku një nga arsyet kyçe del të jetë pakënaqësia në paga.

Krahas kësaj, Ministria e Shëndetësisë tash e një kohë është pa udhëheqës, pasi ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit.

Në një intervistë për “Bota sot”, ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani komentoi gjendjen aktuale në këtë dikaster, derisa u shpreh i shqetësuar për disa aspekte.

Sipas tij, shëndetësia jo vetëm te ne, ka probleme shumë specifike dhe asnjëherë të zgjidhshme në masën që dëshirohet, gjithmonë kërkohet edhe më shumë.

Krahas kësaj, Rrahmani komentoi edhe ikjen e mjekëve, ku beson se është shumë e vështirë të ndalen ikjet në këto rrethana.

“E vështirë të mendohet se Kosova mund ta ndalojë shkuarjen e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor në vendet evropiane edhe në rrethana shumë më normale”, deklaroi ish-ministri.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në Kosovë?

Imet Rrahmani: Asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë nuk kemi pasur një situatë kur nuk kemi pasur qartësi në kërkesa e veprime, kur nuk kemi pasur përkrahjen e parezervë për qëndrimet tona politike sikur që e kemi tani situatën.

Sot, kur presioni i perëndimit ishte i fokusuar mbi qëndrimin serb pro Rusisë, Qeveria e jonë me veprimet e saja po e bart këtë presion mbi Kosovën dhe po e lehtëson Serbinë. Situata në Ukrainë do të duhej të ishte rasti i shkëlqyer për marrjen e maksimumit në bisedimet me Serbinë, përfshirë njohjen.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha të Qeverisë së Kosovës?

Rrahmani: Dialogu po del të jetë sfida, ndoshta, e papërballueshme për Qeverinë. Tendenca n’fillim me i ikë dialogut, për të rrëshqitur në të pa përgatitjet e duhura dhe pa koordinimin e brendshëm dhe me partner, kanë bërë që vendimet e fundit të krijojnë krizën e panevojshme dhe boshllëkun institucional në veri, gjë që na vë në pozitë të pafavorshme në bisedime. Faktorizimi i elementit etnik dhe territorial në veri të vendit është me rrezik të lartë, ndoshta me pasoja të pariparueshme.

Krahas kësaj, kriza me energjinë dhe ngecja në zhvillim, kanë krijuar një pasiguri ekonomike për të gjithë. Patëm një grevë në arsim, kemi një krizë të thellë si asnjëherë më parë në shëndetësi, bizneset janë në krizë e shumë nga ato para falimentimit, ndërkohë që qeveritarët i injorojnë këto probleme dhe janë shumë joserioz dhe të papërgjegjshëm.

Gazeta “Bota sot”: A mendoni se ka bashkëpunim të duhur mes pozitës dhe opozitës?

Rrahmani: Opozita padrejtësisht po sulmohet kinse nuk po ka qasje mirëkuptuese për problemet që ka Qeveria dhe vendi. Opozita mund të ketë mirëkuptim dhe bashkërendim me Qeverinë për probleme realisht të paevitueshme në procesin e dialogut, për problemet e sigurisë dhe ato ekonomike, por, opozita nuk mund të hesht dhe të aprovojë qasjet e gabuara, veprimet e pakoordinuara dhe të pamatura që shkojnë në disfavor të vendit.

Jemi dëshmitar të jotransparencës në raport me opozitën, opinionin publik, dëshmitar të veprimeve dhe vendimeve në kundërshtim me kërkesat e SHBA-ve dhe BE-së. Prandaj, përpara se të akuzohet opozita dhe opozitarizmi i saj, pozita duhet të reflektojë dhe të përmirësojë gabimet në hapa, të rikuperoj raportet me aleatët dhe të rris bashkëpunimin e sinqertë me opozitën.

Gazeta “Bota sot”: Tash e një kohë, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa udhëheqës, pas largimit të Rifat Latifit. Kush mendoni se do të ishte personi ideal për ta udhëhequr këtë dikaster?

Rrahmani: Qasja ndaj problemit të shëndetësisë më së miri do të komentohej nëse fare nuk e komentojmë!

Shëndetësia jo vetëm te ne, ka probleme shumë specifike dhe asnjëherë të zgjidhshme në masën që dëshirohet, gjithmonë kërkohet edhe më shumë. Por, krijimi i organeve mbiinstitucionale, sikur ishte “Komisioni”, lënia e Ministrisë me ushtrues detyre qe disa muaj etj., kanë thelluar krizën që lehtë mund ta çoj në kolaps të sistemit. Se kush duhet të udhëheq me këtë dikaster pak ka rëndësi emri, e rëndësishme është të ndryshohet klima dhe të ndërpriten veprimet e paligjshme, që po ndodhin në vazhdimësi, duke tensionuar marrëdhëniet e brendshme dhe në raport me pacientët e institucionet tjera të shtetit.

Gazeta “Bota sot”: Si ish-ministër i Shëndetësisë, cilat janë problemet më të mëdha në këtë sektor?

Rrahmani: E thash që urgjent duhet të ndryshohet forma e politikëbërjes brenda, të kemi një fokusim te ruajtja e kuadrove dhe zhvillimi i tyre, furnizimi me barna e material harxhues duhet të jetë prioritet 24/7. Pastaj, të kemi trajtim të sinqertë të problematikës së Sigurimeve Shëndetësore, Sistemit të Informimit Shëndetësor, Mjekësisë Familjare dhe Shërbimeve Shëndetësore Emergjente, pa harruar nevojën e madhe të bashkërendimit me investimet private në sektor. Nëse këto katër pesë probleme, për të cilat ka ligje, nuk vendosen në bazën e sigurt të implementimit, atëherë veprimet do të jenë kozmetike, sipërfaqësore dhe të paqëndrueshme për një shëndetësi me vlera.

Gazeta “Bota sot”: Fakt shqetësues është edhe largimi i madh i mjekëve nga Kosova. Si duhet të parandalohet kjo dukuri?

Rrahmani: E vështirë të mendohet se Kosova mund ta ndalojë shkuarjen e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor në vendet evropiane edhe në rrethana shumë më normale, e lëre më kur kemi një sistem të lënë komplet jashtë fokusit të qeverisë. Duhen disa vite punë, përkushtim dhe sakrificë për ta ndalur trendin e shkuarjes së mjekëve, kjo punë ka marr hov dëshpërues tashmë.

Gazeta “Bota sot”: A janë pagat një nga arsyet kryesore që po i shtyn mjekët dhe infermierët të largohen nga Kosova?

Rrahmani: Paga është e para dhe më e rëndësishmja, por ka edhe shumë arsye tjera që e shtyjnë mjekun të largohet nga vendi i tij, p.sh. edukimi profesional cilësor dhe i garantuar, punësimi i menjëhershëm bashkë me sigurinë profesionale e fizike. Ne ende mjekët tonë i përcjellim në pension me pensionin e barabartë me ata që asnjë ditë nuk e kanë punuar në institucione publike e as ato private, për shembull!!

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga hapat më urgjent që duhet të ndërmarrë qeveria për përmirësimin.

Rrahmani: Besoj që nga ajo çka thash më herët mund të merret si përgjigje në atë se cilat janë veprimet që duhet të janë prioritet i cilësdo qeveri.

Story i mëparshëm

Ahmeti përgëzon Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes: Koha që t’u jepet fund kontesteve

Story i radhës

Zhvillohet workshopi i parë i Elevator Lab

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish