Policia Kufitare e Muriqanit ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime seksuale, i cili kërkohej nga autoritetet franceze.
Gjatë kontrollit në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin Albion Durakoviç, 30 vjeç, banues në Mal të Zi. Ky person ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Paris, pasi Gjykata e Tribunal Judiciaire De Bethune në Francë, më datë 29 korrik 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzat e “Përdhunimit” dhe “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur”, veprime të cilat janë parashikuar nga Kodi Penal i Francës.
Kërkesa për arrestimin e këtij shtetasi erdhi pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet franceze, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Paris, ka mundësuar kapjen e tij në kufi.
Pas arrestimit, 30-vjeçari është vënë në pranga me qëllim ekstradimin në Francë, ku ai do të përballet me akuzat dhe masat ligjore për krimet e tij.
Burimi: botasot.info