I paqartë motivi për vrasjet në Atlanta

Autoritetet amerikane thanë se personi i dyshuar për vrasjen e tetë vetëve në sallonet e masazheve në Atlanta të Xhorxhias ka pohuar se vuante nga fiksime seksuale dhe se incidenti me armë zjarri mund të mos ishte i motivuar nga urrejtja racore.

Zyrtarët thanë se 21-vjeçari Robert Aaron Long, duket se i kishte frekuentuar vetë sallonet ku ndodhi dhuna, ose të tjera të ngjashme me to, dhe se më pas ishte drejtuar për në Florida, mbase për të bërë vrasje të tjera.

Gjashtë nga tetë viktimat ishin gra me origjinë aziatike.

Megjithëse nga hetimet paraprake duket se i dyshuari mund të mos ketë qenë i motivuar nga urrejtja racore, zyrtarët thanë se është ende herët për ta ditur me siguri.

Ngjarja e mbrëmshme ishte një tjetër rast i dhunës me armë dhe me shumë viktima në Shtetet e Bashkuara.

Gjithçka filloi rreth orës 5 pasdite me vrasjen e katër personave dhe plagosjen e një tjetri në një qendër masazhesh në Qarkun Cherokee.

Të vrarët ishin dy gra me origjinë aziatike së bashku me një grua dhe një burrë të bardhë, thanë autoritetet.

Më pas policia gjeti tre gra të vrara në një sallon të Atlantës dhe një grua tjetër në një sallon aty pranë.

Zyrtarët mbi motivin: Asgjë nuk përjashtohet

Ministria e jashtme e Koresë së Jugut tha se katër nga viktimat ishin me origjinë koreane.

Autoritetet thanë se Long u arrestua në jug të Atlantës pas ndjekjes me makinë nga policia në një autostradë të qytetit.

Në konferencën e shtypit pas incidentit, zyrtarët e policisë u pyetën nga gazetarët nëse incidenti po hetohej si një sulm kundër aziatiko-amerikanëve.

“Asgjë nuk do të përjashtohet. Ne po bëjmë një hetim të vrasjeve të shumëfishta. Pra, hetuesit do të shkojnë atje ku do të na çojnë provat”, tha zyrtari i policisë së qarkut të Çerokit, Jay Baker.

Grupi kundër urrejtjes së aziatiko-amerikanëve “Stop AAPI Hate” i quajti të sulmet “një tragjedi të rëndë” për komunitetin aziatiko-amerikan.

Grupi tha në një deklaratë se ka marrë gati 3,800 raporte të incidenteve të urrejtjes në të gjithë vendin që nga marsi i vitit 2020.

Grupi gjithashtu tha se nuk është bërë mjaft për të mbrojtur aziatiko-amerikanët nga “nivelet e rritura të urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës.”

Ligjvënësja Primula Jayapal, anëtare e grupit të ligjvënësve aziatiko-amerikanë në Kongres, e dënoi incidentin në një mesazh në Twitter. Ajo bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës dhe urrejtjes në të gjitha komunitetet e Amerikës./VOA

Ngjarja paraprake

GRUBI: Ali Ahmeti nuk ka ndërhyrë në asnjë proces zgjedhor në Kosovë

Ngjarja e ardhëshme

Meta letër Ruçit, KQZ-së dhe ambasadorëve, ankohet për selinë e FRD-së

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian