I akuzuar për korrupsion, Xhabir Zharku vendos të mbrohet në heshtje

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën ka vazhduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i akuzuar për korrupsion, i cili vendosi ta shfrytëzojë të drejtën ligjore të mbrohet në heshtje.

“Unë qëndroj pranë deklaratave të mia të dhëna në polici dhe në prokurori, ndërsa sot në këtë shqyrtim gjyqësor pas konsultimeve me avokaten time, do të mbrohem në heshtje”, ka thënë Zharku.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ibrahim Idrizi ka kërkuar nga prokurori i çështjes, Rasim Maloku, të dhënat penale për të akuzuarin.

Prokurori Maloku tha se ndaj të akuzuarit Zharku, është evidentuar një aktgjykim i EULEX-it, i formës së prerë, ku i njëjti është shpallur fajtor.

Po ashtu, prokurori Maloku tha se fjalën përfundimtare nuk e ka të gatshme ta paraqesë në këtë shqyrtim dhe se të njëjtën nuk mund ta paraqes as brenda kësaj jave, për shkak të angazhimeve të tij rreth rastit “Brezovica”

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, Xhabir Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, i akuzuari Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09, të 29 janarit 2010.

Në këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi” nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij. /BetimipërDrejtësi

Story i mëparshëm

Atentati ndaj shqiptarëve, mediat greke: Dyshohet se autori është i njëjti që vrau Edmond Papën

Story i radhës

Saraj,rriten rrogat në administratën komunale

Të fundit nga