Organizata Human Rights Watch (HRW) akuzoi ushtarët kamerunas për vrasjen e të paktën 9 civilëve në rajonin anglishtfolës në provincën jugperëndimore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
HRW në faqen e saj në internet njoftoi se ushtria e Kamerunit më 10 janar 2021 ka vrarë së paku 9 civilë në rajonin anglishtfolës në qytezën Muyuka të provincës jugperëndimore të Kamerunit.
Në deklaratë thuhet se ushtarët kanë plaçkitur dhjetëra shtëpi dhe kanë kërcënuar banorët e qytezës.
Autoritetet e organizatës intervistuan 17 dëshmitarë të cilët deklaruan se “ushtria i bëri këto vrasje si hakmarrje ndaj popullatës së akuzuar për pritjen dhe përkrahjen e luftëtarëve separatistë”.
OKB-ja dhe shumë organizata joqeveritare njoftuan se ushtria e Kamerunit në shkurt 2020 ka vrarë rreth 20 civilë në qytezën Ngarbuh në rajonin anglishtfolës. Ushtria kamerunase në fillim mohoi akuzat por më pas i pranoi ato kurse ushtarët të cilët kishin kryer vrasjet ishin burgosur.
Kriza në rajon
Kriza në rajon filloi pasi qeveria e Kamerunit emëroi mësues dhe gjyqtarë në jug dhe veriperëndim të vendit që nuk dinin anglisht dhe kah fundi i 2016 anglofonët filluan të organizojnë protesta.
Grupet separatiste më 1 tetor 2017 njoftuan se kanë krijuar një shtet simbolik të quajtur “Ambazonia” me gjuhë zyrtare anglishten në përvjetorin e tranzicionit të vendit në federalizëm në vitin 1961-1972.
Sipas të dhënave të fundit në krizën anglofone të paktën 3.000 njerëz humbën jetën, 679 mijë u zhvendosën dhe 40 mijë të tjerë u detyruan të strehoheshin në shtetet fqinje si pasojë e përleshjeve mes grupeve separatiste dhe ushtrisë kamerunase.