Hasani: Punojmë për avancimin e shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes

Ka rreth dy muaj që ka marrë detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërkohë që aty vjen nga pozita e zëvendësdrejtorit të Policisë Financiare, derisa më herët ka mbajtur dhe pozita të tjera në nivel lokal. Me Bashkim Hasanin në këtë intervistë kemi folur mbi sfidat me të cilat përballet dikasteri i Mbrojtjes, raporti i tij me ministren Radmilla Shekerinska, përfaqësimin e shqiptarëve dhe tentativat që ai bën për të rritur atë, si dhe kushtet që duhet plotësuar që ushtarët dhe të punësuarit në ministri dhe ushtri të plotësojnë për avancim…

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Kanë kaluar tashmë rreth dy muaj që kur morët pozitën e zëvendësministrit, periudhë kjo e mjaftueshme besojmë për të “studiuar” këtë dikaster për nevojat, punët dhe projektet që po bëhen?

HASANI: Fillimisht më lejoni që të falënderoj redaksinë e gazetës KOHA për hapësirën që ka ndarë për të realizuar këtë intervistë dhe njëherësh t’ju dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë të gjithë stafit tuaj. Është shumë e vërtetë që tashmë kanë kaluar rreth dy muaj nga koha kur Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut bëri emërimin e zëvendësministrave. Nga ajo ditë e deri më sot, kam takuar shumicën e autoriteteve dhe të punësuarve në këtë dikaster ku nga së afërmi më kanë informuar për punët, projektet dhe proceset në vijim.

KOHA: Na thuaj si e gjetët ministrinë dhe cilët janë prioritetet tuaja për mandatin sa do të qëndroni në këtë pozitë që jeni?

HASANI: Ministrinë e Mbrojtjes e gjeta në kushte normale si një institucion që kishte kontribuar në mënyrë maksimale për anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike (NATO). Prioritetet e mia gjatë këtij mandati burojnë nga Programi i koalicionit qeveritar që është edhe prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato janë: financimi i qëndrueshëm i ushtrisë, hapja e një Qendre Mbështetëse për kompanitë vendore për qasje në tregun e NATO-s, modernizimi, investimet në poligonin Krivollak, rindërtimi i kazermave, transparenca maksimale dhe vendosja në funksion dhe një koncept i ri i bashkëpunimit civil – ushtarak.

KOHA: Uleni për herë të parë në këtë pozitë – sa privilegj, por më shumë përgjegjësi sigurisht, si ndjeheni?

HASANI: Normalisht që është përgjegjësi duke marrë parasysh rëndësinë e institucionit dhe normal do duhet të pranoj se e ndjej edhe si privilegj për faktin se në këtë pozicion, vijë me propozim te liderit të partisë Ali Ahmetit dhe me mbështetjen e strukturës partiake, lider ky i cili ka dhënë një kontribut shumë të madh për anëtarësimin e vendit në strukturat e NATO-s.

KOHA: Keni arritur t’i detektoni tashmë të gjitha punët e kësaj sfide që ke përpara?

HASANI: Mendoj se është herët të themi se i kemi detektuar “të gjitha punët” e kësaj sfide, por me rëndësi është t’i dimë punët dhe proceset e shumta në ministri.

KOHA: Shpesh ka pasur kritika për përqindjen e përfaqësimit thuajse në shumë institucione, po si qëndron gjendja në dikasterin e Mbrojtjes?

HASANI: Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në ushtri arrin diku 19.19 për qind. Sigurisht se duhet të punohet edhe më shumë që të arrihet 25 përqindëshi i shqiptarëve, por edhe kritikat janë të mirëseardhura, nga që vlerësojmë se na përmirësojnë, sidomos kur kritikat zënë vendin e duhur. Se ka edhe nga ata që kritikojnë pa bazë, vetëm për qëllime politike, pa asnjë kontribut të tyre për ta përmirësuar statusin e shqiptarëve, se duhet të kujtojmë se si ka qenë përqindja në të kaluarën, si ajo vazhdimisht është përmirësuar kur ne si subjekt kemi udhëhequr me këtë institucion.

KOHA: Krahas përqindjes, një tjetër problem është ngritja e tyre vertikalisht, e keni diskutuar këtë gjë me ministren?

HASANI: Kam biseduar me ministren lidhur me këtë çështje dhe kemi hasur në mirëkuptim, nga që jemi anëtare e një aleance siç është NATO, ku i vetmi kriter i pranueshëm për ngritje profesionale në armatë është profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj punës e assesi nuk është i pranueshëm kriteri në baza nacionale. Ndërsa sa i përket ngritjes vertikale të nëpunësve në administratën e ministrisë, edhe këtu nuk kemi mosmarrëveshje, ngaqë për këtë problematik, me iniciativë të BDI-së, është sjellë tashmë edhe Ligji i posaçëm për pranimin e shkollimit të nëpunësve të cilët në ndërkohë nuk u janë pranuar diplomat e shkollimit universitarë si kusht për ngritjen e tyre vertikalisht. Dhe për këtë, të punësuarit që i plotësojnë kushtet ligjore e që kanë pasur shkollim adekuat, por për një kohë të gjatë nuk kanë arritur që të ngrihen në vertikale, konform ligjeve dhe procedurave ligjore të bëhet edhe avancimi i tyre në pozicione udhëheqëse.

KOHA: Si e vlerësoni bashkëpunimin me ministren Shekerinska?

HASANI: Bashkëpunimi me ministren është në nivelin e duhur për çdo gjë që është në interes të përbashkët.

KOHA: A i ke vënë prioritet vetes që gjatë mandatit sa do jeni aty të zgjidhni problematikat e shqiptarëve?

HASANI: As edhe në shtëpi nuk zgjidhen asnjëherë të gjithë problemet, e zgjidh një – të paraqitet tjetër, ashtu është gjithandej. Ashtu është edhe në ministri, çdo ditë ka punë, ka probleme të natyrave të ndryshme. Për aq kohë sa do të jem në këtë detyrë, do të mundohemi që çdo ditë të jap maksimumin për të qenë në shërbim të të gjithë të punësuarve.

KOHA: Niveli i përfaqësimit nuk është i kënaqshëm as edhe në ushtri dhe në Shtabin Gjeneral. Sa zëvendësministri ka kompetencë për të ndikuar aty dhe sa ju do të mundoheni të shtyni punët përpara?

HASANI: Që në fillim të marrjes së detyrës, kam realizuar takim edhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Gjeneral shtabit të ARM, zëvendësshefin e Shtabit, si dhe me oficerë tjerë të lartë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe me angazhimin tonë të dyanshëm – do të arrijmë të tejkalojmë të gjitha sfidat dhe punët të shkojnë në drejtimin e duhur.

KOHA: Ndonëse jemi në kohë pandemie, keni planifikuar në agjendën tuaj vizita zyrtare jashtë vendit, nëse po cili do jetë vendi i parë që do të vizitoni?

HASANI: Si zëvendësministër i Mbrojtjes ende nuk kam planifikur vizitë zyrtare jashtë vendit përs hkak të pandemisë, por dëshira ime është që vizitën e parë të realizoj në Kosovë ngaqë aty e kemi edhe kontingjentin e ushtarëve të fundit, të cilët i kemi dërguar në mision ushtarak dhe atë për herë të parë si anëtare e NATO-s.

PUNOJMË PËR AVANCIMIN E SHQIPTARËVE. Intervistë me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Bashkim Hasani

Ngjarja paraprake

Brataj: Askush nuk është braktisur, kemi situatën në kontroll

Ngjarja e ardhëshme

Avokati i Thaçit- Speciales: Ku i keni akuzat për trafikim organesh

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian