Intervistë me ministrin gjerman të Ekonomisë Robert Habeck, i cili ishte në Katar dhe Emirate, ku janë arritur marrëveshje për importimin e gazit. Ky ishte një hap drejt largimit nga varësia prej gazit rus.
Ministri Federal i Ekonomisë Robert Habeck nga partia ekologjike, qëndroi këto ditë në botën arabe. Në kohën kur në Evropë është ndezur një luftë e re, Habeck po kërkon rrugëdalje nga varësia prej gazit rus.
Në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ai bisedoi për mundësitë e importit të shpejtë të gazit si dhe prodhimin e hidrogjenit të gjelbër. Në avion gjatë kthimit për në Berlin, korrespondenti i DW, Jens Thurau, foli me zv.kancelarin gjerman.
DW: Zoti Habeck, arsyeja e udhëtimit tuaj, i cili është realizuar brenda një kohe të shkurtër, ishte tronditja pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, kur është kuptuar se duhet bërë shpejt diçka kundër varësisë së Gjermanisë nga gazi rus. Sa i suksesshëm ishte udhëtimi juaj në këto kushte?
Habeck: Kjo do të dihet saktë në javët dhe muajt e ardhshëm. Unë nuk bëj kontrata, por mund të krijojë kornizën për diskutime midis kompanive. Ka një partneritet më të gjatë energjetik me Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili fokusohet kryesisht në neutralitetin ndaj klimës, i referohet hidrogjenit të gjelbër dhe zgjerimit të energjive të rinovueshme. Tani kemi nënshkruar gjithsej pesë marrëveshje bashkëpunimi. Pra, udhëtimi ishte shumë i suksesshëm. Në Katar bëhej fjalë kryesisht për furnizimin me gaz të lëngshëm. Të paktën unë kam besimin se vizita solli diçka. Katari është një kompani dhe një shtet në të njëjtën kohë, e tani e kam kuptuar pak se cilat janë pozicionet e tyre. Kështu që kjo mund të funksionojë. Kompanitë tona tani do të fillojnë bisedimet.
Ministri gjerman i Ekonomisë në Katar
DW: Pas sulmit rus në Ukrainë, kancelari Olaf Scholz foli për një pikë kthese. Në Evropë, pothuajse të gjithë kanë përshtypjen se kanë ndryshuar tërësisht kushtet për politikën. A vlen kjo edhe për shtetet e Gjirit?
Habeck: Të gjithë e kishin të qartë gjatë bisedave se Gjermania tani dëshiron të ndërmarrë veprime të ashpra kundër Rusisë. Se ne nuk do të vëmë në punë gazsjellësin Nord Stream 2 dhe do të fokusohemi në mbrojtjen e klimës. Por ndërkohë që ne themi se duhet bërë më shumë për të drejtat e punëtorëve në Katar dhe kritikojmë faktin që Emiratet kanë mirëkuptim për sundimtarin sirian Assad, këto vende e shikojnë Gjermaninë dhe Perëndimin ndryshe dhe thonë: Ju nuk po na mbështesni kur na sulmojnë ushtritë që ne i konsiderojmë terroriste. Qëndrimi juaj ndaj Iranit është ambivalent, ndërsa ne duhet të përballemi me këtë. E këtu vini gjithmonë vetëm kur dëshironi që t’ju ndihmojmë. Kështu më thanë troç.
Pyetja që na e shtruan ishte: a është ky bashkëpunim afatgjatë tani? Apo duhet të ndihmojmë vetëm për një kohë të shkurtër dhe pastaj të na ktheni shpinën prapë? Ndaj më duhej të shpjegoja se nevoja jonë për hidrogjen të gjelbër është afatgjatë dhe politika e largimit nga gazi rus është një projekt i përhershëm. Dhe mendoj se ia dolëm t’i bindim.
Robert Habeck in Abu Dhabi me ministren e Mjedisit të Emirateve, Mariam al Mheiri
DW: Ju jeni në detyrë nga dhjetori i vitit të kaluar, pra para se të fillojë lufta. Sa ju ka ndryshuar kjo luftë dhe sa ka ndikuar ajo në raportet mes partive në pushtet në Gjermani?
Habeck: Për mua personalisht, kjo nuk është një qasje krejtësisht e re në politikë. Gjithmonë kam dashur të marr përgjegjësi dhe e kam ditur se duhet të marr vendime që nuk janë popullore, që janë të vështira, që presin diçka nga njerëzit. Kjo mund të mos ketë mbështetjen e shumicës, por janë vendime që duhet të merren.
Por sigurisht që nuk e kam menduar se do të merrja vendime në sfond të luftës. Tani gjithçka është edhe më e fokusuar, më serioze. Vendimet për furnizimin e Ukrainës me armë, pajisjet për Bundeswehrin, sanksionet. E ne nuk e dimë se kur presidenti Putin do të marrë kundërmasa. Dua të them, Rusia ka armë bërthamore! Gjithçka është serioze, gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka më lehtësi. Por as më parë nuk kam pritur që gjërat të jenë të lehta./DW