2
Shkup, 18 shkurt – Ndalimi i vizitave të pacientëve të shtruar në spitale, mbajtja e maskave mbrojtëse, dezinfektimi i duarve, si dhe mbajtja e distancës fizike aty ku është e mundur, janë disa prej rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, që u publikuan me qëllim të parandalimit të përhapjes së gripit sezonal.
Me këto rekomandime tashmë Ministria e Shëndetësisë i obligon të gjitha institucionet shëndetësore që ato të respektohen.
Gripi ka arritur në pikun e tij, andaj këto masa janë më rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e pacientëve, thonë nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
“Tani jemi në pikun e gripit, në ditët në vijim mund të ketë ndryshime të përkohshme me numrin e të prekurve nga gripi, mirëpo ashtu siç parashikuam, ashtu edhe ndodhi, piku i gripit po ndodh nga mesi i shkurtit. Sa i përket masave shtesë preventive që Komisioni mund eventualisht t’i jap, vlerësuam se në këto momente nuk ka nevojë për to, pasi që nuk kemi ngarkesë të kapaciteteve spitalore, e sidomos në repartet e kujdesit intensiv, ku edhe në raportin e fundit të Institutit për Shëndet Publik është thënë se asnjëri prej pacientëve me infeksione respiratore, nuk ndodhet në trajtim të kujdesit intensiv.”, – deklaroi zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
Më të prekur nga gripi janë të moshuarit të cilët kanë sëmundje tjera shoqëruese dhe më të vegjlit prej 0 deri në 4 vjeç, pasi që një grup i fëmijëve janë ende të pavaksinuar, shton Mehmedoviqi.
Drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana, thotë se një numër i madh i pacientëve të shtruar nga gripi, kanë sëmundje tjera kronike që pak vështirëson kurimin e tyre.
“Përveç komplikimeve që shkakton vetë grupi, pacientët të shtruar janë edhe me disa sëmundje shoqëruese të tjera. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për grupmoshën më të vjetër, e cila është më ndjeshme e që gripi në mënyrë shtesë mund t’u shkaktojë komplikime më të mëdha.”, – theksoi drejtori i Klinikës Infektive – Shkup, Fadil Cana.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik në Shkup nga data tre e deri më nëntë shkurt të këtij viti janë regjistruar 2.880 raste me grip.
Prej tyre rreth 1.552 janë prej moshës 15 – 64 vjeç, 685 raste janë fëmijë të moshës deri në 14 vjeç, 371 fëmijë të moshën 0 – 4 vjeç dhe rreth 272 të moshuar mbi 65 vjeç. Komisioni do të vazhdojë të ndjekë gjendjen epidemiologjike në vend dhe në bazë të numrave do të dalë me masa dhe rekomandime të reja.
BURIMI: zhurnal.mk