Grindjet brenda FETO-s zbulojnë korrupsionin dhe pasurimin e disa anëtarëve të organizatës terroriste

MUCAHIT OKTAY

Brenda anëtarëve të organizatës terroriste FETO ka shpërthyer një mosmarrëveshje për korrupsion të brendshëm dhe pasurim personal të disa anëtarëve, ndërsa në fokus është rasti i Mustafa Ozcan-it, i cili njihet si thesari i fshehtë i liderit terrorist të FETO-s, Fethullah Gulen, dhe i cili hapi një kompani me partnerin e tij sekret Ali Çelik në Britaninë e Madhe duke arritur pasuri prej miliona dollarësh, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sipas raporteve të disponueshme publike, kompania e ndërtimit “Gold Mark Investments Limited” ka funksionuar në Britani të Madhe që nga viti 2015, në pronësi të plotë nga biznesmeni Ali Çelik, kurse vlera e saj vlerësohet në 4,269 milionë funta.

Raportet e njëjta tregojnë se kompania e udhëhequr nga Çelik është rritur me 279 për qind në tre vitet e fundit, kurse xhiroja e saj vitin e kaluar arriti në 17,4 milionë funta. Rritja mesatare e të gjitha kompanive të tjera në sektor në atë periudhë ishte vetëm 4,1 për qind.

Zbulohen lidhje të fshehta Ozcan-Çelik

Ish-gazetari i gazetës së mbyllur “Zaman” dhe i arratisuri i akuzuar për anëtarësim në organizatën terroriste FETO, Ahmet Donmez, zbuloi detaje në lidhje me biznesmenin Mustafa Ozcan, për të cilin tha se ai administron vullnetarisht paratë e organizatës me sistemin e tij.

Ozcan njihet si një njeri tjetër brenda hierarkisë terroriste FETO, kurse grindjet brenda kësaj organizate u ndezën pasi Donmez njoftoi se Ozcan kishte emëruar Ali Çelik-un si kreun e Bank Asya-s dhe se ai kishte përdorur fondet e bankës jashtë të gjitha rregullave.

Donmez pretendon se Celik, i lindur në vitin 1957 në Erzurum, disa vite kishte tregtuar teknikë të bardhë në Stamboll dhe u pranua në organizatën terroriste FETO përmes Ozcan-it, i cili ishte i njohur si një predikues i FETO-s në rrethin Kartal të Stambollit në vitet 1990. Që nga ajo kohë, Çelik ka realizuar përparime të mëdha në biznesin e tregtisë.

Anëtarësimi i FETO-s dhe organizata terroriste preferuan tregtinë me Çelik-un dhe ai ishte shpallur për shumë vite tregtari më i suksesshëm i teknikës së bardhë në Turqi dhe më gjerë.

“Por Çelik i është plotësisht borxhli Mustafa Ozcan-it, i cili e bëri atë biznesmen të madh, për ngritjen e tij nga pronari i një salloni të teknikës së bardhë deri te menaxheri i përgjithshëm sekret i një prej bankave më të mëdha turke. Ozcan e emëroi Çelik-un si menaxher në Bank Asya, Kaynak Holding, Kolegjin Coskun, Televisionit Samanyolu dhe disa ndërmarrje ndërtimi”, shkroi Donmez.

Donmez zbuloi më tej se Ozcan dhe Çelik janë gjithashtu bashkëthemelues të Spitalit Sema, ku Ozcan është president dhe Çelik është nënkryetar i bordit.

Ozcan dhe Çelik hedhin poshtë akuzat

Ozcan dhe Çelik janë të vendosur në Britani dhe hedhin poshtë pretendimet se ata u përpoqën të nxirrnin 17 miliardë lira nga banka përpara se fondet e saj të bllokoheshin nga agjencia kompetente turke TMSF.

Ozcan iu përgjigj akuzave nga Donmez përmes një avokati dhe tha se ai nuk kishte asnjë lidhje me emërimin e Çelik-ut në bordin e drejtorëve në Bank Asya.

Çelik gjithashtu mohoi akuzat për kontrabandë parash nga Turqia, kurse anëtarët e organizatës terroriste FETO pyetën në komente në Twitter se nga u erdhi kapitali me të cilin hapi kompaninë në Britani të Madhe.

Vëmendja e veçantë e anëtarëve të FETO-s në Twitter u tërhoq nga mesazhi i ish-gazetarit të arratisur Donmez.

“Si disa njerëz, me çdo mënyrë, ndajnë miliona nga Bank Asya, ku paratë liheshin nga njerëzit që shisnin makina, byzylykë ose vathë”, shkroi Donmez, kurse pjesëmarrësit në diskutim komentuan se anëtarësia e FETO-s u ftua në mënyrë mashtruese që të depozitojë para në këtë bankë në mënyrë që të parandalohet mbyllja e saj, e cila pretendohet se mund të shkaktojë likuidimin e letrave të garancisë të lëshuara nga banka për të gjitha universitetet dhe institucionet arsimore që janë jashtë vendit të lidhur me organizatën terroriste FETO.

Çelik është një nga të pandehurit kryesorë në gjyqin kundër organizatës terroriste FETO në Turqi, kurse në nëntor 2018, një gjykatë në Londër refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij në Turqi.

Iniciatori kryesor i grindjes brenda FETO-s, duke pretenduar se disa anëtarë përdorën paratë e organizatës për pasurimin e tyre, ishte gazetari i arratisur Donmez, i cili u kundërshtua nga ish-kryeredaktori i gazetës “Zaman”, Ekrem Dumanli.

Diskutimit në Twitter gjithashtu iu bashkua dhe Tuncay Opcin, i cili është gjithashtu në arrati si i dyshuar për anëtarësim në organizatën terroriste FETO.

“Nuk shihesh me gruan me të cilën po divorcohesh. Tërhiqesh dhe largohesh nga grupi nga i cili jeni ndarë filozofikisht. Po largohesh dhe po bën ende telashe para derës. Hizmeti nuk ka problem me sistemin, por me karakterin e disa vullnetarëve. Sot qesh me emrat e njerëzve që kritikojnë Ekrem Dumanli-në dhe Zaman-in”, ka shkruar Opcin.

“Xhemati Paralel” i Mustafa Ozcan-it

Në një seri artikujsh rreth Mustafa Ozcan-it, Donmez shkroi se ai kishte ngritur kuadrot e tij brenda organizatës terroriste dhe kishte krijuar një “xhemat paralel” brenda FETO-s, duke shtuar se Ozcan ishte njeriu i dytë më me ndikim brenda këtij rrjeti terrorist dhe se lideri Gulen nuk mundet pa të.

Ozcan ishte në krye të terroristëve të infiltruar brenda Forcave Ajrore Turke në vitet 1990 si terrorist i FETO-s, kurse Donmez shkruan për të si një person misterioz që me shumë gjasë do të pasojë Gulen-in në krye të FETO-s.

“Ai gjithmonë dëshiron që gjithçka të jetë e varur prej tij dhe t’i kontrollojë të gjithë. Ai është një ekzekutor në punë. Pa hezitimin dhe pyetjen më të vogël, ai bën atë që i kërkoi Gulen. Ai kërkon detyrat më të vështira nga të cilat shumë kanë frikë. Ai është i pamëshirshëm atje ku duhet të jetë. Nëse mund të them kështu, nga ai kërkohen punët e ndyra”, shkroi Donmez.

Prokuroria turke deklaroi në padinë kryesore kundër organizatës terroriste FETO se Mustafa Ozcan ishte një nga të parët që qëndroi pranë udhëheqësit të organizatës, Gulen, dhe se ai aktualisht është në hierarki menjëherë pas Gulen-it.

Në Turqi, Ozcan është akuzuar në një numër hetimesh për një sërë krimesh, duke përfshirë udhëheqjen e një organizate terroriste dhe mbështetjen e përpjekjeve për të përmbysur rendin kushtetues. Disa urdhra arresti janë lëshuar për arrestimin e tij.

Ozcan është gjithashtu në “listën e kuqe” të terroristëve më të kërkuar në Turqi, ndërkaq, ministria e brendshme e vendit ka ofruar shpërblim në para prej dhjetë milionë lirash për informacionin që mund të çojë në arrestimin e tij.



.. .

Ngjarja paraprake

Kush e kërkon Loewin?

Ngjarja e ardhëshme

Kovid RMV/ 29 të vdekur,1 264 raste të reja. Shërohen 722pacientë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian