Gjykim gjatë Kovidit-19

Shkup, 3 tetor 2020 (MIA) – Pandemia e shkaktuar nga Kovid-19 e ndryshoi funksionimin dhe punën në të gjitha fushat e jetës. Teknologjia dhe veglat e reja në mënyrë të përshpejtuar e gjejnë rrugën e tyre në të gjithë sektorët, po madje edhe në industri në të cilat paraprakisht kanë qenë të paimagjinueshme.

Autoritetet shëndetësore një kohë të gjatë përsërisin se mënyra e vetme për mbrojtje nga virusi është respektimi rigoroz i masave dhe protokolleve – mbajtje të maskave dhe mbajtjen e distancës sociale. Me masa dhe protokolle të tilla vazhdon puna edhe e gjykatave në vend.

Në Gjykatën Themelore Penale gjykimet zhvillohen me intensitet prej para koronës. Fatkeqësisht, teknologjia, ende, nuk e gjen rrugën deri te ndërtesa e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, kështu që seancat gjyqësore zhvillohen me ndjekjen e masave dhe protokolleve rigoroze.

Derisa për dikë shembujt nga gjykatat, si ajo në Masaçusets, në SHBA që seancat gjyqësore i transmeton përmes lidhjeve onlajn të konferencës për opinionin, duken si të paarritshme, në Gjykatën Themelore Penale në Kavadar tashmë u mbajt gjykimi i parë onlajn.

Gjykata Themelore në Kavadar e mbajti gjykimin e parë onlajn në prill të këtij viti

Derisa Gjykata Themelore në Kavadar më 15 prill të këtij viti mbajti gjykim onlajn për grabitje duke përdorur platformën elektronike për komunikim audio vizual Majkrosoft Tims, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, tashmë një kohë më të gjatë ka hapësirë tërësisht të pajisur për video transmetim të seancave gjyqësore, donacion nga misioni i OSBE-së në Shkup, por fatkeqësisht ende nuk është vendosur në funksion.

Qendra, që ishte promovuar në shkurt të vitit të kaluar, është e pajisur me gjashtë kompjuterë dhe pajisje audio dhe video për ndjekjen e gjykimeve në Gjykatën 1, por ajo ende nuk është vendosur në funksion.

Nga Gjykata në Shkup për MIA-n informojnë se janë duke bërë përpjekje që të mundësohen kushte teknike dhe të sigurisë se si gazetarët t’i ndjekin debatet kryesore përmes pajisjes audio dhe video në qendrën mediatike.

– Në përputhje me dispozitat ligjore, nëse në debatin kryesor janë të ftuar dy ose më shumë dëshmitarë në procedurën, gjatë marrjes në pyetje të njërit dëshmitar, dëshmitarët tjerë, të cilët ende nuk janë marrë në pyetje, nuk guxojnë të dëgjojnë dhe të dinë prononcimin e dëshmitarit paraprak. Duke marrë parasysh faktin se qendra mediatike gjendet menjëherë pranë sallës së madhe të gjyqit ku presin dëshmitarët që të jenë të ftuar dhe të merren në pyetje në gjykatë, gjykata bën përpjekje që të mundësojë kushte teknike dhe të sigurisë se si gazetarët do të mund t’i ndiqnin debatet kryesore përmes pajisjes audio dhe video të vendosur në qendrën mediatike, e me këtë rast të respektohen dispozitat ligjore, theksojnë për MIA-n nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Sipas kryetarit të gjykatës në Kavadar, Llazar Nanev, situatën me Kovid-19 e kanë shfrytëzuar për organizimin e gjykimit të parë onlajn, me kërkesë të të akuzuarit.

– Më duhet të theksoj, se me kërkesë të palëve, me distancë fizike të të akuzuarit, i cili gjendej në repartin e paraburgimit në burgun në Shkup dhe përmes avokatëve në Gjevgjeli dhe Veles, u mundësua një revolucion i ri në pjesën e vendosjes dhe zbatimit të drejtësisë, tha Nanevi për MIA-n.

Bëri të ditur se në botë ekzistojnë platforma të ndryshme të mbyllura që përdoren për gjykime onlajn.

– Është shumë e rëndësishme, se një ekip i ekspertëve në shtetin tonë punon në krijimin e platformës së mbyllur, përmes Majkrosoft tims, në mënyrë që eventualisht situatat dhe nevojat e ardhshme për gjykime onlajn, përmes mbrojtjes dhe garancisë së plotë të të gjitha palëve gjatë procedurës përmes sigurimit të identitetit digjital të të gjitha palëve, theksoi Nanevi.

Për gazetarët, theksoi ai, përgatitet edhe aplikacion celular për një pjesë të gjykatave, si dhe në disa gjykata tashmë është duke u punuar në sigurimin e live striming për palët dhe tabela elektronike gjyqësore.

– Prej 1 shtatorit të këtij viti hyri në fuqi Ligji për dokumente elektronike dhe identifikim elektronik dhe shërbime të besueshme, që duhet ta zbatojnë edhe sistemet e jurisprudencës. Në këtë mënyrë, nëse gjykatat kanë në dispozicion me pajisje përkatëse, tërësisht do të mund ta digjitalizojnë procesin e tyre, deklaroi Nanevi për MIA-n.

Bën të ditur se Gjykata në Kavadar tashmë e ka përjashtuar përdorimin e letrës në 90 për qind të punës së saj.

Nga Gjykata Penale janë të prerë – respektohen në përpikëri rekomandimet e autoriteteve shëndetësore

Gjykata më e madhe në vend – Gjykata Themelore Penale në Shkup i organizon gjykimet me prani fizike të të gjitha palëve dhe me respektimin rigoroz të rregullave dhe rekomandimeve nga autoritetet shëndetësore.

– Gjatë hyrjes së ndonjë personi në gjykatë, pa dallim nëse është gjykatës, nëpunës gjyqësor ose palë në procedurë i matet temperatura trupore me pajisjen pa kontakt dhe nëse vërtetohet temperaturë mbi 37.5 nuk i lejohet hyrje në gjykatë, ndërsa për mungesën e tij dhe arsyet për të njëjtën informohet udhëheqësi – nëse bëhet fjalë për nëpunës ose gjykatës kompetent – nëse bëhet fjalë për palë në procedurë, informojnë nga Gjykata për MIA-n.

Palët, bëjnë të ditur nga Gjykata, janë të obliguar gjatë hyrjes në gjykatë dhe gjatë lëvizjes nëpër gjykatë dhe pranisë në gjykatë, vazhdimisht të mbajnë maskë mbrojtëse ose vizir, ndërsa me detyrimin e njëjtë janë të obliguar edhe të punësuarit në sportelet, gjykatësit, gjykatësit-porotë dhe mbajtësit e procesverbaleve të pranishëm në sallat e gjykatës, për të cilin qëllim gjykata u siguroi pajisje mbrojtëse.

Të pyetur për atë se si respektohen masat brenda në sallën e gjykatës dhe nëse ka pasur ankesa për mosrespektim, nga Gjykata përgjigjen se në secilin sportel dhe në sallat e gjykatës është vendosur xhel për dezinfektim të dedikuar për palët, ndërsa në hyrje të godinës së gjykatës dhe në çdo korridor para sallave të gjykatës janë shënuar vende për qëndrim në mënyrë që të mirëmbahet distanca e përcaktuar.

– Në sallat më të vogla të gjykatës mbahen debate ku nuk ka më shumë se 5 deri 6 palë në procedurën derisa të gjitha gjykimet tjera me më shumë palë dhe opinion të interesuar mbahen në tri sallat e mëdha të gjykatës ku është përshtatur orari i qëndrimit në distancë prej 2 metrave. Njëherësh sallat e gjykatës pastrohen nga shërbimet e gjykatës, ndërsa një herë në javë sallat e gjykatës, sportelet dhe tualetet dezinfektohen nga një ndërmarrje profesionale për mirëmbajtje, informojnë nga Gjykata.

Bëjnë të ditur se duke iu falënderuar respektimit të këtyre masave dhe protokolleve, deri tani asnjë i punësuar nuk ka lajmëruar se është i infektuar me virusin ose se ka marrë vendim për izolim, ndërsa gjatë gjithë kohës prej shpalljes së pandemisë e deri tani, gjykata përkundër numrit të reduktuar të të punësuarve dhe kushteve të jashtëzakonshme për punë, ka treguar azhurnim maksimal dhe profesionalizëm në punë.

Gjykimet për të disa të sigurta, për të tjerë jo, ndërsa të tretët konsiderojnë se mundet dhe duhet të bëhet më shumë

Lidhur me atë se si ndjehen ata personalisht në vetë seancat gjyqësore, biseduam me disa pjesëmarrës në procedurë para Gjykatës Themelore Penale në Shkup një javë më parë.

Sipas prokurorit publik Gavrill Bubevski, nga përvoja e tij personale si prokuror nga fillimi i pandemisë, konsideron se Gjykata dhe Këshilli Gjyqësor kanë krijuar kushte në të cilat një pjesëmarrës në procedurë, duke përfshirë edhe prokurorin edhe palët edhe prokurorët, të ndjehen të sigurt në kuptimin që të jenë të sigurt në aspektin shëndetësor se nuk do të sëmuren nga sëmundja Kovid-19.

– Protokollet që zhvillohen në Gjykatë, nga hyrja në godinën e gjykatës me matjen e temperaturës, me distancë mes pjesëmarrësve, me mbajtjen e maskave të detyrueshme, në fillim edhe dorëza, të cilat tashmë mendoj se nuk është në protokoll, me një shtrirje të tillë deri tani nuk jam i njoftuar për asnjë rast të mundshëm që të jetë bartur sëmundja Kovid-19 te ndonjë pjesëmarrës në procedurë. Konsideroj se janë respektuar tërësisht procedurat. Gjykatat veprojnë rregullisht. Në sallën e gjykatës ka distancë, edhe opinioni edhe palët në kontestet janë të sigurt në këtë pjesë, shprehet Bubevski për MIA-n.

Për atë se si ndikon pandemia në punën e tij të përditshme, Bubevski shprehet se në fillim shumë më tepër, krahasuar me tani.

– Në fillim edhe virusi ishte shumë i paqartë, tani përafërsisht duhet doemos të mosohemi të jetojmë me të dhe ky është fakt. Ngadalë të gjithë tashmë po mësohemi të jetojmë me të dhe po përshtatemi me mënyrën e funksionimit të institucioneve. Konsideroj se tashmë të gjitha institucionet që veprojnë, se tashmë ngecjet nuk do të jenë në atë nivel, si në fillim dhe dalë ngadalë po përshtatemi dhe kjo nuk mund të jetë më arsyetim për mosveprim, deklaroi Bubevski.

Avokati Elenko Millanov, nga ana tjetër, në bisedën për MIA-n theksoi se në fillim Gjykata ka ndërmarrë masa dhe ka prolonguar disa seanca me më shumë njerëz të pranishëm, por nuk ka dëgjuar se ekziston protokoll i përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë për atë se si do të zhvillohen proceset në sallën e gjykatës, që të gjithë janë në hapësirë të mbyllur.

– Thuajse për çdo ditë jam i pranishëm në sallën e gjykatës në të cilën ka nga së paku dhjetë, po edhe deri 40 ose 50 njerëz. Këto janë seanca, në të cilat të gjithë ne, jemi të ekspozuar ndaj rrezikut nga mundësia e përhapjes së Kovid-19, për shkak se seancat shumë shpesh zgjasin nga më shumë orë, nuk dezinfektohen dhe nuk ka madje as kushte në pjesën më të madhe të sallave të njëjtat të jenë të ajrosura në mënyrë përkatëse, deklaroi Millanovi.

Konsideron se duhet të ndërmerren masa dhe të përcaktohen protokollet, meqë pjesës më të madhe të gjykimeve distanca nuk është as një metër dhe maskë mbrojtëse është mjeti i vetëm mbrojtës.

Lidhur me atë se si ndikon kriza e Kovidit në punën e tyre, Millanovi shprehet se si edhe në të gjitha segmentet e jetës, është normale se vështirësohet meqë të gjitha komunikimet janë zvogëluar dhe pamundësuar.

– Keni shumë institucione që nuk pranojnë fare postë në sportel. E gjithë kjo duhet doemos të shkojë në formë të shkruar, gjë që e zvarritë afatin edhe për mundësinë e marrjes së përgjigjes dhe për mundësinë e sigurimit të dëshmive në afatet ligjore të përcaktuara në LPP, deklaroi Millanovi.

Gazetari Mateja Petrovski, shprehet se te një pjesë e madhe e gjykimeve respektohen rekomandimet dhe ka distancë në sallën e gjykatës, mirëpo në sallat më të vogla të gjykatave nuk ka distancë të mjaftueshme.

– Mendoj se në gjykatë duhet pak më shumë të respektohen rekomandimet për mbrojtje nga Kovid-19. Maska nuk mbahen, por duhet dhe nuk ka distancë, deklaroi Petrovski.

Konsideron se gjykimet më të mëdha, të cilat janë më interesante për opinionin duhet të mbahen në sallën e madhe të gjykatës në ndërtesën e re të Gjykatës Penale.

Sipas Mirjana Kostadinovska nga Shoqata Thjerrëz e gjelbër, krahasuar me periudhën para pandemisë së shkaktuar nga Kovid-19 kur seancat gjyqësore ishin ndjekur prej një numri më të madh të mediave, organizatave joqeveritare dhe opinionit, situata e tanishme ka ndryshuar në mënyrë drastike.

– Shoqata Thjerrëz e gjelbër që nga vetë fillimi i pandemisë me ritëm të njëjtë i ndjekë proceset gjyqësore dhe mund të konstatojmë se masat e përcaktuara për mbrojtje nga Qeveria dhe Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse mund të respektohen vetëm në sallën numër 1 të gjykatës në katin e parë të Gjykatës Penale, që mundëson kushte për zbatimin e plotë të masave dhe rekomandimeve, shprehet Kostadimovska për MIA-n.

Gjatë hyrjes në Gjykatë, bën të ditur ajo, ndërmerren të gjitha masat me matjen e temperaturës, përdorimin e mjeteve për dezinfektim dhe maska mbrojtëse, por në sallat e gjykatës këto masa respektohen vetëm pjesërisht.

– Ka dukuri gjithnjë e më të shpeshta që nuk i përdorin maskat në sallat e gjykatës, ndërsa për shkak të mungesës së hapësirës së mjaftueshme në sallat e gjykatës është e pamundshme mirëmbajtja e distancës prej së paku dy metrave. Në sallat e vogla të gjykatës është dukuri gjithnjë e më e shpeshtë të mbahen seanca me mbi 50 deri 60 palë, në mesin e të cilëve edhe persona të paraburgosur. Në rrethana të këtilla asnjë pjesëmarrës në procedurat nuk mund të ndjehet i sigurt. Unë personalisht,

si vëzhgues përkundër faktit që i përdor të gjitha masat mbrojtëse megjithatë nuk ndjehem i sigurt, mirëpo për shkak të faktit që për vetë lëndët gjyqësore është me rëndësi që opinioni të jetë i informuar me kohë vazhdojmë me monitorim, shprehet Kostadinovska.

Në rrethana të këtilla, ajo rekomandon, procedurat gjyqësore ku do të ketë më shumë palë, seancat gjyqësore të mbahen në salla më të mëdha gjyqësore në ndërtesën e vjetër dhe të re të Gjykatës Penale, ndërsa mediave dhe organizatave joqeveritare t’u mundësohet ndjekje audio dhe vizuale e lëndëve.

Aleksandar Atanasov

Ngjarja paraprake

Ish ushtari nga Tetova ka nevojë për ndihmë, duhet të operohet në Turqi (Dokument)

Ngjarja e ardhëshme

Skenderaj përgatitet në Shqipëri! Kadriu flet për situatën në klub

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian