Gjykata në Beograd ka shtyrë vendimin për ekstradimin e Ecevit Piroglu në Turqi

Gjykata e Apelit në Beograd ka shtyrë deri më 17 qershor vendimin për ankesën e avokatëve mbrojtës kundër vendimit të gjykatës më të ulët për ekstradimin në Turqi të politikanit dhe aktivistit kurd Ecevit Piroglu.

Më herët Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim se ekzistojnë kushtet për ekstradimin e shtetasi turk.

Siç tha avokati i tij Milan Vukoviq për Radion Evropa e Lirë, seanca publike në procedurën që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit është shtyrë, për shkak të problemeve me përkthimin.

“Kur i pandehuri ka filluar të paraqesë mbrojtjen e tij, por jo atë që ka deklaruar në ankesë, përkthyesi ka përkthyer gabimisht, duke theksuar se nuk e kupton se çfarë po thotë i pandehuri, sepse flet me theks kurd”, tha Vukoviq.

Avokati gjithashtu deklaroi se përkthyesi ishte i njëanshëm në përkthimin.

“Më pas ai komentonte përkthimet, duke thënë se i akuzuari gënjen dhe manipulon faktet”, ka shtuar Vukoviq.

Në përgjigjen ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Gjykata e Apelit nuk komentoi pretendimet e mbrojtjes, por vetëm përsëriti informacionin se për shkak të problemeve të përkthimit, është marrë vendim për caktimin e një përkthyesi të ri gjyqësor dhe se seanca e radhës publike është caktuar për datën 17 qershor.

Nga Nisma për lirinë e Ecevit Piroglu, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se ai akuzohej për dy gjëra, për grabitje dhe për anëtarësim në organizata terroriste.

Avokati i shtetasit turk Ecevit Piroglu u tha gazetarëve se ka disa shkelje të procedurës, ndërkaq shkelja më e madhja ka të bëj me atë se urdhri për arrestimin e tij në Turqi, ishte lëshuar nga një gjykatë për kundërvajtje dhe jo nga një gjykatë penale, duke shpjeguar se dhënia e ndihmës juridike ndaj një vendi tjetër bëhet vetëm për veprat penale.

“Shkeljet e procedurës janë të tilla dhe pres që ose të refuzohet kërkesa e Turqisë për ekstradim ose çështja të kthehet në gjykatën e shkallës së parë, për një vendim të ri”, tha Vukoviq.

Edhe Nisma për lirinë e Ecevit Piroglu deklaroi se i pandehuri është i akuzuar edhe se ai është anëtar i disa organizatave të ndryshme ideologjikisht të kundërta.

“Për këtë njeri pretendohet se është anëtar i PKK (Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit) dhe i një organizate tjetër komuniste në Turqi, e cila ka një ideologji krejtësisht të ndryshme nga PKK-ja dhe ai nuk mund të jetë anëtar i të dyja organizatave”, shpjeguan nga nisma.

Në prag të fillimit të seancës në sallën e gjyqit, para Gjykatës së Apelit u mbajt protesta e Nismës për Lirinë Ecevit Piroglu.

Më 2 qershor, Komiteti kundër torturës i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Beogradit që të përmbahet nga ekstradimi i Piroglu në Turqi, derisa po vazhdon shqyrtimi i çështjes së tij në kuadër të këtij organi.

Ndërkohë, Ecevit Piroglu ka filluar një grevë urie në paraburgimin e ekstradimit në Serbi, tha Nisma për lirimin e tij./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pse disa njerëz zgjohen gjithmonë në të njëjtën orë të natës?

Story i radhës

Pse Shqipëria qe 2 dekada nuk e denoncoi në OKB gjenocidin e Serbisë në Kosovë ?!

Të fundit nga