Gjykata e Lartë në Bjellorusi lë në fuqi dënimet e ashpra ndaj figurave të opozitës

Gjykata e Lartë e Bjellorusisë ka hedhur poshtë apelin e paraqitur nga një grup blogerësh, aktivistësh të opozitës dhe bashkëshortit të lideres në mërgim të opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya, të cilët u dënuan të gjithë në dhjetor për akuza, që ata dhe mbështetësit e tyre i kanë argumentuar si politikisht të motivuara.

Syarhey Tsikhanouski, konsulent i RFE/RL dhe blogeri Ihar Losik, politikani veteran i opozitës Mikalay Statkevich, dhe aktivistët Uladzimer Tsyhanovich, Dzmitry Papou dhe Artsyom Sakau, u arrestuan nga oficerët e sigurisë bjelloruse përpara zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020, që sollën fitoren e një mandati të gjashtë për liderin autoritar Alyaksandr Lukashenka, pavarësisht opinionit të gjerë se këto zgjedhje ishin të manipuluara.

Në seancën e 1 qershorit, gjykata la në fuqi dënimin e dhënë me 18 vjet për Tsikhanouski, dënimet me nga 16 vjet për Papou dhe Sakau, dënimet me nga 15 vjet për Losik dhe Tsyhanovich dhe një dënim me 14 vjet që Statkevich mori për të ashtuquajturin “organizimin e trazirave masive”, nxitja e urrejtjes sociale, pengimi i veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizimi i aktiviteteve që prishnin rendin shoqëror.

Detajet e sakta të akuzave dhe çështjeve të ngritura ndaj gjashtë të pandehurve mbeten të panjohura, pasi seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Grupet e të drejtave të njeriut i konsiderojnë ata të burgosur politikë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar dënimet e dhëna ndaj tyre më 14 dhjetor 2021, nga një gjykatë në qytetin juglindor të Homel.

Sulmet ndaj lëvizjes pro-demokratike janë intensifikuar që kur shpërthyen protestat masive në prag të rizgjedhjes së Lukashenkës, zgjedhje të cilat nuk janë njohur nga opozita dhe Perëndimi.

Tsikhanouski ishte një video-bloger i njohur që synonte të kandidonte kundër Lukashenkës përpara se të s’kualifikohej dhe të arrestohej. Pasi bashkëshorti i saj u s’kualifikua nga gara elektorale, Tsikhanouskaya mobilizoi votuesit dhe fitoi zgjedhjet, sipas opozitës dhe shteteve perëndimore.

Tsikhanouskaya jeton në mërgim në Lituani që kur u largua nga Bjellorusia për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e saj dhe të dy fëmijëve të çiftit.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, gjashtë personat pritet të transferohen së shpejti në burgje për të kryer dënimin./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Turisti anglez bie nga kati i 3 i hotelit në Dhërmi, dyshohet se ishte i dehur

Story i radhës

1 Qershori është dhe Dita Ndërkombëtare e Prindërve, ‘heronjtë e ditëve tona’

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish