Gjykata e Lartë hedh poshtë përpjekjen e Presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë një padi të ngritur nga shteti i Teksasit në këtë gjykatë, që synonte të bënte të pavlefshme miliona vota në katër shtete fushë-betejë ku ka fituar zoti Biden.

Padia ishte ngritur në Gjykatën e Lartë nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, një prej mbështetësve të Presidentit Donald Trump.

Padia kërkonte që të zhvlerësoheshin rezultatet në shtetet Xhorxhia, Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin – me një total prej 62 votash elektorale.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë thanë në një deklaratë se Teksasi nuk ka bazë ligjore për të ngritur një pretendim të tillë përpara saj.

“Teksasi nuk ka demonstruar ndonjë interesim të pranueshëm nga pikëpamja juridike për mënyrën se si një shtet tjetër i kryen zgjedhjet e tij,” u shpreh gjykata.

Në zgjedhjet presidenciale amerikane, është Kolegji Elektoral dhe jo vota popullore ajo që përcakton fituesin. Për të fituar, kandidatit i duhet të sigurojë të paktën 270 vota elektorale. Presidenti i zgjedhur Joe Biden mori 306 vota elektorale, kundrejt 232 të Presidentit Trump.

Pas humbjes së dhjetëra sfidave gjyqësore ndaj fitores së zotit Biden, Presidenti Trump i kishte përqendruar përpjekjet tek padia e Teksasit.

Edhe pse disa ekspertë ligjorë ishin shprehur qysh më parë se padia nuk kishte shanse për sukses, zoti Trump tha në Twitter, se “Gjykata e Lartë ka një shans për të shpëtuar vendin tonë nga abuzimi më i madh zgjedhor në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Ngjarja paraprake

Nicki Minaj nuk i “rezistoi” dot videos së Hanës, ja çfarë bën Loredana

Ngjarja e ardhëshme

Horoskopi për sot, e shtunë 12 dhjetor 2020

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian