Gjorgiev: Për ne mbetet e papranueshme kërkesa që Goce Dellçevi të regjistrohet si bullgar

Shkup, 28 shtator 2020 (MIA) – Kërkesa e Bullgarisë që Goce Dellçevi të regjistrohet si bullgar mbetet e papranueshme për palën maqedonase, tha Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i ekipit maqedonas në Komisionin e përbashkët multidisiplinar për çështjet historike me Bullgarinë.

Ai në intervistën për TV Telma para takimit të ri të Komisionit të përbashkët multidisiplinar për çështjet historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do të mbahet në Shkup më 15 dhe 16 tetor pas një pauze prej gati një viti, e komentoi kërkesën e ekipit bullgar që vjen në Shkup me pozicion të pandryshuar, që Goce Dellçevi të identifikohet si bullgar.

“Në zgjidhjen e situatave të tilla të konfliktit, nëse e marrim përvojën evropiane, gjithmonë ekziston një dialog për çështje të pazgjidhura. Për shumë situata konfliktuale, dialogu është zgjidhja e vetme. Ne do ta vazhdojmë dialogun për Goce Dellçevin. Sidoqoftë, në atë dialog, gjithmonë duhet të kërkohet një zgjidhje që është e pranueshme për të dy palët. Një zgjidhje e pranueshme do të thotë në të cilën nuk do të ketë fitues, përkatësisht të dy palët do të jenë të kënaqur me zgjidhjen. Pranimi i një zgjidhjeje të njëanshme për Goce Dellçevin, qoftë ai bullgar apo maqedonas nuk është zgjidhje në këtë mosmarrëveshje”, thotë Gjorgiev.

Për atë se ku sheh zgjidhje për këtë, ai iu referua përvojës evropiane dhe zbatimit të mjetit të multiperspektivitetit, përkatësisht kur merren parasysh të dy perceptimet e një ngjarjeje të veçantë ose të një personi të caktuar.

“Këto dy perceptime janë të barabarta kur ato paraqiten para publikut, duke e parë ngjarjen ose personin në njërën anë dhe duke e parë ngjarjen ose personin në anën tjetër – si e shohin të dy palët atë ngjarje. Dhe ai perceptim i barabartë drejt një keqkuptimi të caktuar, për një person apo ngjarje të caktuar, unë mendoj se në këtë moment është një zgjidhje për ta tejkaluar mosmarrëveshjen me Goce Dellçevin”, thotë shefi i ekipit maqedonas nga Komisioni i përbashkët multidisiplinar për çështjet historike.

I pyetur nëse ata ua kishin propozuar këtë kolegëve të tyre bullgar deri më tani dhe për reagimin e tyre, ai konfirmoi se në takimin e Ohrit në tetor, nga ana jonë është dhënë një propozim i tillë, por më pas pala bullgare e refuzoi atë propozim.

I pyetur në lidhje me Memorandumin që Bullgaria ia dërgoi Komisionit Evropian mbi kornizën negociuese në të cilën ajo e mohon ekzistencën e kombit maqedonas dhe gjuhës maqedonase para vitit 1944, ku thekson se kjo është inxhiniering etnik dhe akuzon për rishikimin e historisë së përbashkët, Gjorgiev është i bindur se kombet nuk krijohen me dekret.

“Kombet nuk krijohen me dekret, as kombet nuk mund të krijohen nga një person, një organ me vendim. Krijimi i kombeve është një proces i gjatë dhe shumë kompleks. Prandaj, pretendimi se kombi maqedonas u krijua me një dekret në 1944 nuk ka absolutisht asnjë bazë shkencore”, thotë tutje Gjorgjiev.

Procesi i krijimit të këtij kombi modern maqedonas, shpjegon ai, fillon në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe kalon nëpër të gjitha fazat nëpër të cilat kalojnë kombet e tjera të Ballkanit, këtu në fqinjësinë tonë.

“Rruga jonë nuk ndryshon absolutisht nga rruga e kombeve të tjerë. Dhe të pretendosh se ne jemi një komb i krijuar brenda natës nga asgjëja, për mendimin tim, nuk është shkencore. Ndërsa në rastin e rishikimit të historisë, ju mund t’i rishikoni disa ngjarje, ta rishikoni historinë, vetëm nëse keni dokumente të reja përkatëse. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet një rishikim i historisë. Kur me argumente, me dokumente, ai rishikim do të bëhet me të vërtetë e domosdoshme. Sidoqoftë, një rishikim me presion politik me ndonjë argument joshkencor nuk mund të bëhet dhe absolutisht që nuk është qëllimi i këtij Komisioni, të bëj shqyrtim të historisë”, nënvizon Gjorgiev. ls/fab

Ngjarja paraprake

Loris Karius afër transferimit në Bundesliga

Ngjarja e ardhëshme

Spasovski: Mosrespektimi i masave për vetizolim dhe izolim sjell përgjegjësi penale

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian