Gjithçka gati për fillimin e Manifestimit tradicional “Flakadani i Karadakut 2022”

Të hënën më 21 mars, do të nis Manifestimi Tradicional Kulturor e Sportivë “Flakadani i Karadakut 2022. Udhëheqësit e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, kanë bërë të ditur sot se janë bërë gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij manifestimi. Drejtori për Kulturë, Rini e Sport Valmir Sahiti, ka shpalosur disa pika nga programi i aktiviteteve të këtij manifestimi, i cili do të shënojë hapjen të hënën prej orës 18:00 në sheshin Nijazi Azemi, me ndezjen e flakadanit.

“E veçanta e Manifestimit të sivjetmë është viti jubilar, që do të thotë se këtë vit përmbushim 20 vite të veprimtarisë së rrugëtimit të Flakadanit të Karadakut, që personifikon figurën e dëshmorit Nijazi Azemi-Komandant Mjekrra. E ndezja e Flakadanit do të shënojë hapjen e Manifestimit që i paraprinë aktiviteteve që do të zhvillohen për gjatë 6 ditëve, pra deri më 26 mars, kur do të bëhet përmbyllja në ditën e rënies së dëshmorit të kombit Nijazi Azemi-Komandant Mjekrra. Më tej drejtori Sahiti theksoi se në ditën e dytë të Manifestimit, më 22 mars, do të mbahen garat rajonale të recituesve prej orës 11:00, kurse Ora e madhe letrare më 23 mars, prej orës 16:00”.

Ndër aktivitetet që zhvillohen në kuadër të manifestimit Flakadani i Karadakut, si ngjarje më kulmore është Festivali i Ansambleve dhe Shoqërive Kulturore Artistike që do të mbahet më 24,25 dhe 26 mars, e që edhe këtë vit ka karakter garues dhe marrin pjesë grupe nga gjitha trojet shqiptare.

“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar dhjetëra shoqëri e ansamble, madje edhe grupe që për herë të parë do të jenë pjesëmarrës të festivalit”, ka thënë Sahiti.

Pjesë tjetër e aktiviteteve të Flakadanit të Karadakut 2022, janë edhe garat sportive, të cilat veç kanë filluar nga dje me turneun në futboll të vogël. Gjithashtu do të mbahen edhe gara në ping-pong dhe në shah. Kurse në ditën e rënies së dëshmorit të kombit Nijazi Azemi, më 26 mars do të bëhen homazhe prej orës 10:00 tek varrezat e dëshmorëve në Viti, e më pas do të mbahet një Akademi përkujtimore prej orës 11:00.

Manifestimi tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2022” do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Haliti. Për dallim nga dy vitet e kaluara që për shkak të pandemisë ka qenë e kufizuar pjesëmarrja në këto aktivitete, konkretisht vitin e kaluar është mbajtur Festivali në mënyrë vizuele, sivjet ai do të mbahet me praninë e publikut.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Refugjatët nga Ukraina nuk do të paguajnë karton të gjelbër gjatë hyrjes në RMV

Story i radhës

“Më mirë e ëma se e bija”, Adelina Tahiri publikon nënën dhe habit ndjekësit (FOTO LAJM)

Të fundit nga