Gjetja e personave të zhdukur në komunizëm

Familjarë të viktimave dhe të zhdukurve në komunizëm për shkak të bindjeve politike u takuan të mërkuren në Shkodër me përfaqësuesin e Komisionit Ndërkombëtar për Përsonat e Zhdukur, në përpjekje për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimeve të tyre, të fshehura nga regjimi komunist. Luigj Ndou, që përfaqëson Shqipërinë në Komisionin Ndërkombëtar për Përsonat e Zhdukur, thotë se deri tani nuk ka patur përpjekje të organizuara, që do të çonin në identifikimin e përsonave të zhdukur. Ndaj, Komisioni po punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe përfshirjen e familjarëve të viktimave në këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.

Zoti Ndou tha se, nga raportimet e familjarëve, janë evidentuar deri tani edhe një numër vendvarrimesh.

“Ka të paktën 27 vendvarrime, ku është përcaktuar qartë lokacioni i vendndodhjes së mundshme, por nuk ka patur asnjë zhvarrin në këto vende. Këto të dhëna janë marrë qoftë nga dëshmitarët, të cilët kanë bërë përpjekje për të gjetur të afërmit e tyre, apo qoftë në bazë të dokumentacionit që është gjetur nëpër arkiva të ndryshme”.

Mes familjarëve të të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit është edhe Ndoc Vat Gjoni nga Pulti i Dukagjinit. Ai thotë se, pas vitit 1991, familja e tij nisi kërkimet për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, por pa sukses pasi mungonin dëshmitë dhe të dhënat arkivore.

“Kam djalin e axhës të zhdukun. Është vra në vitin 1952 në përpjekje me forcat e sigurimit në fshatin Kurte. Kemi ba shumë përpjekje për gjetjen e eshtnave të tij dhe nuk i kemi gjetë deri sot. Edhe sot vazhdojmë me u përpjekë”.

Edhe Ndoc Çulaj, me familjen e tij nga Malësia e Madhe, pas vitit 1991 nisi kërkimet për gjetjen e vendvarrimit të 6 familjarëve të pushkatuar gjatë viteve të komunizmit.

“Nga dega e familjes tonë janë pushkatu gjatë regjimit komunist 6 përsona, nga të cilët 4 në kufi. 5 i kena gjetë pa ndihmën e shtetit, 1 nuk e kena gjetë dhe nuk dihet vendvarrimi i tij”.

Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga shembje e diktaturës në Shqipëri, ende nuk ka një numër të saktë të përsonave të zhdukur si dhe një hartë të vendeve ku ata u varrosën në fshehtësi pas ekzekutimit.

“Ajo që ne dime eshtë se, që nga viti 2018, tek Autoriteti i Dosjeve, Instituti ish të Përndjekurve dhe ICMP janë paraqitur diku rreth 880 kërkesa, pra raportime nga familjarët, të cilët i kanë akoma njerëzit e tyre të zhdukur. Bëhet fjalë për të zhdukurit e periudhës së diktaturës”.

Në vititn 2018, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombetar për Përsonat e Zhdukur (ICMP) duke siguruar që vendndodhjet e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre të hetohen në mënyrë efektive. Ndërkohë, kur kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i diktarurës, në Shqipëri kanë ndodhur transformime të mëdha të territorit, duke e bërë të vështirë procesin e gjetjes së të zhdukurve./VOA

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Udhëtime të lira dhe të sigurta - Një mision i (pa)mundur i qeverisë së Kosovës

Ngjarja e ardhëshme

Oficerët e policisë dëshmojnë para komisionit hetimor për sulmin e 6 janarit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian