Gjermani: Prirjet demografike 30 vjet pas bashkimit

Në Gjermani ka dallime të mëdha rajonale sipas strukturës së moshës, fuqisë ekonomike ose të ardhurave, por këto nuk varen si dikur prej landeve lindore dhe perëndimore.

Studiuesit e demografisë theksojnë se 30 vjet pas bashkimit të Gjermanisë dikotomia e vjetër lindje-perëndim nuk është më kriter kryesor kur bëhet fjalë për popullsinë dhe të ardhmen e rajoneve të ndryshme të vendit. “Sot nuk ka më kuptim të krahasojmë Perëndimin dhe Lindjen”, thotë Norbert Schneider, Drejtor i Institutit Federal për Demografinë (BiB) në Wiesbaden. 

Sociologu bën të qartë se në Gjermani ka dallime të mëdha rajonale kur bëhet fjalë për strukturën e moshës, fuqinë ekonomike ose të ardhurat, por këto dallime nuk janë si dikur mes lindjes dhe perëndimit: “Ne shohim se rajone në lulëzim ka gjithashtu edhe në lindje, krahasuar me rajone të dobëta në perëndim.” – thotë Norbert Schneider dhe sjell si shembull qytetin e Gelsenkirchenit në landin Nordrhein-Westfalen, i cili ka humbur më shumë se një të nëntën e popullsisë së tij që nga fillimi i viteve 1990.

“Në lindje të Gjermanisë ka pasur rënie të popullsisë në shumë zona. Por ka edhe rajone që kanë shënuar rritje,” – thotë demografi Sebastian Klüsener. Përveç zonës përreth qytetit të Jenës, rritje ka shënuar edhe Lajpcigu, Dresdeni, Wajmari dhe së fundi zonat përreth Berlinit.

Roli i infrastrukturës digjitale

Ndërsa në landet lindore janë komunat rurale ose qytetet e vogla që përjetojnë një rënie të popullsisë, tkurrja e popullsisë në perëndim prek qytetet e mëdha. Përveç metropoleve në zonat e Rinit dhe Ruhrit, rënie ka edhe të zonën e Sarbrykenit, ku popullsia ka rënë me nëntë përqind që nga viti 1990.

Image

Në të ardhmen lulëzimi ekonomik dhe bashkë me të rritja e popullsisë do të varen edhe më shumë prej faktit nëse në këtë apo atë zonë është në dispozicion një infrastrukturë digjitale funksionale. Kjo u bë veçanërisht e qartë gjatë Koronës dhe shtimin e prirjes për të punuar nga shtëpia dhe për të blerë përmes internetit.

Nga teknologjitë e reja mund të përfitojnë në veçanti zonat rurale dhe ato periferike, sepse digjitalizimi e ul nevojën për të jetuar në qendër të qyteteve.

Dallime mes gjermanëve dhe të huajve

Edhe në vitet para Koronës është vënë re një largim nga qytetet e mëdha drejt zonave periferike dhe qyteteve më të vegjël. Por kjo vlen për qytetarët gjermanë, sepse të huajt i tërheqin më tepër metropolet, prandaj edhe në metropole po shtohet vazhdimisht përqindja e të huajve.

Image

Në metropolet gjermane shtohet vazhdimisht përqindja e të huajve

Klüsener thotë se ka luhatje në lidhje me preferencat e popullsisë për të jetuar në qytet ose rrethina: “Kohët e fundit, nga metropolet po largohen veçanërisht të rinjtë, gjë që sigurisht ka të bëjë me rritjen e kostove të strehimit,” thotë studiuesi.

E përbashkët për shumë rajone të Gjermanisë është procesi i përshpejtuar i plakjes. Në kohën e ribashkimit, gjysma e gjermanëve ishin më të rinj se 35 vjeç; sot kjo moshë mesatare, e cila ndan statistikisht popullsinë në dy gjysma, është 45 vjeç./DW

Ngjarja paraprake

Mickovski: Pakoja e re e masave ekonomike nuk do të sjellë asgjë të mirë, por në mënyrë shtesë do ta thellojë krizën

Ngjarja e ardhëshme

Në pishina/ Arbana fotografohet me bikini në fund të shtatzanisë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian