Gazetarja Aida Topalli tha në një intervistë për Euronews Albania se aksioni i djeshëm i SPAK ku u lëshuan 11 urdhër-arreste, mes të cilëve edhe për ish-drejtuesin e policisë Erzen Breçani, është vijim i dosjes Metamorfoza.
Ajo tregoi se operacioni është finalizuar në sajë të zbërthimit të përgjimeve të ardhura nga shteti francez në aplikacionin SKY ndërsa në pranga deri tani janë vënë 4 persona mes të cilëve edhe Breçani.
“Në këtë operacion janë arrestuar Erzen Breçani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Eralbi Breçani që është edhe djali i Erzen Breçanit dhe Ervin Mata, siç të gjithë e dimë që është edhe lidhja e krushqisë mes Ervin Matës dhe djalit të Erzen Breçanit.
Janë 3 vepra penale; trafiku i kokainës në disa episode të faktuara nga drejtësia shqiptare dhe ajo holandeze e gjermane. Erzen Breçani akuzohet për pastrim parash dhe sigurimin e kushteve për vrasje, Dedan Gjoni është gjithashtu për sigurimin e kushteve për vrasje, shtetasit e tjerë me në krye Ervis Matën kanë bërë trafikun e kokainës nga vende të Amerikës latine në vendet e BE, kryesisht në Holandë dhe Gjermani”, tha Topalli.