Gazetari i Top Channel flet për sulmin ku humbi jetën roja

Kryeredaktori i Lajmeve Alltin Kreka i ftuar në programin “Zona Zero” ka treguar përjetimet e ngjarjes së rëndë që tronditi Top Channel pak pas mesnatës së sotme, ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola si pasojë e breshërisë së plumbave.

Kreka u shpreh se ndjesia që përjetoi ishte shumë e rëndë, pasi vendi i punës u kthye në një vendngjarje.

“Ndjesia e parë është të shkosh në vendin e ngjarjes në vendin tënd të punës është shumë e rëndë, e jashtëzakonshme. Nuk dua të flas për detajet në respekt të të ndjerit dhe familjarëve të tij po edhe të kolegëve që e përcollën me shumë shqetësim këtë ngjarje. Po ndjesia ishte shumë e rëndë, jo vetëm për atë që kishte ndodhur aty por edhe për mesazhin e rëndë që transmeton kjo ngjarje sepse nuk u goditën thjesht xhamat e një ndërtese çfarëdo, por është sulmuar dhe vrarë një njeri në ambientet e televizionit më të madh në Shqipëri. Nëse kjo ndodh në median më të madhe dhe më të fuqishme në Shqipëri, imagjino çfarë ndodh me mediat ose zërat jo kaq të mëdhenj. Nuk e di është një gjë që do na lërë gjurmë”. 

Kryeredaktori i Lajmeve deklaroi se impakti që ka kjo ngjarje është shumë e madhe dhe se duhet zbardhur sa më shpejtë.

“Kjo është pothuajse si të godasësh gazetarët dhe shkakton një impakt ose qëllimi që ka dashur të realizojë është impakti mbase edhe për të intimiduar për të ndryshuar misionin nga i cili shkon media. Të shikoni reagimet që ka shkaktuar kjo ngjarje, ka një solidaritet që është vërtetë për tu falenderuar nga gjithë kolegët dhe organizatat e mediave, përveç faktorit politik dhe ndërkombëtarë që  janë shumë të ndjeshëm në këtë pikë. Por ajo që do të vlerësoj është solidariteti e mesazhet mbështetëse që na kanë dhënë kolegët tanë në çdo pjesë të medias, brenda apo jashtë Shqipërisë. Impakti shumë i fortë që ka pasur kjo ngjarje dhe nevojën shumë të madhe që ka për tu zbardhur sa më shpejtë. Në mënyrë që të mos shkojë aty ku donin këta persona që qëlluan, të mos shkojë deri në fund mesazhi i tyre. Ti thuhet ndal dhe askush të mos ndjehet i kërcënuar. Ata që planifikojnë të bëjnë akte të tilla duhet të mendohen mirë sepse do zbulohen e dënohen, do marrin përgjegjësinë e tyre”.

Ndër të tjera Kreka theksoi se autoritetet që merren me hetimin duhet të dalin sa më shpejt në një variant zyrtar për ngjarjen e rëndë.

“Unë mendoj që është mirë të presim vazhdimin dhe përfundimin e hetimeve. Ajo që unë theksoj është që autoritet të nxjerrin sa më shpejt dhe ta zbardhin këtë ngjarje. Ajo që unë do dëshiroja dhe duhet bërë sa më shpejt është që policia e prokuroria duhet të dalë në një variant zyrtar, që të tregojë arsyet, autorët, porositësit dhe gjithçka që lidhet me këtë ngjarje. Kjo ngjarje do të mbetet gjatë, ashtu siç kanë ngelur gjatë ngjarjet e tjera në të kaluarën, ku mediat apo gazetarët janë sulmuar. Por ne nuk do të tërhiqemi nga detyra dhe misioni jonë. Nuk duhet ta bëjmë vetëm për veten, por edhe për kolegët tanë dhe shoqërinë”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Armët bërthamore taktike dhe politika e Rusisë për to

Story i radhës

​Nesër nisin diskutimet për kthimin ose jo të atletëve rus dhe bjellorus në garat ndërkombëtare

Të fundit nga