Gazetari i njohur jep dorëheqjen pas akuzave për censurë

Gazetari i njohur Glenn Greenwald dha dorëheqjen nga organizata mediatike The Intercept, që ai bashkë-themeloi në vitin 2013.

Zoti Greenwald pretendon se një artikull që ai shkroi, i cili ngrinte pikëpyetje për transaksionet ndërkombëtare të biznesit të kandidatit demokrat për President Joe Biden, u censurua nga redaktorët e gazetës The Intercep

“Redaktorët e Intercept-it, duke shkelur të drejtën time kontraktuale të lirisë së botimeve, censuruan një artikull që shkrova këtë javë, duke refuzuar ta botonin nëse nuk hiqja të gjitha pjesët kritike ndaj kandidatit presidencial demokrat Joe Biden, kandidat i mbështetur fuqishëm nga të gjithë redaktorët e gazetës në Nju Jork të përfshirë në këtë përpjekje”, shkroi ai në letrën e tij të dorëheqjes, botuar në faqen e tij në platformën Substack.

Greenwald e ka botuar artikullin në fjalë në faqen e tij personale.

Fituesi i Çmimit Pulitzer mori famë në vitin 2013 kur ai ishte pjesë e një ekipi gazetarësh që botuan dokumente të klasifikuar të siguruara nga ish-kontraktori i Agjencisë Amerikane të Sigurisë, Edward Snowden ku ekspozoheshin përpjekjet e mbikëqyrjes elektronike në shkallë globale nga ana e komunitetit të zbulimit, që përfshinin mbledhjen e informacionit për amerikanët.

Në letrën e tij, ai thotë se që nga viti 2013, media ka ndryshuar.

“Mediat moderne nuk transmetojnë më mendimin që bie ndesh me linjën e tyre; ato e shuajnë atë ”, shkruan ai.

Për shkak se artikulli i tij përmendte “email-at e zbuluara së fundmi dhe pohimet e një dëshmitari” në lidhje me veprimet e zotit Biden, shkruan Greenwald, redaktorët e gazetës Intercept ndaluar botimin nëse këto referenca nuk hiqeshin. Ai tha se ata gjithashtu u përpoqën ta ndalonin atë ta botonte artikullin e tij diku tjetër.

Zoti Greenwald u referohet email-ave të botuara nga e përditshmja New York Post, për të cilat gazeta pretendon se tregojnë prova të veprimeve të paligjshme nga ana e Biden-it dhe djalit të tij, Hunter.

Dëshmia e personit të cilit ai i referohet ka të bëjë me ish-bashkëpunëtorin e biznesit të Hunter Biden, Tony Bobulinski, i cili pretendon se Joe Biden ishte thellësisht i përfshirë në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij në Kinë dhe gënjeu për këtë. Zoti Bobulinski thotë se ai është intervistuar nga FBI-ja në lidhje me akuzat e tij.

Joe Biden i ka hedhur poshtë akuzat.

Sipas gazetarit të Washington Post-it Eric Wemple, kryeredaktorja e gazetës Intercept Betsy Reed tha se dorëheqja e zotit Greeenwald erdhi si pasojë e një “mosmarrëveshje të thellë mbi rolin e redaktorëve në realizimin e punës gazetareske dhe natyrën e censurës”. /VOA

Ngjarja paraprake

“Vëlla nuk e dija që je shqiptar, hajde shqipe”, ka shkruar Mustafi në shaka drejt yllit të Arsenalit

Ngjarja e ardhëshme

Horoskopi për sot, e shtunë 31 tetor 2020

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian