Gani Krasniqi: Ne kemi mbajtur rendin dhe qetësinë në Llukar, ishin mbi 7.000 shikues!

Në vitet 90-ta (1991-1999), në kohën e okupimit, kush më shumë e kush me pak, ka dhënë kontribut në zhvillimin e sportit në përgjithësi, duke iu kundërvu agresorit serb.

Gani Krasniqi, veprimtar i shquar i futbollit dhe ish atlet, kujton ato kohëra të vështira.

Sipas Krasniqit, të zhvillohen ndeshjet në Llukar ka qenë trimëri, duke pasur parasysh kërcënimet e regjimit serb.  

Krasniqi tha se pavarësisht kërcënimet e pushtuesit serb, ata asnjëherë nuk u zmbrapsen por së bashku me një armatë të futbollistëve zhvilluan aktivitetet në kuadër të Kampionatit të Kosovës. 

Kur sot përmendet fusha e futbollit në Çamërli përkatësisht në Llukar, emocionohet shumë!  
Ganiu është vëllai i Salih Krasniqit. 

“Ne si Llukar, si fshatarë të Llukarit dhe si familje, me gjithë atë rini që e kemi pasur pas veti, ka qenë krenari e madhe për ne. 

Kemi pasur një strategji jashtëzakonisht të fuqishme kundër situatës që ka qenë shumë e rrezikshme, ne kemi organizuar lojë, unë, Salih Krasniqi edhe ata tjerët. 

Ne kemi mbajtur rendin dhe qetësinë në fushë të futbollit dhe asnjëherë nuk kemi pas problem. 

Edhe çka u kanë me rëndësi, nuk kanë qenë 500, 600, 1000 shikues por deri 7000 mijë shikues e më shumë. Të gjitha ndeshjet janë zhvilluar në Llukar dhe janë të njohura, e dijnë ekipet. Sot kanë shkruar njerëzit gjithçka, që nuk është vërtetë hiq”, thotë Krasniqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Më tej tregon se përveç si veprimtar i futbollit, ka qenë edhe atlet i spikatur në disiplinën 100 metra dhe në ato teknike.

“Unë edhe jam marrë me futboll edhe me gjithë Tefikun (Krasniqin), jam kampion i Kosovës në atletikë deri sa ka përfunduar lufta. Kam vrapuar në disiplinën 100 metra më pak se 11 sekonda, në hedhjen e gjyles kampion i viteve 80-ta dhe 90-ta deri në përfundim të luftës. 

Hedhja ime ka qenë 13 metra e 70 centimetra, ndoshta edhe më shumë, por që kam pasur kolegë të mi e student të kulturës fizike me dy herë hedhje nuk mundeshin me arritur atë distancë.

Këto rezultate kurrë nuk janë përmendur në asnjë shënim, është gjynah prej vet natyrës. 

Si mundet me shkruar dikush rezultatet e Tefikut konkretisht rezultatet e mija e m’ia mbështet tjetërkujt”, tregon Krasniqi. 

Ai tregon edhe një rast interesant me problemet që kishin me milicinë e regjimit serb.

“Ajo që kemi bë ne ka qenë edhe në interes të Kosovës. Topi u luajt deri në vjeshtën e vitit 1997 në Llukar, kthim mbrapa tek ne nuk ka pas.

Jemi kanë shumë të vetëdijshëm se e kemi pas prapa armikun, kanë ardhur disa herë e i kanë ndërprerë ndeshjet. Për një moment jemi largu, ata kanë shkuar poshtë, ndërsa ne kemi vazhduar lojën.

Është një krenari jo vetëm e jona, por e krejt Kosovës.

Pse? Atë çka kanë bërë futbollistët e krejt Kosovës, ekipet që kanë zhvilluar ndeshjet në Llukar, u kanë trimëri, e pamohueshme, sakrificë e madhe, atë nuk mundet askush më përsërit më, edhe është një krenari e gjithë Kosovës”, përfundon Krasniqi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Intervista 20 vjet BDI/Ahmeti jep përgjigje EPIKE: Nuk do ta përsërisja jetën time, KA QENË E VËSHTIRË

Story i radhës

Marrëdhënia prind-fëmijë është marrëdhënie themel e njeriut me njeriun

Të fundit nga