1.
Defilimi i vazhdueshëm i politikanëve në Oda të Burrave, është anakronik dhe po pasqyron një lloj primitivizmi.
E këtë frymë, së paku top politikanët nuk duhet ta promovojnë.
Oda Shqiptare e ka pasur vlerën e vet të pakontestueshme – shekuj me rradhë:
- Ngjarjet dhe traditat historike janë përcjellë gojarisht brez pas brezi;
- Janë kënduar këngë epike me motive patriotike;
- Oda ka qenë edhe një lloj gjykate, apo institucion juridik, ku janë zgjidhur problemet ndërmjet njerëzve dhe janë vendosur dhe zbatuar rregullat e gjakmarrjes;
- Në Odë është bërë intepretimi i Kanunit të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
2.
Kohërat kanë ndryshuar. Jemi në shekullin 21.
Politikanët nuk po e kuptojnë që postimi i fotove prej Odave – ku nuk shihet asnjë grua, është kunderproduktiv.
Gjysma e votuesve janë femra.
Ka kaluar koha – për shumicën e femrave, që të votojnë ashtu si thonë burrat.
Madje, këto foto mund t’i irritojnë.
Për më tepër, nuk po i kuptoj as gratë politikane, se si po pranojnë të shkojnë në Oda, të vetmuara.
A keni parë ndonjë tubim elektoral në ndonjë Odë, ku janë 4 apo 5 femra?
A po pranojnë vetë gratë që në politikë të promovohet fryma e jobarazisë?
3.
Mentaliteti i Odave, ngadalë por sigurt ka filluar të zbarkojë edhe në gjykata.
Nuk janë të rralla rastet kur gjykatësit në procedura penale pyesin: “A t’i kanë çu burrat? A jeni pajtuar me burra?”.
Nëse fillojmë të gjykojmë me rregulla të para 500 viteve – si shoqëri nuk i kemi punët mirë.
4.
Oda e Burrave, tani me gjasë ekziston vetëm në Kosvë.
Në fakt ekziston edhe në Shqipëri.
Në librat e Kadaresë.