Franca shpreh indinjatën ndaj SHBA-së pas marrëveshjes për nëndetëset me Australinë

Franca akuzoi Presidentin amerikan Joe Biden të enjten se e kishte goditur pas shpine dhe kishte vepruar si paraardhësi i tij, Donald Trump pasi Parisi u mënjanua nga një kontratë historike eksporti për mbrojtjen për të furnizuar Australinë me nëndetëse.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia njoftuan se do të krijonin një partneritet sigurie për Indo-Paqësorin që do të ndihmonte Australinë të siguronte nëndetëse amerikane me energji bërthamore dhe do të anulonte një marrëveshje për nëndetëse franceze prej 40 miliardë dollarësh.

“Ky vendim brutal, i njëanshëm dhe i paparashikueshëm më kujton shumë atë që bënte zoti Trump,” tha ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian për radion franceinfo. “Jam i zemëruar dhe i indinjuar. Nuk veprohet kështu mes aleatëve.”

Është kthesa e fundit dramatike në një garë ku fuqitë detare të ndërtimit të anijeve bëjnë rivalitet prej vitesh për atë që shumë vëzhgues e quajnë marrëveshja më e madhe e eksportit të armëve në botë.

Në vitin 2016, Australia kishte zgjedhur ndërtuesin e anijeve franceze Naval Group për të ndërtuar një flotë të re nëndetësesh me vlerë 40 miliardë dollarë për të zëvendësuar nëndetëset e saj Collins që ishin mbi 20 vjet të vjetra.

Vetëm dy javë më parë, ministrat australianë të mbrojtjes dhe të jashtëm kishin rikonfirmuar marrëveshjen me Francën, dhe Presidenti francez Emmanuel Macron foli për dekada bashkëpunimi të ardhshëm kur priti kryeministrin australian Scott Morrison në qershor.

“Është një goditje pas shpine. Ne krijuam një marrëdhënie besimi me Australinë dhe ai besim është thyer,” tha Le Drian.

Marrëdhëniet e Francës me Shtetet e Bashkuara u përkeqësuan gjatë presidencës së zotit Trump, i cili shpesh acaroi aleatët evropianë duke kërkuar që ata të rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të ndihmuar NATO -n.

Diplomatët thonë se ka pasur shqetësime në muajt e fundit se Presidenti Biden nuk është i hapur me aleatët e tij evropianë.

Lidhjet e Francës me kryeministrin britanik Boris Johnson janë acaruar edhe për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Veprimet e Uashingtonit në Australi ka të ngjarë të tendosin më tej lidhjet transatlantike, thanë analistët politikë. Bashkimi Evropian do të prezantonte strategjinë e tij Indo-Paqësore të enjten dhe Parisi është gati të marrë presidencën e BE-së.

Zoti Biden tha të mërkurën Franca mbetet një “partner kyç në zonën Indo-Paqësori”.

Ndërkohë Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të enjten se Shtetet e Bashkuara mirëpresin një rol të rëndësishëm në Indo-Paqësor nga vendet evropiane dhe tha se Franca në veçanti është një partner jetik.

Zoti Blinken foli në një konferencë shtypi pas takimeve midis ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë në Uashington, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë se do t’i siguronin Australisë teknologjinë dhe aftësinë për të vendosur nëndetëse me energji bërthamore.

Zoti Morrison tha se Australia pret që të vazhdojë të punojë “ngushtë dhe pozitivisht” me Francën, duke shtuar: “Franca është një mik dhe partner kryesor për Australinë dhe Indo-Paqësorin.”/VOA

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Кирјас: Случајот со приведениот дипломат во Србија не е само дипломатски, туку и државен скандал

Ngjarja e ardhëshme

Masivi pyjor në Kallmet përfshihet nga zjarri

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian