Fortifikimi shqiptar dhe mallkimi i tij

Gjatë luftës Rusi-Ukrainë, e cila ka filluar më 24 shkurt 2022, nuk është reshtur pa u përmendur edhe mundësia e përdorimit të armëve bërthamore. Mirëpo, sikurse dihet, edhe kundër armëve bërthamore ekziston veprimi ekuivalent. Ai është  fortifikimi permanent, (betoni e çeliku), mjeti më efikas kundërveprues. Kjo është vërtetuar shkencërisht si nga analizat që u janë bërë efekteve të bombave të para atomike 20 kilotonshe të hedhura në Horoshimë e Nagasaki, ashtu edhe nga studimet dhe eksperimentimet e mëvonshme nga shumë shtete, po asht edhe nga ne.

Nisur nga sa më sipër, udhëheqja e lartë e vendit, sidomos pas daljes “de fakto” të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, duke parë se armët atomike po futeshin deri edhe në municionet e artilerisë, urdhëroi të studioheshin dhe të vlerësoheshin këto dukuri në mënyrë dialektike,  të cilat u parashikuar në Artin tonë Ushtarak mbi Luftën Popullore. Si rrjedhojë e atij studimi e eksperimentimesh, Shqipëria i bëri fortifikim permanent të fuqishëm të të gjithë, origjinal e të pangjashëm me të gjithë fortifikimet që kanë përdorur shtete të tjera si para Luftës së Dytë Botërore, gjatë zhvillimit të saj, ashtu edhe  më pas. Kjo lloj strategji mbrojtëse, duke e fortifikuar fuqishëm të gjithë territorin e vendit, u bazua në politikën  e asnjanësisë të shtetit tonë, e përcaktuar kjo prej udhëheqjes së lartë të vendit.

Mirëpo, në Shqipërinë e këtyre 32 viteve të ashtuquajturit “sistem demokratik” ka patur dhe ende vijojnë spekulime të turpshme rreth këtij sistemi mbrojtës të fortifikuar i ndërtuar gjatë periudhës 1945-1985. Spekulimet më të mëdha bëhen jo vetëm për politikën e përgatitjes ushtarakisht të gjithë popullit shqiptar, si dhe për sasinë dhe llojet e Forcave të Armatosura që patëm, por veçanërisht për fortifikimin. Këto spekulime janë bërë dhe bëhen si nga politikanë dhe “analistë të shquar” shqiptarë në të dy Shqipëritë, (këtej e andej kufijve politikë), por edhe nga gazetarë, diplomatë e “analistë” të huaj.

Analizat “shkencore” prej shtypit shqiptar kanë marrë spunto edhe më shumë pas jehonës që ka bërë albumi dizinformues i fotografit holandez David Galjard, të titulluar “Concresco”, të cilin revista “Wired” e trumbetoi në artikullin e saj me titull:  “Paranoja e diktatorit komunist – epoka e bunkerëve, tani një telash kombëtar”. David Galjard me këtë libër, botuar në nëtor 2012, ftoi në Paris çmimin: “2012 Aperture Foundation/ Paris photo first photobook award”.

Menjëherë pas këtij publikimi morën edhe më shumë kurajo gazetarët, “analistët” dhe politikanët tanë të gjithë ditur, aq më shumë kur mësuan se botimi i librit ishte mbështetur edhe nga Ambasada Holandeze në Tiranë. Këta shqipfolës nxorën në pah dukurinë e shëmtuar të servilizmit, karakteristike për ta ndaj çdo të huaji, ku çdo thënie denigruese të tyre për vendin tonë, qoftë ai me titull shkencor, gazetar, diplomat, politikan, por edhe budalla qoftë, e marrin sikur e ka thënë Perëndia.

Image

Bunker

Madje holandezi David Galjard shkon deri atje sa heq një paralele gati hipnotizuese se çfarë ka ndodhur në psikikën e shqiptarëve, duke thënë se “alarmin e sulmit shqiptarët e kanë pasur pas koke gjithë kohën, duke qenë gati të shkonim në psikiatri.”(!)

Midis të tjerave, holandezi David Galjard shkruan: “Në Shqipëri, 750.000 bunkerë të kohës komuniste ndodhen të përhapura kudo”.  Nuk e dimë se sa kohë i është dashur këtij gazetari “të zgjuar” holandez, madje të dekoruar edhe nga Franca, t’i numëronte një nga një të “750 mijë bunkerët”! Kjo gënjeshtër e qëllimshme është aq e madhe, sa dhe Nastradin Efendisë nuk i ka shkuar ndër mend të thoshte hiperbolizime kaq të madha e kaq të trasha! Por, më e keqja është se këtë shifër e kanë trumbetuar dhe po e trumbetojnë gazetarë, kronistë televizivë, analistë e politikanë “demokratë” e “rilindas” në Shqipëri, njëri më i “mençëm” se tjetri. Madje ka edhe ish-ushtarakë që tash kanë “reflektuar” dhe fortifikimin e quajnë “çmënduri apo lajthitje të Enverit”, “kosto ekonomik”, etj.

Cila është shifra vërtetë e Qendrave të Zjarrit të ndërtuara?

Bazuar në Vendimin me Nr.13, datë 04 Dhjetor 1974, i Këshillit të Mbrojtjes i RPSSH, i mbështetur në konceptin tonë strategjik dhe planin e organizimit të mbrojtjes strategjike të vendit si dhe të përdorimit të gjithë Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ishte llogaritur se duhej të ndërtoheshin gjithsej: 201.175 Qendra Zjarri Permanente (QZP).

Por sa u ndërtuan faktikisht?

Faktikisht u arrit të ndërtohen vetëm 161.878 QPZ, mes tyre 824 QZ kundërtanke nga 17.177 që ishin parashikuar. Kjo shifër del edhe nëse bëjmë llogaritjen sipas mesatares së sasisë të një zone mbrojtje divizioni (8.000 QZ): 22 divizionet që kishte ushtria, (dy divizione ishin rezervë e Komandës së Përgjithshme), sasia e QZ rezulton: 20×8.000 = 160.000 QZ. Bazën e këtij fortifikimi mbrojtjes e bënte mbrojtja kundër-tanke dhe mbrojtja kundër desantit ajror masiv të armikut.

Sikundër shihet, autori holandez i gënjeshtrës hiperbolizuese dhe të gjithë pasuesve të tij shqiptarë, (politikanë, gazetarë e analistë), shifrën e vërtetë e kanë shumëzuar 4,6 herë më shumë! Lind pyetja: nga qëllimi i mirë apo i keq e kanë bërë ata këtë hiperbolizim, si dhe  ambasada që e ka financuar? Mund t’i falet holandezit D. Galjard, por, po këta politikanët e “gazetarët” tanë çfarë i ka penguar të kërkonin ato dokumente?!

Kur ka filluar fortifikimi i terrenit në Shqipëri?

Menjëherë pas çlirimit nga nazi-fashistët, i menjëhershëm ishte urdhri për fortifikimin i  Komandantit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 16 dhjetor 1944, ku theksohej: “Nga ana tjetër të mos nënvlerësohet rëndësia e organizimit të tokës për mbrojtjen, sepse, me anën e fortifikatave lehtësohet mbrojtja jonë, duke u bërë më i efektshëm zjarri ynë, më pak i efektshëm zjarri i armikut dhe përgatiten konditat për zhvillimin e mbrojtjes dhe transformimin e saj në ofensivë.”, (“Dokumenta të SHP” v.2,f.360). Ky urdhër ishte fillesa e punës kolosale që do të niste për fortifikimin e teatrit shqiptar të mbrojtjes, duke filluar nga brezi kufitar dhe buza e ujit, rajonet e pozicioneve të mbrojtjes, të brezave të thellësisë dhe të objekteve fortifikuese për artilerinë, tanket, për objektet e drejtimit, për strehimin e popullatës, të mjeteve e të forcave, për ndërtimin e bazave ushtarake detare e ato ajrore, brezave strategjikë, për industrinë e luftës, krahas ndërtimit të transheve, hendeklidhjeve, QZ, strehimeve etj.

Në tekstin e Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore përcaktoheshin tre drejtime kryesore për mbrojtjen e vendit: përgatitja e popullit ushtar; pajisja dhe modernizimi i teknikës luftarake dhe përgatitja e teatrit të luftës (fortifikimi). Sikundër shihet, fortifikimi i vendit ishte një nga faktorët më kryesorë, i cili parashikonte që mbrojtja jonë të ishte poziconale, e bazuar në sistemin e rajoneve të fortifikuara e tepër të fortifikuara. Rajone tepër të fortifikuar parashikoheshin në terrene fushore tepër të ekspozuar nga vrojtimi dhe zjarri i armëve të armikut.

Image

Bunkeret

Fortifikimi ynë u ndërtua sipas kapacitetit taktik, operativ e strategjik, i cili nuk lejonte shpërthimin e mbrojtjes dhe depërtimin e armikut në thellësi edhe me forca të blinduara, duke u siguruar një aktivitet i gjerë e i gjithanshëm nëpërmjet të cilit arrihej asgjësimi pjesë-pjesë i forcave të armikut dhe fitorja përfundimtare mbi të.

Qëndrueshmërinë e sistemit tonë të fortifikimit e rriste shumë edhe mpleksia organike e fortifikimit permanent me fortifikimin fushor (transhe e hendeklidhje) sipas kushteve konkrete të terrenit. Mbi bazën e këtij fortifikimi do të zhvillohej aktiviteti i pandërprerë i mbrojtjes sonë në kushtet e epërsisë absolute të kundërshtarëve në ajër si dhe në forca e mjete.

Sipas llogaritjeve, për asgjësimin e një rajon mbrojtjeje batalioni duheshin 27-30 bomba atomike  20 kilotonshe me plasje tokësore, ndërsa me plasje ajrore – dyfishi.

Pse Shqipëria përzgjodhi mbrojtjen pozicionale aktive?

Shqipëria përcaktoi këtë lloj mbrojtje pozicionale aktive, pas daljes “de fakto” nga Traktati i Varshavës, me qëllim për ta parandaluar çdo tentativë të ambicieve “historike” të fqinjave tanë ose dhe të aleatëve të tyre për copëtimin e Shqipërisë duke kapur hapësira brenda kufijve shtetërorë, apo që të shpërthente rajonin e mbrojtjes së forcave tona. Këtë strategji ushtarake Shqipëria e mori duke u nisur nga parimi se ajo nuk do të merrte kurrë iniciativën për të sulmuar fqinjët, të cilën e theksonin Nenet 87 e 88 të Kushtetutës. Pra, Shqipëria përmes kësaj strategjie mbrojtëse shpallte neutralitetin, duke mos marrë pjesë në asnjë pakt apo aleancë ushtarake rajonale a ndërkombëtare. Qëllimi i kësaj politike ishte shijimi i paqmë i lirisë dhe i barazisë, ku ambicia e vetme e çdo qytetari të ishte dëshira për të merituar Atdheu lavdinë dhe për t’i shërbyer atij.  Edhe pse Shqipëria zgjodhi vijën politike të neutralitetit, për strategji ushtarake zgjodhi atë të mbrojtëse pozicionale aktive.

Dikush edhe mund të pyes:

Si është e mundur që edhe pse Shqipëria zgjodhi politikën e neutralitetit, u përgatit aq shumë për luftë?

Ndoshta  në aparencë kjo pyetje mund të duket logjike. Por fqinjët tanë asnjëherë nuk e kanë pas parim neutralitetin politik, por, përkundrazi, ende pretendojnë territore të vendit tonë. Këtë ambicie historike e ekspozuan si Serbia ashtu edhe Greqia menjëherë pasi qeveritë e vendit tonë pas vitit 1990 bënë shkrirjen e Forcave të Armatosura. Serbia pushtoi menjëherë Kosovën, ku edhe sot kërkon ta rimarri atë me forcë; ashtu edhe Greqia, e cila edhe pse anëtare e NATO-s nuk e lejoi aviacionin e saj të përdorte hapësirën ajrore greke për të goditur forcat fashiste serbe në Kosovë.

Image

Bunkeret

Së dyti, përmes krijimit dhe forcimit të të gjithë llojeve të Forcave të Armatosura, e në mënyrë të veçantë duke e shoqëruar me fortifikimin e gjithë territorit të vendit, indirekt Shqipëria e demoralizoi çdo pretendues për ta sulmuar atë. Dhe faktikisht nuk na sulmoi kush, ngaqë ishin të bindur se i gjithë populli shqiptar ishte profesionalizuar ushtarakisht, që nga kreu i Forcave të Armatosura e deri tek qytetari i fundit. Si rrjedhojë, Shqipëria e fitoi luftën pa bërë luftë, siguruam paqen pa derdhur gjak. “Të fitosh mbi armikun pa betejë është triumfi më i lartë. Pra, ajo që është më e rëndësishme në luftë është të godasësh strategjinë armike”, shprehej  Homeri i letrave ushtarake  Sun Xu. (“Arti i luftës”,f. 152).

Fitorja e asaj lufte pa gjak bëri që Shqipëria, e cila në vitin 1945 i ngjante një shtëpie të rrënuar, pa dyer, pa dritare dhe pa çati, u rindërtua nga e para me rindërtimin e banesave, me bujqësi, blegtori dhe industri moderne të gjithë llojeve; nga një milionë banorë arriti në katër milionë banorë, ku shkolloheshin, mjekoheshin dhe stërviteshin të gjithë falas si dhe të gjithë në punë; të gjithë u armatosën dhe merrnin pjesë në fortifikim, prandaj dhe askush nuk guxonte ta sulmonte Shqipërinë, edhe pse me varfëri të pranueshme e të ndershme. Gjithë këto arritje e nxitën shkrimtarin Ismail Kadare të shkruante romanin “Kështjella”, duke i ngritur një përmendore letrare qëndresës shqiptare, një monumentalitetit kështjellor, një përngjasim që i është sugjeruar Kadaresë nga e gjithë historia shqiptare mes qëndresës shqiptare në shekullin e 15-të e qëndresës bashkëkohore të Shqipërisë, duke zhbiruar rrënjët  e disfatës të çdo agresori të huaj, siç e konstaton vetë Tursun pashai, se “Ata që do të jetojnë më vonë mbi këtë tokë, do ta kuptojnë se ne nuk e patëm lehtë të ngriheshim në këtë luftë vigane kundër përbindëshit më të madh të kohës.” (“Kështjella, f.244). Kjo ishte vija politike e neutralitetit dhe strategjia ushtarake mbrojtëse e Shqipërisë moniste.

Po sot? Sot, duke eliminuar të gjitha llojet e Forcave të Armatosura, natyrisht, fortifikimi duket i kotë; prandaj dhe jemi pushtuar pa luftë, dhe jemi në luftë pa luftë; kemi mbetur një milionë dhe nuk ushqehemi do të nga bujqësia e blegtoria jonë; ¾ e popullsisë kanë ikur dhe punojnë për botë, prandaj është hequr Çajupi nga programi mësimor i shkollave, ngaqë thotë: “Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq!  Kujto vende tek ke lerë dhe tek heq.”

Duke organizuar një mbrojtje të tillë, Shqipëria mbronte edhe tërësinë e unitetit kombëtar.

Por fortifikimi i vendit filloi në shkallë edhe më intensiv në vitin 1974, sipas vendimeve të udhëheqjes politike të vendit, duke përfunduar në fillim të viteve ’80-të.

Lind pyetja: Si është e mundur që, kur mbaroi fortifikimi dhe u ndërprenë investimet e mëdha e “të kota” për “programin e pazakontë të bunkerizimit”, filloi varfërimi i Shqipërisë?!

A është fortifikimi një shpikje shqiptare?

Jo. Fortifikimi nuk është një shpikje shqiptare. Ai i ka fillesat e veta prej para erës së re. Dhe kjo ndodh ngaqë lufta që zhvillon çdo shoqëri e caktuar mund të ndryshojë dukshëm nga një tjetër. Futja në armatim të artilerisë prej të dy Traktateve Ushtarake, NATO dhe ai i Varshavës, sikundër thamë, i predhave të artilerisë me mbushje bërthamore, i ndryshoi rrënjësisht jo vetëm mënyrat e sulmit, por edhe ato të fortifikimit. Nga kjo zë fill ai lloj fortifikimi me urgjencë që u bë në Shqipëri prej vitit 1974-1985, me qëllimin e vetëm që të ruhej populli dhe pavarësia e vendit, pasi mundësi të tjera për ne, si një vend i vogël, ishin shumë më të kushtueshme dhe jo të përhershme për mbrojtje.

A ka pasur dhe a kanë luajtur rol mbrojtës fortifikimet e mëdha?

Për t’u përgjigjur kësaj pyetje po i referohemi fortifikimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

1. Në kufirin sovjeto-finlandez në Istmën e Karelisë ishte ndërtuar vija e fortifikuar Manerhejm, e cila kishte  një shtrirje frontale prej 40 km dhe thellësi 30 km. Në të ishin ndërtuar 22 nyje rezistence me nga 4-5 pikëmbështetje, ku secila pikëmbështetje kishte 5 QZP me shumë frëngji. Gjithsej ishin ndërtuar 550 QZP dhe 178 QZ gjysmëpermanente. Dendësia mesatare e qendrave të zjarrit ishte 0,5 QZ për çdo km2. Gjatë luftës midis BS dhe Finlandës (30 nëntor 1939 – 12 mars 1940) për shpërthimin e kësaj vije sovjetikët përqëndruan të pajisura me tanke e teknikë tjetër të rëndë luftarake në sasi shumë të madhe. Në atë vijë u luftua 101 ditë dhe me gjithë epërsinë e madhe e të pakrahasueshme në forca e mjete, sovjetikët nuk mundën ta shpërthenin dot këtë vijë për 101 ditë. Vetëm pas 101 ditësh, kur u futën në përdorm edhe faktorë të tjerë, sovjetikët mundën më 12 mars të krijonin një të çarë në këtë vijë. Për shpërthimin e vijës Manerhejm sovjetikët pësuan humbje shumë të mëdha në forca e në mjete luftarake.

2. Vija Mazhino e ndërtuar nga Franca në kufirin me Gjermaninë shtrihej në një front rreth 700 km dhe në thellësi 2 km. Në drejtime të veçanta thellësia arrinte 20-30 km. Në vijën Mazhino ishin ndërtuar 5.800 qendra zjarri të mëdha e të vogla për mitraloza e topa, duke krijuar një dendësi mesatare prej 1,45 QZ për km2. Vetë ekzistenca e kësaj vije si dhe pasiguria e komandës gjermane për shpërthimin e saj e detyruan atë që në betejën e Francës, goditjen kryesore ta jepnin në veri të vijës Mazhino, ndërsa përballë saj vendosën grup-armatën “C”. Të gjitha përpjekjet gjermane për të shpërthyer vijën Mazhino nuk patën asnjë rezultat. Vetëm në 14 qershor 1940, kur gjermanët kishin hyrë në Paris dhe i kishin dalë në shpinë vijës Mazhino, armata e parë gjermane ndërmori shpërthimin e vijës Mazhino në sektorin e fortifikuar të Sarës ku ndodheshin 320 QZ, e që ishte sektori më pak i pajisur nga pikëpamja fortifikuese, i cili mbrohej nga dy regjimente të këmbësorisë së fortesave dhe një regjiment  mitralier i këmbësorisë koloniale. Raporti i forcave ishte 9:1 në favor të gjermanëve, që do të thotë se kundër çdo batalioni të fortesave mësynte një divizion këmbësorie gjermane.

3. Vija Zigfrid, ose siç e quajnë ndryshe “muri i perëndimit”, i ndërtuar nga gjermanët gjatë viteve 1936-1939, në kufirin e tyre perëndimor. Vija Zigfrid kishte një shtrirje frontale prej 500 km dhe një thellësi mesatare 35-75 km. Ajo përbëhej nga dy pozicione me thellësi 5-7 km secili. Si pozicion të tretë kishte të ashtuquajturën vijë Gidenburg. Pozicionet ishin përgatitur me QZP, me punime fushore dhe objekte të tjera të fortifikuara. Në vijën Zigfrid ishin ndërtuar gjithsej 15.500 QZ, që krijonin një dendësi mesatare prej 0,6 QZ për km2.

Ndonëse i mbrojtur me forca të pakta, të papërgatitura mirë dhe pa përvojë luftarake, vija Zigfrid përballoi goditjet e ushtrisë anglo-amerikane që kishin epërsi shumë herë më të mëdha në forca e mjete. Disa herë tentuan anglo-amerikanët në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 ta shpërthenin atë vijë, por nuk ia arritën qëllimit. Rezistenca në vijën Zigfrid u ndërpre vetëm atëherë kur Komanda e Lartë Gjrmane urdhëroi tërheqjen e trupave nga kjo vijë.

Image

Bunker

4. Vija izraelite e fortifikimit “Bar Lev” ishte një zinxhir fortifikimesh të ndërtuara nga Izraeli përgjatë bregut lindor të Kanalit të Suezit në vitin 1967, pas “Luftës gjashtë ditore” me Egjyptin. Vija përfshinte një mur masiv rëre  prej 150 km i gjatë, i thellë 7-8 km. Ajo ishte një mur rëre me lartësi nga 20–25 metra me pjerrësi prej 45–65 gradë dhe mbështetej nga një mur betoni; kishte 22 kalata, të cilat përfshinin 35 pika të forta. Bunkerët dhe strehimoret siguruan mbrojtje kundër çdo bombe deri 500 kg. I gjithë muri kushtoi 238 milion $.

Po të bëjmë krahasimin midis sistemit tonë të fortifikimit me sistemet e fortifikimit që përmendëm më lartë del se sistemi ynë i fortifikimit nuk ka asnjë ngjashmëri taktiko-operative dhe tekniko-shkencore me të gjitha llojet e fortifikimit të mësipërm. Le të krahasojmë dendësinë e QZ në një km2 që e jona është 80-100 herë më e madhe sesa ajo e vijës Manerhejn e Zigfrid, dhe 35 herë më e madhe sesa ajo e vijës Mazhino.

Sistemi ynë i fortifikimit u bë i vazhdueshëm, i pandërprerë dhe mbulonte gjithë kufirin tokësor dhe detar të vendit; ndërsa në vijat Manerhejn, Mazhino e Zigfrid mbuloheshin vetëm pjesë të shkëputura të kufirit shtetëror, prandaj dhe janë anashkaluar nga drejtimet e pafortifikuara. Sistemi ynë i fortifikimit kapte gjithë thellësinë e territorit të vendit, ndërsa vijat Mazhino, Manerhejn, Zgfrid e Bar-Lev ajo lëkundej nga 2-50 km.

Në brezin e parë të mbrojtjes sonë, fortifikimi permanent i pozicionit të zjarrit i skuadrës së këmbësorisë u bë në formë “garnizoni”, duke vendosur 3-5-7 QZP, në varësi të terrenit dhe rëndësisë së drejtimit për mbrojtje. Rajoni i mbrojtjes së togës përbëhej nga dy transhe (9-15-21 QZP); i kompanisë nga 3-4 transhe (27-45-63 QZP), ndërsa rajoni i mbrojtjes së batalioneve përbëhej nga rajonet e mbrojtjes së kompanive (81-135-189 QZP, nëse i qëndrojmë besnik sistemit “tresh”), si dhe pozicionet e zjarrit të armëve të rënda të artilerisë, vendkomandave, vendmjekimi, vendfurnizimi etj, ishin lidhur me sistem të zhvilluar transhesh e hendeklidhje (gjithsej 6-8 transhe), duke siguruar mbrojtje rrethore. Në një brez mbroje BrK me 5 batalione do të kishte afërsisht 800 QZ. Krijohej kështu një kamp i fortifikuar me ndihmën e një sërë QZ që mbronin me zjarr anësor e në shpinë njëra-tjetrën.

Në vendosjen e QZ ishte pasur parasysh kryqëzimi i zjarrit të mitralozëve, automatikëve, pushkëve dhe armëve të tjera të vendosura në rajonin e mbrojtjes, ku mbi çdo pikë të terrenit sigurohej më shumë se shtatë palosje zjarri, ndërsa në terrene të fortifikuara malore më shumë se katër, duke mbrojtur QZ njëra-tjetrën. Vendosja e QZ u jepte mundësi trupave ta sulmonin armikun nëpër intervalet, porsa zjarri i bërë nga QZ të kishte dobësuar presionin e sulmit të armikut.

Në brezin e dytë të mbrojtjes brigadat qëndronin të përqendruara, ku, veç elementëve të fortifikuar, (njësoj si brigadat e skalionit të pare), fortifikoheshin pozicionet e zjarrit për grupimin e artilerisë tokësore, vendkomanda, objektet për depot e prapavijës, spitali i divizionit, spitali veteriner etj. Fortifikohej edhe rajoni i pritshëm i desantit ajror, rajonet e mbrojtjes të forcave vullnetare, qendrat e rëndësishme të banuara, objektet industriale, aerodromet, portet, urat etj.

Thellësia strategjike e mbrojtjes, që quhej edhe brezi i tretë i mbrojtjes, përbëhej nga fortifikimi i rajoneve të përqendrimit të njësive RKP dhe gjithë industria prodhuese ushtarako-industriale e ajo ushqimore, për luftë dhe për popullsinë e fshatrave e qyteteve, e sistemuar në tunele të betonuar. Si rrjedhojë, e gjithë hapësira e vendit mbulohej nga vendstrehimet masive të popullsisë, objektet social-ekonomike, organet administrative të pushtetit qendror e vendor, tunelizimi i industrisë, masat për mbrojtjen nga armët kimike etj. Dendësia më e madhe e fortifikimit ndodhej në brezin e parë të mbrojtjes.

Konkluzionin e atij fortifikimi e ka bërë Mehmet Shehu në seminarin e mbajtur  më 22 mars 1977 me kuadrot kryesore të ushtrisë në Durrës, theksoi se “fortifikimi ynë i heq armikut faktorin hapësirë, – ky është plusi i parë për ne; i heq armikut faktorin kohë – ky është plusi i dytë për ne; me anën e fortifikimit tonë gjakosim rëndë armikun – ky është plusi i tretë për ne”.

Në javën e parë të muajit Tetor 1992 në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm erdhi një grup prej pesë oficera (pedagogë) amerikanë për t’u njohur me programet e akademisë tonë ushtarake si dhe për të na sjellë përvojën e tyre pedagogjike. Ditën e parë i prezantuam me programet e secilës armë e shërbimi, ndërsa ditën e dytë i njohëm me kabinetet mësimore. Kur mbaroi prezantimi në kabinetin e  Xhenjos, në të cilin pasqyrohej me imitacion gjithë dinamika e zhvillimit të operacionit për përballimin dhe asgjësimin e desantimit ajror e atë detar në rajonin Gjiu i Durrësit – Gjiu Lalësit, që përfundonte me dhënien e kundërmësymjes nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe rivendosjen e situatës në buzën e ujit, kryetari atij grupi pedagogësh amerikanë na tha: “Me këtë organizim e përgatitje që keni ju, me këtë fortifikim, me këtë mobilizim të të gjithë popullit në luftë, ka gjasa që dhe NATO do ta kishte të vështirë t’u pushtonte.”

A ishte i tepruar dhe absurd ky lloj fortifikimi?

Holandezi David Galjard si dhe gjithë politikanët tanë të këtyre tre dekadave pluraliste, mes tyre edhe ushtarakë, kanë theksuar e theksojnë se fortifikimi ynë ishte “i tepruar” dhe “absurd”. Por kjo nuk është aspak e vërtetë, për të vetmen arsye se punimet për hapjen e tuneleve dhe groposjen e QZ janë bërë nga forcat e shërbimit të detyrueshëm të ushtrisë. Fortifikimi i bërë, është e do të jetë investim i domosdoshëm për të gjitha kohërat.

Arti ynë Ushtarak i Luftës Popullore me këtë sistem fortifikimi parashikonte se nga çdo anë e drejtim që të vinte armiku, si nga ajri, nga toka ose nga deti, do të ndodhej gjithmonë përballë morisë së madhe të objekteve tona të fortifikuara, të cilat edhe në qoftë se do t’i shpërthente në një drejtim ose rajon, shpërthim të cilin do ta paguante me humbje shumë të mëdha, ai menjëherë pas këtyre rajoneve, në mënyrë të pandërprerë, në të gjithë thellësinë e territorit, do të ndeshej me rajone  dhe breza të tjerë të fortifikuar më të njëjtën ekuivalencë qëndrueshmërie, gjë që do t’i duhej ta niste sulmin nga e para. Ky është rezultati i atij investimi “të kotë” e “të tepërt”.

Fortifikimi i vendit nuk ka qenë projektuar dhe ndërtuar sipas koniunkturave politike dhe marrëdhënieve me fqinjët, por sipas Planit Operativo-Strategjik të Mbrojtjes së vendit dhe detyrave luftarake të njësive përkatëse, në bazë të kapacitetit operativ të terrenit, që lejonte mundësinë e përdorimit të forcave armike, si nga toka, deti e ajri, në këmbësori e teknikë luftarake, pa marrë parasysh se cili do të ishte armiku.

Në ato vite dhe për atë sistem organizimi të pushtetit, fqinjët konsideroheshin kundërshtarë të sistemit politik, armiq të pushtetit tonë dhe me pretendime të theksuara territoriale.

Merita e ideuesve të kësaj shkolle të fortifikimit shqiptar është se kjo shkollë e ktheu artin e fortifikimit në rregulla matematikore të përpikta, duke bërë kombinimin proporcional-simetrik të vijave të vendosjes së QZ, duke ia përshtatur teorinë shkencore kushteve të ndryshme të drejtimeve të caktuara për t’u fortifikuar, si dhe teknologjisë së armikut të mundshëm.

Kuadrot e larta ushtarake shqiptare, me në krye strategun e shquar ushtarak Mehmet Shehun, që e projektuan atë fortifikim dhe që u realizua në 20 vite, përveçse ishin komandantë me përvojë luftarake, ishin edhe shkencëtarë shoqërorë, por edhe mendimtarë, diplomatë, politikanë, të cilët luftën e kishin profesion, duke u nisur nga fakti që ushtria e asaj kohe shprehte interesat e shoqërisë që e kishte ngritur. Qëllimi i projektuesve të atij sistem fortifikimi ishte organizimi dhe sistemimi i dukurive kaotike të luftës, në një sistem të efekshëm, duke pasur besim se populli, kur të mobilizohej për luftë, do ta përdorte me shumë efikasitet.

Mallkuesit shqiptarë të fortifikimit shqiptar  ngelën duke përsëritur, se ai fortifikim kishte një kosto shumë të shtrenjtë për kushtet e asaj kohe.

Ata, nëse nuk e kanë nga padija, atëherë e kanë për paranë e shpërblimit që marrin me këtë propagandë qëllim keqe. Ekonomistët modernë thonë se: të gjithë pasurohen kur asnjëri nuk kërkon përparësi. Strategët ushtarakë modernë thonë: Në një luftë, e cila drejtohet nga kabinete të aftë, nuk ka vend për zbutje, përligjia e saj është fitorja, pavarësisht me ç’metoda është arritur, qoftë edhe ato ekstreme. Bazuar në këtë aksiomë, fortifikimi ynë u organizua e u zbatua me qëllimin e vetëm: që lufta, nëse na imponohej, të mbaronte për një kohë sa më të shkurtër dhe me sa më pak gjak, ngaqë e bënte mësymjen e çdo ushtrie armike shumë më të vështirë. Prandaj theksova më lart, se Shqipëria e fitoi luftën, paqen, pa bërë luftë, pa derdhur gjak.

Vetitë mbrojtëse të atij fortifikimi u zhvilluan gjer në atë pikë, sa rajoni i mbrojtjes së një batalioni mund të përballonte deri edhe 27 goditje me predha bërthamore artilerie, krahasuar me efektin e bombave atomike që u hodhën në Hiroshima e Nagasaki, në vitin 1945. A e justifikon kjo mbrojtje atë investim?

Sikundër e theksova pak më lart, fortifikimi intensiv i vendit në Shqipëri filloi kur ajo doli “de fakto” nga Traktati Ushtarak i Varshavës. Që në fillim duhet theksuar se fortifikimi i vendit nga udhëheqja shtetërore e Shqipërisë u përcaktua të ishte fortifikim mbrojtës, i cili të mundësonte ta bënte të gjithë territorin e vendit të aftë për mbrojtje të përhershme dhe jo vetëm për një kohë të shkurtër, dhe vende-vende edhe në fortifikim mësymës, i cili të përmbante edhe rregullat e luftimit në rrethim dhe të rrethimit të armikut. Prandaj ai u nda në tri forma: në fortifikim të përhershëm, me Qendra Zjarri (QZ) e Qendra të Përhershme Zjarri (QPZ); në art të kryerjes së rrethimit si dhe në fortifikim fushor, që ndryshe quhet fortifikim i përkohshëm, për shkak të rëndësisë së përkohshme që ato mund të marrin në kushtet e veçanta të një luftimi. Si rrjedhojë, fortifikimi i vendit në Shqipëri u realizua në mënyrë të pashkëputur e ngushtësisht i ndërthurur midis tre llojeve, duke krijuar rajone të fortifikuara, tepër të fortifikuara dhe fortifikim të përkohshëm.

Edhe pse fortifikimi ynë u bë tepër i studiuar e me karakter të përhershëm, një investim i përjetshëm që nuk i humbet vlerat e tij në shekuj, përsëri, pas prishjes së sistemit shoqëror socialist, si nga shtypi i huaj edhe nga ai shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë, është spekuluar dhe vijon të spekulohet sot e gjithë ditën, duke arritur deri aty sa të thuhet, se “u ndërtua një bunker për katër banorë”, “24 bunkerë për çdo kilometër katror”, “sot banorët nuk kanë ndonjë interes, përveçse shkatërrues”, si dhe e quajnë budallallëk që “çdo 22-vjeçar shqiptar ishte i trajnuar për të luftuar” për mbrojtjen e vendit!

Bazuar në përvojën e fortifikimit të ushtrive të huaja, sulmi kundër një mbrojtjeje të fortifikuar kërkon më shumë forca e mjete. Për shembull, rregullorja amerikane e luftimit “FM-105”, kundër një mbrojtjeje të fortifikuar mirë, në drejtimin kryesor të goditjes, për mësymje parashikonte një raport shumë më të thellë forcash, minimalisht 6-8:1. Kjo normë ishte tipike për rajone të fortifikuara me 10-15 QZ për km/front a km2, për gjithë thellësinë e mësymjes.

Kurse tek mbrojtja jonë kishte minimalisht 15 deri 35 QZP për km/front, në varësi nga terreni, që do të thotë se raporti i forcave për mësymje i kundërshtarit do të ishte jo 8:1, por 3 deri 4 herë më shumë, pra 24-32:1. Ndaj mbrojtja jonë me të tillë dendësi kaq të lartë fortifikimi, e ndërtuar sipas kapacitetit të terrenit, mund të përballonte forca më të shumta, duke e bërë vendin të papushtueshëm. “Fortifikimi, -thekson teoricieni dhe historiani ushtarak anglez Xhon Kigan-, u ka shërbyer për mirë popujve sa herë që është bërë e mbajtur në rregull, pasi ka përballuar modernizimin dhe çdo teknologji ushtarake si dhe ka perfeksionuar aftësinë udhëheqëse, e cila i kthehu komandantët në udhëheqës.” (“A History of Warfare”, London, 1993).

Ndoshta në praktikë, më mirë se kushdo tjetër vlerat  mbrojtëse të fortifikimit shqiptar i kuptuan ushtarakët dhe popullsia e rretheve Kukës e Tropojë kur u luftua në brezin kufitar midis malit Shkëlzen e malit Pashtrikut gjatë periudhës së luftës në Kosovë, 1998-1999, fortifikim i cili u shfrytëzua masivisht prej tyre.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

14 luftanije ruse nisën rrugën për në Odessa

Story i radhës

Sherr me Arjola Demirin? Atdheu reagon për herë të parë dhe zbulon bisedën e fundit me aktoren

Të fundit nga