Flet drejtori i FIZHT, Festim Halili: Mbështetjen e ideve cilësore dhe inovative do ta kemi prioritet

February 1, 2022
min lexim

Festim Halili ka pak ditë që ka marrë në dorë drejtimin e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, duke u bërë kuadri i parë shqiptar që do udhëheq me këtë inatitucion shtetëror që nga themelimi i tij. Studimet e doktoraturës i kreu në një moshë të re, duke fituar bursë nga fondacioni britanik BST për të vazhduar hulumtimet shkencore në universitetin prestigjioz Royal Holloway në Londër, në departamentin e shkencave kompjuterike.

Njëkohësisht, gjatë studimeve deridiplomike dhe master, ka arritur sukses të lartë, duke u shpallur “shkencëtari i ri i vitit” nga FRI dhe njëherit duke fituar bursën gjermane DAAD për të vazhduar një pjesë të studimeve në Universitetin Teknik të Munihut në Gjermani. Është autor i më shumë se 45 punimeve shkencore të botuara në konferenca dhe resvista ndërkombëtare.

Çfarë roli duhet të luajë inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë në vendin tonë?

Në të gjitha shoqëritë e zhvilluara dhe ato që përpiqen për zhvillim thelbësor, inovacionet dhe teknologjitë synojnë kryesisht të avancojnë proceset, të modernizojnë jetën njerëzore dhe të lehtësojnë mënyrën se si funksionojnë gjërat. Nga pikëpamja ekonomike, teknologjia racionalizon kostot, hap mundësi të reja për komunitetin e biznesit dhe ofron zgjidhje për problemet në fusha dhe industri të ndryshme. Kompanitë që janë në hap me trendet dhe inovacionet globale të teknologjisë, në të njëjtën kohë inkurajojnë dhe krijojnë vende të reja pune. Programi ynë këtë vit vë theks të veçantë në zbatimin e Thirrjeve të reja për digjitalizimin e sektorit publik, të cilat do të vazhdojnë përfshirjen e kompanive vendase me kulturë dhe kapacitet inovativ në përmbushjen e nevojave të sektorit publik dhe shoqërisë në tërësi. Ne planifikojmë investime në teknologjinë shëndetësore, teknologjinë fintech, infrastrukturën e inovacionit, mbështetje për programe të suksesshme arsimore globale përmes të cilave studentët dhe të rinjtë tanë do të angazhohen në iniciativa globale dhe shumë aktivitete të tjera.

A do të kemi investime në zhvillimin inovativ të kompanive që punojnë në hapjen e vendeve të reja të punës?

Ky është një institucion që deri më tani ka mbështetur 784 kompani (projekte) dhe sipas analizës së bërë nga FITR në fund të vitit të kaluar, të dhënat tregojnë se kompanitë e mbështetura nga Fondi në vitin 2020 punësojnë gjithsej 8439 punonjës. Pothuajse të gjitha thirrjet publike,  mbështesin projekte që përfshijnë punësimin e ekipeve, pra krijimin e vendeve të reja të punës. Ndër të tjera, ne planifikojmë thirrje publike për zhvillim teknologjik dhe komercializim të inovacionit në kompani.

A do të ofrohet mbështetje për kompanitë dhe startup-et?

Deri më tani janë mbështetur 393 kompani startup, me një investim të përbashkët prej 32 milionë euro. Kompanitë startup kanë mundësi të bashkëfinancojnë përmes instrumenteve të ndryshme të Fondit, por këtë vit po planifikojmë një thirrje publike të dedikuar për këtë lloj kompanish. Qëllimi parësor i yni do të jetë që shpërndarja e mjeteve të bëhet me një shpërndarje gjithëpërfshirëse, duke mbuluar të gjitha regjionet e vendit dhe shtresat e qytetarëve, e në veçanti të të rinjve në vend.

A do të ketë bashkëpunim me sipërmarrës ndërkombëtarë?

Fondi ka një bashkëpunim afatgjatë të suksesshëm me një sërë organizatash ndërkombëtare në fusha të ndryshme. Vitin e kaluar disa nga sipërmarrësit e njohur ndërkombëtarë që ndanë njohuritë e tyre falas me audiencën vendase ishin Bjorn Trovery – Menaxher i Komunikimeve në Facebook, Adam Mitchell-Haggs – Ekspert i Ekonomisë Qarkore, Inovacionit dhe Ndërmarrjeve të Korporatave, James Gregson, Drejtor i Krijimit të mediave dixhitale, në LEGO dhe të tjerët. Jemi duke punuar në mënyrë aktive në thellimin e bashkëpunimit me sipërmarrës nga disa vende, që do të mundësojë shkëmbim cilësor të njohurive dhe përvojave me ata nga vendi ynë. Këtë vit, planifikojmë thellimin e bashkëpunimit me universitetet, duke përfshirë hulumtues shkencor, profesorë dhe inovatorë të vendeve të zhvilluara.

Sipas jush, a kemi në vendin tonë të rinj me potencial që mund të arrijnë qëllimet e tyre dhe të ndihmojnë vendin?

Shumica e ekipeve në kompanitë e mbështetura, veçanërisht startup-et, janë të rinj që krijojnë produkte dhe shërbime, gjegjësisht përdorin talentin e tyre në vendin tonë dhe eksportojnë atë që krijojnë. Nëse kësaj pyetjeje i përgjigjem nga pozicioni i drejtorit të FITR-it, atëherë historitë e suksesit të të rinjve dhe projektet e tyre flasin shumë. Në vend kemi të rinj të cilët janë të specializuar në fushën e inteligjencës artificiale dhe ofrojnë me sukses produkte softuerike të avancuara për kompanitë dhe markat kryesore botërore, por edhe për institucionet vendase. Ne kemi mbështetur projektin Synapse, i cili synon të zhvillojë dhe përmirësojë zgjidhjen inovative të softuerit Aeroport Briefing dhe është produkti i parë i këtij lloji në industrinë globale të aviacionit. Është një mjet unik për një platformë të centralizuar, “one-stop shop” dhe një platformë cilësore për kualifikimin, trajnimin dhe operacionet e kompetencës së pilotëve me rrugë dhe aeroporte. Në portofolin e FITR-it ka projekte me të cilat mund të krenohemi. Megjithatë, ne do të përpiqemi që trendin e mbështetjes së ideve cilësore dhe inovative ta kemi në prioritet.

A do të diskriminohen njerëzit nga ky institucion, që do të thotë se nga ky institucion mund të përfitojnë vetëm personat/partitë në pushtet?

Në mandatin tim, do të punoj që transparenca, cilësia dhe përfshirja e gjitha regjioneve dhe kategorive të qytetarëve të jenë faktorë kyç në procesin e ndarjes së mbështetjes nga Fondi.     Dua të theksoj që proceset e përzgjedhjes dhe fazat pas të cilave jepen grantet janë të përcaktuara qartë dhe të shpallura në çdo thirrje publike. Dëshiroj t’ju rikujtoj edhe një herë se vendimin përfundimtar se cili projekt do të miratohet për financim merret nga Komisioni i Miratimit të Investimeve i përbërë nga pesë ekspertë të huaj dhe në asnjë segment punonjësit nuk kanë ndikim. Ekipi i FITR merr pjesë vetëm në kontrollin administrativ, pra nëse dokumentacioni i paraqitur nga aplikantët është i plotë. Kuptojmë që numri i kompanive që kërkojnë mbështetje është shumëfish më i lartë nga mundësia reale financiare e mbështetjes nga Fondi, prandaj dhe kritikat dhe fokusi i opinionit është mbi këto procese, që në këndvështrimin tim, do të na motivojnë që të punojmë më shumë dhe të jemi maksimalisht transparent duke inkurajuar projektet më cilësore, gjë të cilën e kam potencuar në mbledhjen e parë time që para me antarët e komitetit të ekspertëve të jashtëm.  Fondi do të vazhdojë të inkurajojë dhe të shfaq histori suksesi të sipërmarrësve me mbështetjen maksimale dhe profesionale, kompanive që me ndihmën tonë të fusin teknologjinë e re dhe të përmirësojnë prodhimin, ekipet e të rinjve të prezantojnë shërbime të reja ose të vendosin të zhvillojnë biznesin e tyre në vendin tonë dhe jo ta bëjnë atë jashtë vendit. /Nistori/

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Javën e kaluar pothuajse çdo i treti person i testuar ka qenë pozitiv për koronavirus

Story i radhës

Të paktën 11 persona humbin jetën nga përmbytjet në Ekuador

Të fundit nga

ShkoLartë