Flamuri anticivilizues serb i “Ballkanit të Hapur” po valëvitet në Veriun e barrikaduar të Kosovës!

-Eja kryeministër Edi Rama, pse nuk po vjen së bashku me mikun-aleatin tënd Vuçiqin, që t’i heqni ato barrikada nga veriu i Kosovës, sepse janë flamuri më i turpshëm i Ballkanit dhe i gjithë Evropës demokratike perëndimore!

-Ja, pra ky është thelbi i projektit afatgjatë “Ballkani i Hapur” (izolimi dhe rikolonizimi i shqiptarëve në shtëpitë dhe në tokat e tyre), që presidenti “paqësor” dhe “demokrat” Aleksandër Vuçiq, ka urdhëruar dhe, në sy të gjithë opinionit ndërkombëtar me paturpësinë më të madhe po e mbështet instalimin e barrikadave serbe në veriun e Kosovës, jo më pak se 10 ditë, por askush nga BE-ja dhe nga NATO-ja e as OKB-ja nuk po ia “ngre veshin”, duke e detyruar, që t’i heqë barrikadat e rrezikshme, sepse janë thirrje e drejtpërdrejtë, që Serbia ushtarakisht ta pushtojë veriun e Kosovës. Dhe, pikërisht aty, buzë lumit Ibër, të vihet kufiri ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë. Ky është mesazhi i barrikadave dhe urgjenca për të formuar sa më parë “Asociacionin e Komunave Serbe” në Veriun e Kosovës, sipas të cilët, serbët e atjeshëm me ndihmën direkte dhe indirekte të Beogradit (ashtu sikurse në rastin e formimit të Republika srpska në Bosnjë), do ta formonin republikën serbe në territorin e Kosovës. Ky do të ishte epilogu i çdo dialogu politik paqësor me Serbinë kolonialiste,

Problemi i veriut të Kosovës nuk është minoritar, por problem kolonial serb (1912-2022)!

-Sa herë e kemi pohuar dhe shkruar këtë konstatim se, asgjë nuk ka të vërtetë me keqtrajtimin politik, juridik a kushtetues të minoritetit serb në Kosovë, por vetëm me strategjinë e vampirizimit të politikës dhe të praktikës së regjimit gjenocidal të Slobodan Milosheviqit, se gjoja Kosova “është e Serbisë”, ashtu siç shkruan edhe në preambulën e Kushtetutës në fuqi të Serbisë (2006). Ky është problemi, jo kurrfarë diskriminimi i minoritetit serb as në veriun, as në jugun, as në perëndimin e as në qendrën e Kosovës.

Sepse që nga përfundimi i luftës në Kosovë (12.06.1999) veriun e Kosovës direkt dhe indirekt e kontrollon Beogradi zyrtar, jo shteti i Kosovës sipas Kushtetutës në fuqi (15 qershor 2008). Mirëpo, kjo ndërhyrje në çështje të brendshme dhe të jashtme të Kosovës nga e Serbisë, është shkelje brutale e konventave, e marrëveshjeve, e deklaratave dhe e rezolutave ndërkombëtare, të miratuara nga OKB-ja; është shkelje e dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe e parimeve dhe e normave të së drejtës ndërkombëtare . Në këtë rast, do të duhej të penalizohej Serbia, jo t’i mundësohej dialogimi me palën shqiptare të Kosovës në Bruksel, ngase Serbia është ajo që mban “peng” në mënyrë joligjore pjesën veriore të Republikës së Kosovës, që ka për qëllim shkëputjen e saj nga integriteti sovran dhe territorial i Kosovës.

Se për çfarë “Ballkani të hapur” mund të llogarisin shqiptarët, këtë e provon shembulli njëjavor i vendosjes së barrikadave serbe në veriun e Kosovës, që paralajmëron copëtimin territorial të veriut të Kosovës. Ndryshe, përfaqësuesit e minoritetit serb me

“Lista serbe” në krye, nuk do të braktisnin institucionet dhe organet shtetërore të Kosovës.

Pra, problemi nuk qëndron në regjistrimin e targave të automjeteve dhe të mos formimit të “Bashkësisë së Komunave Serbe”, që ua garanton “Plani i Ahtisarit (por pa kompetenca ekzekutive) dhe Marrëveshja e Brukselit (2013) e nënshkruar nga pala kosovare negociuese, por thjesht e sheshit, Beogradi zyrtar po demonstron politikën e forcës, që në emër të “diskriminimit” të minoritetit serb në veriun e Kosovës, ka ushtruar kërkesë zyrtare të KFOR-it, që të lejojë kthimin e “1000 ushtarëve serbë” kinse për t’i mbrojtur minoritarët serbë në Kosovë, e në të vërtetë kjo vë në dukje pretendimet territoriale të Serbisë për copëtimin dhe për invadimin e Kosovës, gjithnjë duke llogaritur në mbështetjen e Rusisë agresore të Vladimir Putinit.

-Mosheqja e barrikadave shpie drejt përshkallëzimit të konfliktit të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës.

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Kurti me lëvdata të mëdha për Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe për Pagat

Story i radhës

​Baerbock: G7 po punon për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Të fundit nga