FIZHT dhe UNDP e publikuan thirrjen publike për digjitalizim të komunave

Shkup, 2 tetor 2020 (MIA) – Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) dhe UNDP shpallën thirrje publike për diitalizimin e komunave me qëllim të zhvillimit të mjeteve dhe zgjidhjeve digjitale për shërbime më të mira dhe më cilësore. UNDP siguron mjete për thirrjen, gjithsej katër milionë denarë, dhe implementimi i është besuar Fondit.

Thirrja është e hapur sot dhe do të zgjasë deri më 15 tetor 2020, deri në orën 14:00. Aplikuesit duhet të zhvillojnë E-platformë që do të integrojë zgjidhje për krijimin e një sistemi elektronik për mbledhjen e taksave në komunë, sistem për pagesën elektronike të faturave për ndërmarrjet publike, sistem elektronik të vullnetarëve dhe platformë online për forum komunal.

Platforma elektronike duhet të zhvillohet në maksimum prej 30 ditësh, kurse një aplikues duhet të paraqesë ofertë për të katër zgjidhjet që do të implementohen në pesë komuna pilot: Qendër Zhupë, Bogovinje, Shën Nikoll, Prilep dhe Kumanovë. FIZHT siguron fonde për deri në 100 për qind të buxhetit të përgjithshëm të projektit, deri në një maksimum prej 75,000 dollarë amerikanë, përfshirë shumën e mbikëqyrjes prej 10 për qind të buxhetit të përgjithshëm operativ të projektit.

Siç njoftoi drejtori i Fondit, Jovan Despotovski në një konferencë për media sot, çdo kompani që konsideron se ofron mjete të përshtatshme, pavarësisht nëse është mikro, e vogël, e mesme apo e madhe, mund të aplikojë për thirrjen publike.

Sipas Despotovskit, zgjidhjet pritet të përgatiten, por gjithashtu të zbatohen deri në fund të vitit. Në këtë mënyrë, ata do të jenë plotësisht falas për komunat e tjera që do të shprehin gatishmërinë dhe dëshirën e tyre. Kompanitë që do të përgatisin zgjidhje, nga ana tjetër, do të kenë mundësinë t’i shesin ato jashtë vendit.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në vend, Narine Sahakian, pret interes të madh për thirrjen.

“Shpresojmë të shfrytëzojmë fuqinë inovative të sektorit privat për të zhvilluar mjete digjitale që jo vetëm do të ndihmojnë komunat të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë efektive në kushtet kufizuese të pandemisë, por gjithashtu t’i bëjnë shërbimet publike më të arritshme dhe më rezistence në të ardhmen. UNDP tashmë mbështet digjitalizimin e aktiviteteve të vetëqeverisjes lokale në disa mënyra. Ne kemi siguruar pajisje të transmetimit të drejtpërdrejtë për 13 komuna në mënyrë që qytetarët të mund të ndjekin seancat e këshillit komunal në internet, dhe ne kemi zhvilluar një platformë mësimore në internet përmes së cilës punëtorët komunalë mund të marrin pjesë në trajnime dhe të ndajnë informacione me kolegët e tyre nga komunat e tjera. Në shtator 2019, ne mbajtëm një hakaton që rezultoi në tre zgjidhje digjitale inovative për operacionet komunale. Me këtë thirrje publike, ne shpresojmë të arrijmë dhe kapërcejmë sukseset e kaluara”, tha Sahakian.

Pesë komunat pilot për zbatimin e mjeteve janë përzgjedhur përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që synon mbështetjen e shtetit në ballafaqimin e efekteve të KOVID-19, si dhe kryerjen e një analize të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse socio-ekonomike të efekteve të pandemisë dhe identifikimin e mundësive për rikuperim më të shpejtë në nivel lokal. sn/

Ngjarja paraprake

Arsyet pse ndërprerja e lidhjeve me anëtarët e familjes është e shëndetshme

Ngjarja e ardhëshme

Xherdan Shaqiri gëzon Zvicrën, ja arsyeja

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian