Fakulteti Pedagogjik i UT-së e shënoi 1 Qershorin – Ditën ndërkombëtare të fëmijëve

Studentët dhe profesorët e Fakulteti Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me shkollat fillore të Komunës së Tetovës, “Migjeni”, “Përparimi” dhe Studios së baletit “Menada”, përmes disa aktivitete të lira pedagogjike e shënuan 1 Qershorin – Ditën ndërkombëtare të fëmijëve. Kjo ngjarje u realizua me nxënësit e shkollave fillore, ku u zhvilluan disa lojëra me karakter garues në kuadër të lëndëve mësimore: Matematikë, Gjuhë shqipe, Edukatë fizike dhe Shkenca natyrore.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, në prononcimin e tij tha se këtë aktivitet e bëjnë së bashku me studentët e tyre, të cilët janë absolventë, janë studentë të viteve të katërta të drejtimit Mësim klasor, Pedagogjisë profesionale dhe Edukim parashkollor, përmes partneritetit edhe me dy shkollat fillore, SH.F. “Migjeni” – Tetovë dhe SH.F. “Përparimi” – Reçicë e Madhe, si dhe Studion e baletit “Menada”. “Ne dëshirojmë të japim një mesazh nga ky aktivitet, që t’i themi ndal dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve dhe të respektohen të drejtat e tyre, pra është një moment sensibilizimi. Shpresojmë që efekti të arrihet pasi fëmijët janë lule që meritojnë të rriten me të gjitha kushtet dhe zhvillohen, pasi ata paraqesin edhe të ardhmen e vendit dhe do të jenë nesër ndërtues të shoqërisë. Ne si Fakultet Pedagogjik çdoherë e japim mesazhin tonë dhe i japim rëndësi zhvillimit të hershëm të fëmijëve. Natyrisht se shteti e ka Strategjinë për zhvillimin e arsimit, që është 2018-2025 dhe ka një dinamikë të rritjes së numrit të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor. Sot, në aktivitet do të kemi një pjesë ku studentët tanë do të promovojnë aktivitete të ndryshme si model aktivitetesh që mund të shfrytëzohen në shkolla nga mësimdhënësit, por kemi edhe një pjesë të garave të nxënësve, ku ata garojnë në katër fusha, më konkretisht garojnë në Gjuhë shqipe, Matematikë, Shkenca natyrore dhe në Arsimin fizik dhe shëndetësor. Me këtë rast do të ndahen edhe mirënjohje për të gjithë ata që do t’i fitojnë vendet e para për nxënësit. Gjithashtu, mirënjohje do t’u ndahen edhe shkollave fillore “Migjeni” dhe “Përparimi”, si dhe Studios së baletit “Menada” për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet, por dëshiroj të falënderoj me këtë rast edhe për sponsorin e aktivitetit, marketin “Shullani” për të cilin gjithashtu kemi mirënjohje”, tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Prof.Dr. Besa Havziu theksoi se ky aktivitet u dedikohet fëmijëve. Së bashku me studentët të cilët palodhur përgatitën aktivitete me rastin e Ditës ndërkombëtare të fëmijëve. “Mesazhi përcjellës është që, fëmijët të mos preokupohen vazhdimisht në kohën e tyre të lirë, në jetën e tyre të përditshme, me gjëra të cilat janë sot të themi në trend, siç është teknologjia, por t’i fusim në botën e lojës, në botën e aktiviteteve dhe të fusim risi, siç kërkon sistemi arsimor, që përfshijnë lëndët e ndryshme, qoftë matematika, qoftë gjuha, qoftë natyra, shkencat, të realizohen përmes aktiviteteve të ndryshme, të cilat ne i quajmë si loja didaktike. Le të jetë kjo ditë si një arsye për të dhënë një mesazh përcjellës deri tek opinioni më i gjerë. Shpesh ne e kemi dëgjuar një terminologji të re si bulizëm, ngacmim, ngacmohen gjithandej, janë ngacmuar edhe më parë, por cila është arsyeja që neve edhe kemi bërë një aktivitet që përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm sa i përket bulizmit dhe ngacmimit në mes të fëmijëve. Ne themi të japim një mesazh, t’i duam fëmijët dhe, prindër të dashur, mos investoni shumë në origjinalitet, në veshmbathje të fëmijëve tuaj, por investoni në dashuri ndaj tyre, sepse kohën e fundit e neglizhojmë dashurinë që duhet t’ua ofrojmë fëmijëve dhe shumë jemi ithtarë të asaj që të krijojmë pasuri, të krijojmë të mira materiale dhe duke i veshur në gjërat etiketuese, ne edhe më shumë i risim besimin negativ për jetën luksoze tek ata. Mos harroni se loja më e shtrenjtë që në Francë është shpërblyer si loja më e mirë ka qenë loja e litarit. D.m.th gjithçka që është më e thjeshtë është më e bukur dhe e ngrit cilësinë”, konstatoi profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Besa Havziu.
Në këtë ngjarje, përpos lojërave të ndryshme nga nxënësit, edhe studentët e Fakultetit Pedagogjik prezantuan disa nga aktivitetet e tyre, që kishin të bëjnë me lojërat dikur dhe sot dhe vendosën një dramë që paraqet bulizmin si fenomen, i cili është mjaft i përhapur tek adoleshentët. Për nxënësit që morën pjesë në lojërat me karakter garues u ndanë dhurata simbolike në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen e tyre. 1 Qershori – Dita ndërkombëtare e fëmijëve shërben për të sensibilizuar dhe për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

1 Qershori, Grubi: Buzëqeshja e fëmijëve, gjëja më e bukur që ka kjo botë (FOTO)

Story i radhës

Besimi në ngjarjen e organizuar nga UKIM: përmes masave të targetuara në luftën kundër ekonomisë gri drejt rritjes së qëndrueshme të ekonomisë

Të fundit nga