Kompania e mediave sociale Meta (Facebook, Instagram) ka akuzuar qeverinë australiane se po nxiton të ndalojë mediat sociale për moshat nën 16 vjeç pa marrë në konsideratë siç duhet provat dhe zërat e të rinjve.
Politikanët australianë që mbështetën ligjin e parë në botë thonë se është e nevojshme të sigurohet që një brez tjetër adoleshentësh të mos përjetojnë “përmbajtje kaq të dëmshme” në vitet në vijim.
Ndalimi, i miratuar nga parlamenti i Australisë të enjten, vetëm disa ditë pasi u mbajt një hetim njëditor për të shqyrtuar 15 mijë parashtresa, tashmë është përshkruar si një provë për veprimet që planifikojnë qeveritë e tjera.
Pavarësisht miratimit të projektligjit, politikanët nuk e mbështetën njëzëri, me një ligjvënës të pavarur që e quajti atë “një zgjidhje të vitit 1970 për një problem të vitit 2024”. Grupet e të drejtave të njeriut dhe avokatët e shëndetit mendor kanë paralajmëruar gjithashtu se kjo mund të margjinalizojë të rinjtë australianë.
Deri më tani, shumica e kompanive të mediave sociale kanë thënë se do të respektojnë ndalimin, dështimi për ta bërë këtë do të rezultonte me gjoba deri në 50 milionë dollarë. Por, ata shprehën pasiguri se si do të zbatohej dhe shqetësime për ndikimin e tij të mundshëm.
“Ne jemi të shqetësuar për një proces që nxitoi legjislacionin pa marrë në konsideratë siç duhet provat që industria po bën tashmë për të siguruar eksperienca të përshtatshme për moshën dhe zërat e të rinjve”, tha një zëdhënës i Metës.
Elon Musk, pronari i X, ka kritikuar tashmë ndalimin dhe sugjeroi se ishte “një mënyrë e pasme e kontrollit të qasjes në internet për të gjithë australianë”.
Të premten, ministri i qeverisë australiane, Murray Watt tha se kompanitë e mediave sociale duhet ta marrin seriozisht ndalimin dhe të kuptojnë se kanë “interes për të ruajtur reputacionin e tyre dhe licencën e tyre sociale”.
“Midis atyre gjobave dhe presionit social, ne do të shohim se si do të funksionojnë rrjetet sociale – dhe nëse nuk e bëjnë, ne kemi mundësinë t’i ndjekim ato”, tha ai.
Ndalimi u mbështet nga partia kryesore opozitare e Australisë. Ministri i komunikimit në hije, David Coleman, tha se përfitimet e tij peshonin shumë më tepër se rreziqet.
“Cila gjeneratë tjetër në histori është rritur e ekspozuar ndaj përmbajtjes aq të dëmshme sa kjo? Ne mund t’i kthejmë sytë nga ajo dhe të mos flasim për të, ose mund ta shikojmë në fytyrë, ta pranojmë dhe të bëjmë diçka për të”, tha Coleman.
Ndryshe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se ligji mund të cenojë të drejtat e të rinjve dhe të zvogëlojë aftësinë e tyre për të marrë pjesë në shoqëri.
Burimi: botasot.info