Eurodeputetët i bëjnë “gjyqin” Dodikut, i kërkojnë të ndërpresë lidhjet me Kremlinin

Michael Gahler, anëtar i Parlamentit të Bashkimit Europian, e ka pyetur kreun e Republika Srpskas, anëtarin e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik se për çfarë kishte biseduar me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe nëse ai do ta njihte rajonin e Banja Llukës si të pavarur, siç bëri Putini me Donetskun dhe Luhanskun. Ai e pyeti Dragan Çoviqin (udhëheqës i Bashkimit Demokratik Kroat -HDZ në Bosnjë e Hercegovinë) se çfarë pret nga kroatët kur është kaq i lidhur me Dodikun, i cili është i lidhur me Putinin, raporton N1.

“I bëj thirrje zotit Dodik që t’i ndërpresë lidhjet me Kremlinin dhe të ndalojë retorikën shkatërruese. Zoti Çoviq, ju bëj thirrje që të distancoheni nga zoti Dodik derisa ai ta dënojë agresionin”, tha eurodeputetja Tineke Strik.

Kritika pati edhe eurodeputeti tjetër, Dietmar Köster. Ai gjithashtu iu drejtua Dodikut, përcjell Gazeta Express.

“Nuk ka vend në Europë për mohuesit e gjenocidit. Bllokimi i vazhdueshëm i institucioneve të BeH dhe përdorimi i retorikës nxitëse në publik çon vetëm në paqëndrueshmëri dhe vonesa në arritjen e reformave që janë kaq të rëndësishme për vendin dhe një jete më të mirë për njerëzit. Mesazh për të gjithë ju: Unë përsëris mbështetjen time për një Bosnjë të bashkuar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe rrugën e saj europiane. Ne jemi me Bosnjën, po punojmë me ju për ta mundësuar dhënien e statusit të kandidatit”, tha ai.

“Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që të siguroni një vend demokratik funksional për ta vazhduar këtë proces. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë institucionet shtetërore. Jam i zhgënjyer me diskursin etik edhe pse jeni në rrugë pa krye. Të rinjtë po largohen nga vendi, nuk kanë të ardhme. A do të fokusoheni më në fund në atë që nevojitet, kohezionin social për ta përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë? Dhe a doni t’i shfuqizoni politikat diskriminuese?”, pyeti Koster.

Në përgjigjen e tij për eurodeputetët, Dodik tha se ai mbështet “integritetin territorial dhe sovranitetin e Rusisë dhe Ukrainës”.

“Unë dënoj çdo luftë. Siç e dënova bombardimin e Beogradit, po ashtu dënoj përdorimin e forcës në Ukrainë, pavarësisht se kur erdhi. Kërkojmë vendosjen e paqes”, tha Dodik.

Ai tha se nuk ndan mendim të njëjtë me Zheljko Komshiqin, kreun e Presidencës së Bosnjës në lidhje me “ndërhyrjen e Kroacisë dhe Serbisë në marrëdhëniet e brendshme të Bosnjës” dhe se “është e vështirë të kesh shoqëri multietnike dhe demokraci”.

Dodik tha se nuk është i ndikuar nga Rusia dhe i akuzoi eurdeputetët se po përpiqen të “përhapin stereotipe”. Dodik pranoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm rus.

“Para kësaj kam qenë në Rusi dhe kemi biseduar për aktivitetet ekonomike. Ata kanë një rafineri nafte, kështu që unë doja të siguroja sasi të mjaftueshme për RS dhe jam krenar sepse Bosnja nuk është në listën e sanksioneve të Rusisë për furnizimet me energji për shkak të veprimeve të mia”, tha Dodik.

Edhe Çoviçi u mundua disi t’iu përgjigjet kritikave.

Ai tha se “nuk e di se si” eurodeputetët “synojnë ta përcaktojnë një lidhje të ngushtë në çdo kohë në politikën e Bosnjës”.

“Nuk e di pse do të lidhesha më ngushtë me Dodikun apo me Izetbegoviqin, me Xhaferoviqin apo me të tretin apo të katërtin. Ky është perceptimi i imponuar nga Sarajeva”, tha Çoviq.

Ai gjeti hapësirë edhe që të hedh akuza ndaj Komshiqit.

Parlamenti Evropian dërgoi një mesazh se Bosnja nuk mund të jetojë përgjithmonë me ndihmën ekonomike të BE-së për ta ruajtur paqen dhe një “super strukturë politikanësh”.

“Ata kanë më shumë politikanë për metër katror në botë. Një super strukturë e tillë nuk mund të mbahet më. Të rinjtë nuk besojnë në institucionet e Bosnjës. Sundojnë politikanët e vjetër. Nuk mund të varesh vazhdimisht nga ndihma e solidaritetit të BE-së, ne nuk duam të mbështesim më ndarjen e përhershme”, tha eurodeputeti Javier Nart. /Express

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjilani pranon donacion me pajisje mbrojtëse medicinale për stafin shëndetësor

Story i radhës

Qëlloi nënën me thikë/ “Bir a ke para?”

Të fundit nga