Etiopia do të vendosë mbi mënyrën e akuzimit të shefit të OBSH-së

Etiopia ka bërë të ditur se do të vendosë se si të veprohet për ngritjen e akuzave kundër drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne e dimë për këtë”, tha ministri etiopian i Shtetit për Punët e Jashtme dhe zëdhënës i Task-Forcës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, Redwan Hussein, në një konferencë të përbashkët për media me shefin ekzekutiv të Administratës së Përkohshme të rajonit Tigray, Mulu Nega.

“Qeveria është e vetëdijshme për aktivitetet e Tedros që zhurmojnë korridoret e huaja dhe që thirrin liderët botërorë në përpjekje për presion ndaj qeverisë etiopiane. Nuk është e pazakonshme që dikush të trembet për konflikte të tilla. Por, ajo për të cilën qeveria etiopiane nuk është e lumtur është se Tedros nuk e kontaktoi kurrë qeverinë për t’u informuar se si ndodhën gjërat”, tha Hussein.

I pyetur nëse qeveria do të padisë drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së ose të lëshojë një urdhër arresti për të, Hussein tha se “qeveria nuk ka marrë vendim se si do ta zgjidhë atë”.

Në fillim të kësaj jave, raportet se Tedros shërben si një “diplomat i Frontit të Çlirimit të Popullit të Tigray-it (TPLF)” u shpërndanë në mbarë botën.

Një zyrtar i lartë, i cili foli në kushte anonimiteti, të hënën për AA tha se Tedros në shumë pjesë të botës ka qenë “plotësisht i angazhuar në kërkim të mbështetjes diplomatike dhe ushtarake” për TPLF-në.

Megjithatë, të enjten shefi i OBSH-së mohoi akuzat e qeverisë etiopiane.

“Ka pasur raporte që sugjerojnë se unë jam duke marrë anë në këtë situatë. Kjo nuk është e vërtetë dhe unë dua të them se jam vetëm në njërën anë dhe ajo është ana e paqes”, njoftoi Tedros në rrjetet sociale.

Më 4 nëntor, Etiopia nisi atë që ajo e quajti “operacion të zbatimit të ligjit” në rajonin e saj verior Tigray kundër TPLF-së, forcat të cilat sulmuan Komandën Veriore të ushtrisë etiopiane të vendosur në Tigray, duke vrarë ushtarë dhe plaçkitur pasuritë ushtarake.

“Jam thellësisht i trishtuar për raportet e viktimave dhe numrit të madh të njerëzve që janë zhvendosur dhe që kërkojnë strehim në vendet fqinje”, shkroi Tedros, duke bërë thirrje për “masa të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të siguruar një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes”.

Tedros, i cili shërben si drejtor i përgjithshëm i OBSH-së që nga viti 2017 ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të TPLF-së. Ai po ashtu ishte ministër i Shëndetësisë së Etiopisë nga viti 2005 deri në vitin 2012 dhe ministër i Punëve të Jashtme nga viti 2012 deri në vitin 2016.



. .

Ngjarja paraprake

Publikohet raporti “Pandemi në Gjyqësi”

Ngjarja e ardhëshme

Mos e hidhni kurrë llumin e kafes, do të surprizoheni kur të mësoni se për çfarë mund ta përdorni

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian